Kujtesë miqësore për Artan Lamen

677
Sigal

Nga Gëzim Zilja

Fort i nderuar, Zoti kryetar Artan Lame!

Të kam ndjekur me vëmendje qysh në kohën kur nuk ishe në pushtet me ato pamfletet e famshme kundër qeverisë demokratike që e bëje copë e çikë për paaftësinë dhe korrupsionin që e kishte pllakosur. Kam parë me interes ekspozetë tuaja personale me reliktet e dokumentet e historisë së popullit shqiptar dhe ju kam dëgjuar me vëmendje për njohuritë e thella që keni në atë lëmë. Mendova sinqerisht se me fitoren e të kuqve do të të jepnin vendin e Ministrit të Kulturës, ku ju, siç e përmenda më lart keni njohuri të lavdërueshme. Po nuk ndodhi kështu, sepse këto punë i di Timonieri dhe ti u binde të merrje një “magazinë” si Jovan Bregu se sa të ngeleshe pa gjë. E them këtë, se ky post me ato që kishe demonstruar nuk është në përputhje me aftësitë dhe dijet e tua. Po më pas mendova: Ku i dihet?! Derisa Timonieri e ka emëruar Kryetar të ALUIZNI-t çoç do të bëjë ky njeri i ditur. Të dhanë për të zgjidhur një nga problemet më të mëdha e më të rënda të tranzicionit shqiptar: Të certifikoje e të bëje pronarë nja 400.000 (ndoshta më pak) albanezë që ditën me diell kishin zaptuar tokat e të tjerëve dhe të shtetit. Po kjo është një histori tjetër dhe nuk është faji juaj si person. Në krye të disa vjetëve (kaloi viti i pestë që jeni në pushtet) pamë sërish Timonierin me “kazan” e “qepshe” në dorë që shpërndante supën (dmth certifikatat e pronësisë) nëpër Shqipëri dhe popullin që i uronte jetë të gjatë sa malet, fushat, luginat e pyjet që kishin grabitur. Ndërsa populli i lumtur merrte “tapitë” si dikur, nga vetë Timonieri, ti diku në një cep, lidhje duart herë para e herë prapa, as i gëzuar e as i ngazëllyer. Këtë qëndrim tëndin ende nuk e kam kuptuar. Ama dihet se po të mos ishte Timonieri ku do të ishe ti? Vazhdove punën e nuk u ndjeve megjithëse njerëzit e mençur e të ndershëm, sikundër unë besoj se je dhe ti, jo rrallë duhet të “vrasin e rivrasin veten “ ë të bien dakord me Timonierin. Mosdakordësinë me Timonierët e kam provuar në kurrizin tim më se një herë në këto vitet e demokracisë. Si nëpunës i vjetër i dy “perandorive” të kuptoj shumë mirë se në shtëpi burri duhet të çojë një rrogë, ndryshe nuk mbahet shtëpia. Duhet ta pohoja që në krye të letrës që nuk kam dëgjuar asnjë fjalë për zotërinë tënde që të jeni i korruptuar e të merrni ryshfet, por atje në zyrat që ju drejtoni vazhdon korrupsioni si në kohët e para. Për këtë mos ki pikë dyshimi.

