Kuçovë, Pallati i Kulturës prej 20 vjetësh nuk jep asnjë shfaqje

892
Sigal

ZHDUKET TRADITA/ Këngëtari Sotiraq Diamanti: “Talentet këtu burojnë si puset e naftës, por mungon organizimi i drejtuesve”

Edhe pse Bashkia e qytetit të Kuçovës në organikën e saj ka një drejtori kulture dhe mbi të gjitha qyteti ka një Pallat Kulture prej vitesh qytetarët nuk kanë shijuar asnjë lloj aktiviteti kulturor. Banorët shprehen se, në këtë mënyrë po humbet tradita e një qyteti, pasi vite më parë njihej si një nga qytetet me vlera kulturore në lidhje me aktivitetet kulturore që zhvilloheshin për argëtimin e qytetarëve. Kuçova dihet që është një zonë “xhep” dhe jeta aty nuk është njëlloj si në qytetet e tjera të vendit. Madje, varfëria që ka pllakosur këtë qytet është teje e rëndë për jetën e tyre. Por duke patur një aktivitet kulturor për argëtimin e këtyre njerëzve, që një jetë të tërë kanë kaluar nëpër puset e naftës, do t’ua lehtësonte sado pak jetën duke u argëtuar.

Artistët

Kuçova dihet që ka patur shumë këngëtarë të njohur, jo vetëm në Kuçovë, por në shkallë vendi, të cilët kanë marrë dhe medalje. Por këtu është për t’u përmendur dhe regjisori dhe muzikanti i njohur, Nito Lala, i cili ka në repertorin e tij 400 këngë të kënduara nga këngëtarët e ndryshëm. Ndërsa këngëtari i njohur për kuçovarët, Sotiraq Diamanti, u shpreh për gazetën “Telegraf” se, këtij qyteti i mungon shumë jeta artistike. “Na ka marrë malli që të japim një koncert për qytetarët tanë, të cilët prej vitesh kanë shijuar këngët dhe estradën e qytetit. Tashmë ka rreth 20 vjet që Pallati Kulturës që është ndërtuar nga shoqëria AIPA, për naftëtarët, nuk po shijon më këngët e naftëtarëve. Qytetit nuk i mungojnë talentet. Talentet në qytetin tonë burojnë si puset e naftës, por mungon organizimi, i cili nga neglizhenca e drejtuesve ka mbetur në hije prej vitesh dhe ende vazhdon të mbetet, pasi interesimi ‘ka vdekur’ në këtë qytet”, tha Diamanti.

Qytetarët

Edhe në Kuçovë ka jetë dhe këtë jetë kuçovarët kërkojnë ta jetojnë si gjithë qytetet e tjera. Këtë jetesë mesa duket ua ka mohuar neglizhenca e drejtuesve, të cilët kanë 20 vjet që nuk janë organizuar për të dhënë një koncert për qytetarët. “Drejtuesit e pushtetit lokal justifikohen, kur japin ndonjë koncert në muajt gusht (në shesh) për emigrantët dhe këtu e mbyllin çdo gjë”, u shprehën disa qytetarë artdashës. Mungesa e aktiviteteve kulturore ka bërë që shumë të rinj në mungesë të argëtimeve t’i drejtohen alkoolit e drogës për t’u ngushëlluar. Kuçova ka patur Pallatin e Kulturës, ku çdo mbrëmje zhvilloheshin aktivitete kulturorë nga Ansambli i Kuçovës. Kishte salla çlodhjeje, salla pingpongu dhe shahu. Aktiviteti i shahut ishte më popullori në këtë qytet, i cili ka nxjerrë shahistë me emër, siç ishte Llambi Qëndro, i cili ka përfaqësuar ngjyrat shqiptarë në kampionatet  e zhvilluara në shkallë vendi dhe ato evropiane. Sot ky Pallat Kulture i katandisur në pikë të hallit ka mbetur në heshtje pasi i mungojnë zërat e këngëtarëve.