Kujt i bie zjarri do të paguajë 150 mijë lekë për çdo orë, nis nga çasti i njoftimit të zjarrfikëseve

527

Sigal

Përparim HALILI

 

Qeveria ka nisur së fundi një ofensivë të rëndimit
social-ekonomik të shqiptarëve, duke shtuar taksa shërbimesh të tjera deri tek
ato më absurdet duke thelluar “gropën e zezë” të korrupsionit me vjedhje të
tjera shtetarësh e klientësh të tyre, të cilat përballohen po nga taksat e
shqiptarëve. Njëherazi miraton ligje dhe vendime, që nuk luftojnë krimin dhe
korrupsionin, por që e mbrojnë atë duke e nxjerrë nga “rrezja” e goditjes me
përcaktime ligjore që i shërbejnë skemës për të mos pasur ndëshkueshmëri të
shtetarëve, të cilët i tjetërsojnë pasuritë dhe miliardat e vjedhura, duke i
kaluar tek familjarët e tyre. Mjafton të lexosh 3 vendime e ligje të
“Rilindjes”, publikuar në “Fletoret Zyrtare” Nr. 194 e 195 dhe bindesh, që
shtetarët dhe politika zhvatin shqiptarët me koncesione dhe tallen me ligje që
nuk i dënojnë këto zhvatje të pasurive e financave kombëtare, deri edhe të
qindarkave të shqiptarëve, të cilat nuk janë pjesë e klikave të pushteteve dhe
politikës, që bëjnë sikur “përleshen” në kuvend e në medie me njëra-tjetrën,
gjoja “për hallet e popullit, por që në fakt e kanë kthyer politikën në një
biznes të përbashkët me rotacion përfaqësimi klanor! Po flasim konkretisht…

 


Për të zhvatur qytetarët, ekipet e zjarrfikësve do të krijojnë vonesa
artificiale, duke u vonuar në mbërritje tek vendngjarja dhe gjatë shërbimit

 

Një taksë e re ose më saktë një “gjobë” e re, në mijëra lekë për çdo orë
shërbimi, u shtohet shqiptarëve që do të përballen me zjarret në shtëpi,
kullota, stalla, ferma, sera e biznese! Eshtë fjala për shërbimin zjarrfikës në
Shqipëri. Duke nisur nga data 21 tetor 2016 (nga dita e djeshme) gjithë
familjet, personat dhe bizneset që do të vihen përballë fatkeqësive të dëmtimeve
prej zjarreve ose me rrezik për jetën për çfarëdo shkaku, qoftë rënia e zjarrit
do detyrohen të paguajnë orët e qëndrimit të shërbimit zjarrfikës në objekt.
Kjo është përcaktuar me vendim qeverie. Është VKM Nr. 707, datë 12.10.2016:
“Për tarifën e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, të ofruar nga
bashkitë e pajisura me stacione të këtij shërbimi, në territorin e bashkive që
nuk kanë stacione të shërbimit të MZSH-së”. Sipas këtij vendimi, duke filluar
nga dita e djeshme,
tarifa e
shërbimit për shuarjen e zjarreve, apo për shpëtimin e njerëzve në raste
aksidentesh dhe fatkeqësish të tjera, ofruar nga bashkitë e pajisura me
stacione të këtij shërbimi, në territorin e bashkive që nuk kanë stacione të
mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi është 15 mijë lekë të reja, për 1 orë
shërbim! Për efekt të përllogaritjes së kostove të shërbimit të ofruar nga
shërbimi i zjarrfikës, koha e pagesës llogaritet që nga momenti i njoftimit dhe
daljes së ekipit zjarrfikës nga qendra  e
MZSH-së dhe nisja drejt objektit ku ka rënë zjarr, ose ku ka emergjenca
shpëtimi. Madje edhe ata që tentojnë të hidhen nga lartësitë për vetëvrasje,
por që shpëtohen nga zjarrfikësit, sipas këtij vendimi duhet të paguajnë ekipet
e shpëtimit për aq orë sa qëndrojnë majë shtyllave, vinçave e tarracave. Duke
ditur praktikën e shërbimit zjarrfikës shqiptar, që në 90% të rasteve vonohen
edhe me orë të tëra deri sa zjarri shuhet vetë, por edhe që në 70% të rasteve
nuk i shuajnë zjarret, ekziston paragjykimi i motivuar i qytetarëve, se ekipet
e zjarrfikësve do të krijojnë vonesa artificiale për të shtuar orët e
shërbimit, d.m.th., vlerën e  pagesës!