Kujdes me të shkruarin e shkronjës shqipe

988
Nga Mustafa Faja

“Shkrimi i bukur i nxënësit duhet t’i bëhet kulturë për gjithë jetën, por ama nga vetë mësuesi më parë” 
Androkli Kostallari
Detyrë imediate që i del Ministrisë së Arsimit, DAR-eve dhe Drejtorive të shkollave, mos t’i vënë mend politikës, por të merren me fëmijët e popullit në shkollë, veçanërisht me ata të ciklit të ulët
Im atë, dikur mësues, në pension me thoshte: – Or çun, mësoi mirë fëmijët e popullit, që të shkruajnë bukur. Kam lexuar dikur, kur isha mësues i ri, por nuk e di se ku: “Djali i bukur apo vajzë e bukur është ai a ajo që shkruan bukur.” Më duket, me sa mbaj mend, janë fjalë të dijetarit Herbart, një thënie të tillë në vitin 1983 e kam pas të shkruar me bukë peshku mbi dërrasën e zezë të klasës ku jepja mësim. Dhe kjo është më se e vërtetë. Pas një jave, disa prindër të nxënësve të mi në shkollën e fshatit Shtrazë, ish-nxënës të tim ati, më thanë: – O shoku mësues, ishalla na i mëson fëmijët tanë të shkruajnë bukur, siç na ka mësuar ne yt atë dikur.” Unë qesha. Sigurisht m’u bë qejfi. Dhe iu thashë: – Patjetër. Edhe pse baza e shkrimit është klasa e parë, unë do të vazhdoja punën me detyrën kryesore, jo vetëm për të mësuar, por edhe për mësimin e bukurshkrimit. Sidomos për sa i përket kaligrafisë.

