Kujdesi shëndetësor ndaj Veteranëve të LANÇ nuk është, as human, as ligjor

91
Të gjithë jemi dëshmitarë, se për disa javë me radhë vendi kaloi nën kërcënimin e një gjendje gripale nga më të vështirat e më të rëndat, nga e cila u prek pothuaj e gjithë popullata. Nga ky grip i stërzgjatur u prekën edhe shumë veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shumë nga ata vuajtën gjatë e lënguan nën kërcënimin e gripit, patën pasoja e komplikacione deri në rrezik serioz të jetës së tyre. E disa, me keqardhje, nuk mundën ta përballonin gripin dhe u ndanë nga jeta! Edhe pse në raportet e mjekëve shkruhej: Vdekje natyrale prej pleqërisë, e vërteta është krejt ndryshe. Familjarët thonë se nuk e përballuan dot gripin. Këto ndodhën, pasi shërbimi shëndetësor e kujdesi ndaj veteranëve nuk ishte në nivelin e kërkuar. Ata që u larguan nga jeta, mund të gëzonin akoma jetë e të tjerët nuk do të kishin vuajtur aq shumë. Ka shumë raste e fakte që flasin për këtë. Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, ka bindjen, se për këtë gjendje përgjegjësia bie mbi institucionet shëndetësore, pasi nuk treguan kujdesin e duhur. Prandaj Kryesia e Komitetit Kombëtar shpreh indinjatën për këtë gjendje e ngre fuqishëm zërin në mbrojtje të shëndetit të tyre. Dhe këtë të drejtë e jep ligji mbi Veteranët e Luftës, në Nenin Nr 7, të të cilit thuhet: “Veterani i luftës kundër pushtuesve nazifashistë, si figurë e lartë e popullit dhe Atdheut, gëzon mbrojtje të veçantë ligjore”. E, në këtë mbrojtje të veçantë ligjore, padyshim që përfshihet edhe mbrojtja shëndetësore. Pyesim: A e di këtë ligj Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet në varësi të saj? Ne mendojmë se Ligji është i shkruar, e zeza mbi të bardhë, por ai ose harrohet ose neglizhohet. Mos vallë ka nga ata që mendojnë se “veteranët, si të moshuar që janë, e kanë ngrënë çairin”… Po qe se mendohet kështu nuk është vetëm turp, është një qëndrim anti human, por edhe një faj i madh, është një shkelje flagrante e ligjit. Ministria e Shëndetësisë duhet t’ua bëjë të qartë të gjithë institucioneve në vartësi, të gjithë mjekëve, infermierëve e gjithë personelit të këtij sektori, se është ligji që i detyron ata t’u shërbejnë me përparësi veteranëve të Luftës, sepse ata janë figura të larta të popullit dhe Atdheut. Për çfarë përkujdesje të veçantë ligjore, shëndetësore mund të bëhet fjalë, kur në mjaft raste ndërsa familjet e veteranëve telefononin nëpër ambulanca, urgjenca e spitale dhe kërkonin ndihmë për veteranët e sëmurë, mjekët pasi merrnin vesh moshën jepnin porosi: Të pinë sa më shumë lëngje, çaj e talenhot e gripostad, të bëjnë këtë e atë,… se gripi do ta bëjë të vetën…”. E në raste të tjera u mbushnin recetat me barna, pa marrë parasysh se ata nuk mund t’i pinin pasi të gjithë vuajnë nga sëmundje të tjera kronike e u shkaktonin komlpikacione, pa përmendur këtu pamundësinë për t’i blerë ato ilaçe, sepse shumica janë pa rimbursim. Kryesia e Komitetit Kombëtar e Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar konstaton se ky neglizhim, nënvleftësim e indiferentizëm u vërejt që në fillim, që kur u dha porosia që të gjithë të moshuarit e veteranët të bënin vaksinat që të mos prekeshin nga gripi. Si është e mundur që ambulancat e lagjeve e mjekët e familjeve të mos i lajmëronin Veteranët që të bënin vaksinimin para-gripal? Disa mund të thonë se, ne e varëm lajmërimin, le ta lexonin veteranët dhe le të vinin… Ky është një tjetër justifikim që tregon për neglizhencë e mospërfillje. Qeveria kishte marrë masa dhe kishte siguruar vaksinat për të moshuarit e në radhë të parë për veteranët e LANÇ, që t’i bënin paraprakisht e të mos prekeshin nga gripi. Por ata nuk u lajmëruan. Kësaj i thonë: “I zoti e shet, tellalli s’e jep!” Ca zëra në shtyp thonë, se disa punonjës shëndetësie i përdorën këto vaksina për njerëzit e tyre të afërm! (Ka zëra se kështu veprohet edhe për vaksinat kundër Fruthit për fëmijët).Ambulancat e lagjeve e mjekët e familjeve, me sa duket e kanë marrë shumë lehtë këtë gjë. Mjekët e familjes nuk u dukën kurkund? Po përse janë mjekët e familjes, nëse nuk janë për të përballuar raste të tilla? Të moshuarit nuk mund t’i marrësh në krahë siç merren fëmijët e të çohen për vizita te urgjenca apo te qendrat shëndetësore. Mos vallë mjekët e familjes janë vetëm për të mbushur kartelat e recetat në data e caktuara të barnave që u japin mjekët specialistë për sëmundjet që kanë? Mjekët e familjeve duhet të ishin ndodhur pranë të sëmurëve veteranë në familje e jo t’i linin në mëshirë të sëmundjes. E nëpër lagje tashmë nuk ka shumë veteranë. Ata sot numërohen me gishta, sepse mosha, sëmundjet e natyra kanë bërë të vetën. Veteranët janë qytetarët më të nderuar të shoqërisë që kanë sakrifikuar për dekada të tëra për këtë vend, që kanë paguar siguracionet shëndetësore, kanë qenë e janë përherë shembullorë në të gjitha detyrimet ndaj shtetit e shoqërisë sipas ligjit. Mirë që janë të diskriminuar në trajtimin financiar, por përse të trajtohen kështu edhe për shëndetin? Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, duke shprehur pakënaqësinë e vet për shërbimin shëndetësor ndaj veteranëve të Luftës dhe jo vetëm në këtë periudhë gripale, kërkon përmirësimin rrënjësor të shërbimit ndaj tyre. Ajo i bën thirrje Qeverisë, Parlamentit dhe Presidentit të Republikës që të ushtrojnë autoritetin e tyre institucional ligjor. Veteranët e Luftës, as kanë kërkuar e as nuk kërkojnë lëmoshë, mëshirë e aq më tepër privilegje, por kërkojnë vetëm të rritet kujdesi i institucioneve shëndetësore, shërbimi të jetë bashkëkohor e sipas ligjit, për ta dhe për gjithë popullin.