E tora pak gjatë, por halli im dhe i ca mijërave të tjerë si puna ime është ky: Kam blerë para 11 vjetësh një hyrje modeste te privati. I pashë dokumentet para se ta blija dhe pallati ishte me leje. Mirëpo kur duhet ta hipotekoja pasi kisha paguar paratë doli që ndërtuesi kishte bërë një a dy kate më shumë nga sa kishte lejen. Për këtë banorët nuk mund të hipotekojnë hyrjet e paguara kokërr më kokërr. Shkova para një viti, me ndërhyrjen e ca miqve, te zyrat tuaja, ku ka qenë Instituti për Studimin e Patates (te “patatja” i thonë sot) dhe takova një drejtuese. Më shpjegojë se fillimisht duhet plotësuar formulari nr. 1 nga pronari, pastaj formulari nr.2 nga banorët, pastaj formulari nr.3 dhe banorët duhet të firmosnin të gjithë sërish, sepse etj., etj. … Nëse pronari nuk firmos Formularin nr.1, shpjegoi nëpunësja e lartë, nuk mund të plotësohet as nr.2 e as numri nr.3. Meqenëse e mbaj veten për njeri të kënduar, instinktivisht i citova drejtoreshës një pjesëz të letrës që Don Kishotit plot trishtim i dërgonte të dashurës së tij, Dylqinjës së Tobozës: Arësyeja e mosarsyes që i bëhet arsyes time, ma dobëson kaq shumë arsyen sa me arsye, nuk po arsyetoj dot. Më falni, më cicëroi me zërin si të thëllëzës te veshi nëpunësja e lartë, por nuk kuptova gjë nga kjo që sapo thatë. As nuk nuk kuptova gjë, i thashë, nga ato që më thatë.

Shkurt unë dhe mijëra si unë kemi paguar paratë dhe kemi një kontratë me pronarin. Pronari nuk e firmos Formularin se nuk do të paguajë, është arratisur, mund të jetë në burg ose larg qoftë i kanë futur ndonjë koqe plumbi dhe e kanë hedhur në ndonjë gropë. Si do të bëjmë ne shërbëtorët e përvuajtur për të marrë hipotekën meqenëse kemi paguar paratë? Si do të vejë halli i ne qyqarëve, nëse shteti nuk ve dorë? Këta lloj pronarësh as nuk duan t’ia dinë dhe as u kërcet për njerëzit. Unë nuk e di sesi veprohet në Zimbabve apo në Mozambik për këto probleme por Ju siguroj, se në asnjë shtet Evropian anëtar ose jo i BE-së një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Përse nuk i thjeshtoni gjërat dhe unë si qytetar të shkojë në zyrat e shtetit tim e pasi të paraqesë kontratën me pronarin e të vërtetojë që faturat i kam paguar të më bëhet hipoteka? Çfarë ka të jashtëligjshme këtu? Përse nuk i ndihmoni njerëzit , që një zot e di me sa halle e sakrifica kanë mundur ta blejnë një hyrje, të mos e kenë atë me hipotekë? Mos doni të dalim malit partizanë e të kërkojmë të drejtat tona? Po jetojmë në demokraci, o Kryetar dhe kryengritjet me armë nuk lejohen, edhe kur ke të drejtë. Pastaj ky është zanat i komunistëve dhe nuk është për ne njerëzit paqësorë që duam e respektojmë ligjin.

Mos u nxito të japësh xhevap si Timonieri që gjithmonë e ka hazër një të tillë si p.sh: Në vitin 2010 krimi në Shqipëri…. ose në kohën e qeverisë demokratike (Diktatori thoshte: Në krahasim me vitin 1938, që merrej 10 kv grurë për ha, nën udhëheqjen e Partisë…), ata nuk legalizuan sa çereku ynë, etj., etj. E përsëris: po bëhen avash-avash mbi pesë vjet që po qeverisni. Jeni njeri i shkolluar, i mençur, thonë dhe punëtor. Nuk propozon dot një ligj të thjeshtë në parlament me cilësinë e Kryetarit, që të shpëtojmë nga ky ngërç i tmerrshëm që po zgjat me dhjetëra vite? Nuk do, nuk të lë Timonieri, i keni miq këta lloj horrash miliarderë që quhen biznesmenë? Çfarë ju pengon? Keni frikë se Timonieri ju heq nga puna? Po kjo nuk është e re në sistemin tonë demokratik. Po të paktën do të dalësh faqebardhë e me nder nga kjo mesele e fëlliqur, që ka 28 vjet që po na e shpif e po na e bën jetën shumë më të vështirë nga sa është për të gjithë sot. Axheba, ndoshta e keni nxjerrë ligjin dhe s’ka dalë ende në Gazetën Zyrtare, dhe ne gjindja nuk jemi lajmëruar, se i tërheq sa thashë më sipër, boll të na mbarohet halli.