Kuçovë, si u ndërtuan tunelet gjigande për strehimin e avionëve

2454
Sigal

AVIACIONI/ Flet për “Telegraf”, ish-ushtaraku i repartit të xhenios, Servet Ilija: Për siguri, provat bëheshin me silurë

Nuk është nostalgji të shkruash apo të flasësh për avionët dhe aerodromin më të madh në shkallë vendi, sepse të kujtosh Kuçovën dhe atë që ajo përfaqëson është krenari e madhe. Aerodromi i Kuçovës ka qenë i lakmuar edhe nga ushtria italiane, e cila në vitet e pushtimit arriti të ndërtonte një aerodrom me përmasa të vogla në fushën e Perondisë, vetëm 2 kilometër larg qytetit të Urës-Vajgurore dhe 5 kilometër larg qytetit të Kuçovës. Pas çlirimit të vendit nga nazifashistët shteti i parë shqiptar mendoi që të ndërtonte aerodromin, po aty ku ishte… dhe rreth viteve 1952 filluan punimet. Pas tre vjetësh punë intensive aerodromi përfundoi dhe ishte i gatshëm për të pritur avionët. Në vitin 1955 në këtë aerodrom mbërritën avionët e parë të markës ruse Mig 15, të cilët ishin ndër të parë që u ngritën nga ky aerodrom. Më pas vijuan ardhjet e markave të tjerë të avionëve, ata të Mig 17 dhe gradualisht nevojat për të ruajtur hapësirat e Shqipërisë u rritën dhe për këtë arsye u desh një tjetër markë avionësh, Mig 19, i markës kineze. Kështu që Aerodromi Ushtarak i Kuçovës pothuajse u kompletua. Për t’i shërbyer nga ana teknike u ndërtua Uzina e Riparimit të Avionëve në vitin 1968, ku për shërbimin e këtyre avionëve u dërguan specialistët për t’u specializuar jashtë vendit. Sipas statistikave Aerodromi u bë strehë e rreth 180 avionëve të tre markave të ndryshme. Por lindi nevoja që këta avionë të strehoheshin për t’u ruajtur nga sulmet e mundshme nga jashtë vendit dhe për këtë arsye, menjëherë, u dhanë orientimet për ndërtimin e tuneleve në malin e fshatit Perondi në fund të pistës.

Ndërtimi i tuneleve, flet ish-ushtaraku

Për ndërtimin e tuneleve me përmasa gjigande qeveria e asaj kohe ndërtoi në periferi të Aerodromit Repartin e Xhenios, i cili mori përsipër ndërtimin e këtyre tuneleve. Në këtë repart u vendosën specialistë xhenierë ushtarakë, të cilët kishin studiuar jashtë vendit, pikërisht për këtë punë. Ish-ushtaraku i këtij reparti, Servet Ilija, tregon: “Kur morëm detyrën, e cila ishte shumë e rëndësishme, për të ndërtuar tunelet për strehimin e avionëve, ne si repart na u ngarkua një përgjegjësi e madhe. Na u besua një projekt shumë i rëndësishëm. Fillimisht u njohëm me projektin dhe më pas e zbatuam atë. Një grup specialistësh xhenierë morën detyrat dhe filluan drejtimin e punimeve. Punimet filluan rreth viteve 1967 dhe në vazhdim. Tunelet kishin projekt të detajuar, ku kishte koordinime të përbërjes së materialeve teknike të ndërtimit. Punimet fillimisht nisën me ritme të shpejta dhe kishte përgjegjësi të madhe. Tunelet do të ndërtoheshin në atë mënyrë që t’u rezistonin bombardimeve të avionëve të huaj, në mënyrë që të mos shkatërroheshin. Është kryer një punë kolosale, e cila dhe vetë ne, na ka befasuar, kur kemi përfunduar projektin. Tunele janë bërë me mure betoni gjigand, me një gjatësi rreth 100 metra dhe më gjerësi 20 metra, me dhoma ajrimi, me dhoma të ndryshme që shërbenin për të kryer riparime edhe brenda tunelit. Tunelet ishin planifikuar në projekt që të rrotullohej avioni brenda. Tunelet ishin ndërtuar në vende të përshtatshme që në raste luftimesh të dilnin nga tuneli dhe të kryenin ngritje të menjëhershme në drejtim të Italisë. Tunelet janë të ndërtuar midis dy gryka malesh, që jepte mundësinë të ruhej shumë mirë nga kundra ajrori. Madje, është për t’u theksuar se vendi, ku janë ndërtuar tunelet avionët e huajë nuk kanë mundësin për bombardime, pasi grykat e maleve ruheshin me kundra ajrorë, por nuk ishte e përshtatshme për bombardime. Në tunele punohej me tre turne me ushtarë apo rezervistët zboristë. Në këto tunele janë strehuar rreth 180 avionë dhe pajisje të ndryshme. Një mrekulli e madhe ishte dhe portat e tuneleve, të cilat ishin parashikuar që kur të bombardoheshin nga avionët të mos shkatërroheshin”, tha ish-ushtaraku, Servet Ilija.

Provat me silurë

Sipas disa specialistëve mësohet se portat e tuneleve para se të montoheshin janë provuar duke i gjuajtur me silurë dhe ato kanë rezistuar. Pas kësaj prove është dhënë urdhri nga qeveria që të vendoseshin në tunele, pasi ishte një prove e forta ajo që u bë. Për sigurinë e partisë pasi ajo përbëhej nga metale shumë cilësore. Këta tunele që u ndërtuan për strehimin e avionëve ishin më të mëdhenjtë jo vetëm në Ballkan, u shprehën specialistët. Tunele të tilla u ndërtuan dhe në Gjadër të Lezhës, ku shërbyen për strehimin e avionëve cilësor “Mig 21”.

Ja si u shkatërruan 180 avionët e Aerodromit të Kuçovës

Rënien e parë Aviacioni i Kuçovës e ka marrë në vitet e trazirave 1997, ku e ka dhe zanafillën heshtja. Por dhe pas ndryshimit të sistemeve, aviacioni po shikohej me një sy tjetër nga qeveritarët pasi politikat e ndërveprimit kishin filluar të shkatërronin emrin e këtij gjigandi. Degradimi i aviacionit ka vijuar më pas gradualisht duke shkurtuar fondet, specialistët e Uzinës së Riparimit të Avionëve. Me futjen e ushtrisë shqiptare në NATO të gjithë këta avionë filluan të dilnin jashtë funksionit, Uzina e Riparimit  u shkatërrua, u vodhën makineritë, pajisjet dhe deri tek pjesët e avionëve që ndodheshin nëpër magazina apo tunele. Tashmë rreth 180 avionët janë hedhur në terren dhe nuk dihet se ç’po bëhet me ta. Burime të ndryshme bëjnë të ditur se, po bëhet një tender për t’u shitur për skrap, por heshtja vazhdon. Ka vite që në këtë aerodrom nuk është dëgjuar zhurma e reaktivëve, por vetëm zhurma sporadike e helikopterëve të NATO-s, që vijnë për të bërë stërvitje një apo dy- ditore dhe më pas largohen. Në këtë qytet dikur, fëmija rritej me zhurmën e tyre dhe erën e gazit. Sipas burimeve brenda komandës, mësohet se, Aerodromi është rehabilituar nga fondet që ka dhënë NATO, në parametra bashkëkohore, por nuk dihet se çfarë planesh janë. Kjo është panoramë e një Aerodromi që dikur kishte një emër të madh.