Kuçovë/Partitë politike, në garë për të fituar bastionin e majtë

513
Sigal

Kuçova ndryshe quhet dhe bastioni socialist dhe që nga fillimet e demokracisë e deri më sot të gjitha forcat politike janë vënë në garë e përpiqen që ta fitojnë atë. Partia socialiste që e ka dhe ‘folenë e saj’ këtë qytet prej 23 vjetësh në këto zgjedhje po ndihet e rrezikuar nga dy forcat e tjera politike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike. Të treja këto forca politike i kanë shpallur garë njëra-tjetrës për të fituar këtë qytet, i cili ka 23 vjet që voton vetëm për Partinë Socialiste. Lidhur me këtë fakt, Përparim Sula, anëtar i asamblesë i PS ka thënë: “Qyteti i naftëtarëve ka qenë dhe mbeten një besnik i vërtet i Partisë Socialiste. Ne socialistët kemi një ideal dhe këtë ideal nuk e shkelim, por në situata të vështira ne e forcojmë më shumë atë. Dihet se Kuçova këtë fushatë po lakmohet shumë edhe nga Partia Demokratike, pasi kjo e fundit shkon me idenë se ka fituar dy komunat në zgjedhjet vendore dhe pretendon të fitojë më shumë tani, por kjo s’ka për të ndodhur”,- tha Sula. Kryetari i organizatës më të madhe në qytetin e Kuçovës, Landi Kllapi njëkohësisht dhe anëtari i Asamblesë me profesionin mësues është shprehur për gazetën: “Fitorja e thellë e Partisë Socialiste në këtë qytet nuk diskutohet. Lakmia e madhe e dy forcave politike nuk do të gjejnë fole tek ne. Ne jemi aq të organizuar për një fitore të madhe të Partisë Socialiste jo vetëm në Kuçovë, por në shkallë qarku dhe më gjerë. Kjo fitore është e llogaritur mirë nga ana jonë, por dhe programi i Partisë Socialiste, ka ndikuar shumë në këtë qytet, ashtu si në gjithë vendin. Kuçova duroi tetë vjet në mjerime që ja krijoi qeveria dhe jo të mos durojë edhe 30 ditë që kanë mbetur”, -tha Kllapi. Ndërsa Ermonela Felaj, kandidate për deputete e Kuçovës është shprehur për gazetën, se socialistët e Kuçovës e dinë vetë se kujt do ta japin votën në 23 Qershor. Deputetja Felaj këto ditë ka zhvilluar dhe takime me intelektualët e qytetit dhe të dy komunave Perondi dhe Kozare, ku ka gjetur një mbështetje krejt ndryshe nga ato të zgjedhjeve të pushtetit vendor, ku dy komunat votuan të djathtët. Banorët i janë shprehur deputetes se ne nuk do ta përsërisim më atë gabim që bënë në zgjedhjet vendore.