Pak histori mbi legjendën e historisë së shkrimit
“Shkrimi” si fjala vjen nga latinishtja, “scriptum”. Pra, shkrimi është një art i veçantë për ta nxjerrë fjalën sa më të bukur. “Hieroglifi”, patjetër është fjalë që vjen nga greqishtja, “hieros”, që në shqip do të thotë, i shenjtë. Shkrimi ka legjendat e veta sipas shteteve të ndryshme, ku bëjnë pjesë: Shkrimi ideografik, të cilin e zbatuan kinezët, meksikanët, egjiptianët e deri në Amerikë. Çdo shkronjë kishte emërtimin e vet dhe të njëjtë në alfabetet e ndryshme të secilit shtet. Përveç shkrimit ideografik kemi dhe shkrimin glagogolitik, cirilik, duke filluar që nga sankritët, te indianët, rusët etj. Duke i lexuar si kuriozitete, këto që njohuri po shkruaj do të vazhdoj shkrimin. Shkrimi për herë të parë është parë para 3600 – 3500 vjetësh p.e.s nga banorët e qytetërimit Sumer. Me bojën e prodhuar në Mesopotami 2500 vjet p.e.s dhe me bukurinë e vet ky shkrim u shkrua në letrën e prodhuar në Kinë në vitet 100 të e.s. Fillimisht u shkrua me shkopinj, me pupël, me penë, deri te stilografi, që u prodhua në vitin 1984 apo dhe sot me stilolapsa të formave të ndryshme. E shkrimet ishin të drejtpërdrejtë, të pjerrët, të hollë sipër e trashë poshtë. Megjithëse flitet që fjala “shkrim” vjen nga latinishtja, “scriptum”, kur dëgjonim më parë që ai flet me gjuhë perëndie, kuptohet që çdo gjuhë kishte dhe shkrimin e saj. Do s’do duhet të dimë që hieroglifi është fjalë e futur si e përbërë nga greqishtja, siç thamë më sipër “hieros”, që në shqip përkthehet, skalit ose gdhend. Shkoni dhe shihni se sa bukur e gdhend skulptori shkronjën te guri i varrit apo te pllaka përkujtimore. “Dhe shpikja e shkrimit fillon me Kadmin, që futi 16 shkronjat e para në alfabetin fenikas, si hero i lashtë i Tebës.” Shkruante dikur Plini. E kështu më vonë do të dalin te shkrimi etrusk, latin etj. Por duhet të kemi parasysh dhe historinë e shkrimit të hieroglifit me grafikën që ka. Këto të dhëna i mësojmë edhe nga gramatika historike, ku na jepet, jo vetëm historia gjuhësore, por dhe historia e kaligrafisë së shkrimit të bukur. Prandaj, çdo mësues t’i mësojë nxënësit me shkronjën e bukur. Kur shikoja në moshë të re se sa bukur shkruanin xhaxhallarët e mi, habitesha. Unë, edhe pse ruaj në arkivin e bibliotekës sime shkrimet kaligrafike të babait tim apo të nxënësve të tij nga zona e Zerqanit, Bulqizës a Derjanit të Matit, habitem dhe i them vetes: “U lumtë! Sa bukur e paskan ngulitur bukurinë e shkrimit.” E të shkon mendja te Aristoteli, ish-mësuesi iAleksandrit të Madh që thoshte: “Shpirti i njerëzve përcaktohet sipas kaligrafisë së tyre.” Ose dhe te Gëte që thoshte dikur: “Kaligrafia përcakton edhe shumë anë të karakterit të njeriut.” Po të futeni nëpër klasa, çfarë do të shihni? Këtu do të shihni mësues jo të matematikës, biologjisë a fizkulturës që e plotësojnë regjistrin plot gabime e me shkurtime apo dhe ditarin gjysma-gjysma. Nejse. Këtyre u falet. Por, shihni dhe ditarin e mësuesit të ciklit të ulët, sidomos të klasave të para, regjistrin e tyre. Shkrim, tepër, tepër i dobët. Dhe themi për nxënësit kur i shohim të ulur pranë bankës së tyre a tavolinës: “Asnjë shkronjë nuk mbështetet te viza e rreshtit të faqes.” Ose është mbi vizë, ose poshtë vizës, ose si është një shkronjë nuk është tjetra (e shkurtër, e gjatë, mesatare, e drejtë, e shtrembër). Habitem. Them që të shkruarit e shkronjave sipas kaligrafisë nga mësuesi nuk është duhet të jetë në dëshirën e tij, por sipas metodikës analitike e sintetike e shkrimit. Dhe kjo nuk do të çonte në atë lirinë kot më kot në të shkruar. “forma kaligrafike e shkronjës në të shkruar ekzakt sipas normës, sipas hakut të shkronjës siç thamë dhe më sipër, nuk është diktat, por estetikë e bukuri.”– thoshte dikur Dymasi i Madh (i Riu).Prandaj, duhet të jetë mësuesi a mësuesja për të dhënë shembullin e tij në të shkruar përpara nxënësve. Prandaj, do t’ju them:

– Ju lutem vendosni orën e bukurshkrimit në orarin mësimor, sepse është domosdoshmëri për nxënësin! 
Mungesa e kësaj ore mësimore në ciklin e ulët e ka çuar edhe mësuesin, edhe nxënësin të shkrimi i dobët. Kuptohet që është nënvlerësim i Ministrisë së Arsimit prej vitesh për shkrimin e bukur në ciklin e ulët. Ose mungon kontrolli edhe nga DAR-et e rretheve, ose mungojnë mësuesit e specializuar për këtë drejtim në ciklin e ulët. Kështu pra, del që shkronjës, fjalës, fjalisë, të diktuarit mos ti angazhojmë nënvlerësimin, shkurtimin, por kujdesin në të shkruar. Kur i thonë: – Shkrimin e bukur ta mëson mësuesi i klasës së parë deri në edukimin e bukurisë së shkronjës e cila shkon deri në mbarimin e ciklit të ulët. Mos të harrojmë që shkrimi ka metodikën e vet. Po vazhdohet jo mirë. Që nga viti 1991 e deri më sot kontrolli nëpër shkolla, si nga Ministria e Arsimit, ashtu edhe nga DAR-et e rretheve ka rënie të theksuar. Pse kështu? – lind pyetja. Sa gabim! I lihet kopshteve të mësojnë shkronjat që kur të vijë fëmija si nxënës në klasën e parë të mësojë të shkruajë brenda 2-3 muajve fjalën a fjalinë. Ç’po bëhet kështu? Përgjigja ime si ish-mësues metodist do ishte: Jo më kështu! Kujt i shërben shkrimi i keq i fjalës së gjuhës shqipe, pa kaligrafi? 

Në shkollat e grupuara të fshatrave kodrinore të Shijakut, gjatë viteve 1972-1983, si metodist futem në një klasë. Gjatë orës së mësimit mësuesi i tërhoqi veshin një nxënësi të klasës së dytë duke i thënë: “Ke shkruar shumë keq. Mos puno më kështu. Duhet ta përmirësosh shkrimin.” Nxënësi i vogël ia priti me lot në sy: “O mësues, edhe ti shkruan keq te dërrasa e zezë.” Kur mbaroi ora e mësimit i hodha dorën në shpine mësuesit dhe miqësisht i thashë: “Më kujdes me nxënësit. Shkrimin e bukur fëmijës ia mëson dhe ia edukon mësuesi. Besoj s’është nevoja të bëj analizën e orës. Nxënësi sikur kishte të drejtë.” Del si konkluzion: – Mësuesi duhet të jetë shembull te dërrasa e zezë për sa i përket cilësisë së shkrimit. Jo shpejtësi. Kujdes në të shkruar. Dihet që cikli i ulët është baza e shkrimit të kujdesshëm për jetën e njeriut. Del që Ministria e Arsimit, DAR-et a Drejtori i shkollës mos t’i vënë mend politikës, por të merren me fëmijët e popullit në shkollë, veçanërisht ato të ciklit të ulët. Dhe për sa i përket shkollës të kryejnë detyrën e tyre me anën e kontrolleve të planifikuara. Nuk duhet të zgjatem më shumë. Dikur Prof. Androkli Kostallari pasi dolëm nga punimet e një Sesioni shkencor kushtuar fjalës së rrallë në fshatin Radë të Rrethit të Durrësit, para vitit 1991, më tha: “Shkrimi i bukur i nxënësit duhet t’i bëhet kulturë për gjithë jetën, por ama nga vetë mësuesi më parë.” Nuk po jap shembull se mos preket ndonjë drejtues shkolle: – Shihni thëniet nëpër muret e korridoreve të shkollave apo dhe jashtë saj, apo dhe brenda klasave, me shumë gabime ortografike (pa presje, apo pa tre pikat në vazhdimësi…). Ndoshta do t’i ketë shkruar gabim piktori?! Një ditë ime mbesë më tha: “O gjysh, ç’do të thotë ajo fjala në korridorin e shkollës sonë, EXIT?” Unë qesha dhe i shpjegova: “Ke të drejtë.” Dhe mendova se ç’bëhet kështu? I thashë: “Ajo fjalë është e huaj, por do të thotë, dalje.” Më pas vazhdoi: “Po mirë o gjysh, pse nuk e kanë shkruar ashtu siç thua ti? Po ti o gjysh më thua mua se gjuha më e bukur në botë është gjuha shqipe?” vazhdoi vajza. “Po-i them unë -Është më e bukura në botë. Këtë gjuhë e ka gdhendur vetë Perëndia në trurin e shqiptarit të vërtetë.” Prandaj, o shkollë e e shekullit XXI, kujdes me shkrimin e shkronjës shqipe! Jemi shqiptarë. Kongreset 1908 dhe 1972 i kanë fiksuar.
Sigal