Kuçovë, nuk dihet fati i 450 ndërtimeve pa leje në zonën naftëmbajtëse

789
Sigal

Lëvizja masive e njerëzve pas viteve 1991 rriti numrin e ndërtimeve pa leje, por problematika më e madhe sot për sot në Kuçovë, nuk është kjo, sepse pothuajse të gjitha ndërtesat pa leje janë, por janë ndërtimet që janë bërë në zonën naftëmbajtëse ( e në Berat në zonat muzeale). Kështu si në të gjitha rrethet edhe në Kuçovë familjet e ardhura nga zonat rurale zaptuan pronat publike, e kryesisht ato naftëmbajtëse. Më shumë këto ndërtime janë bërë në zonat e Kozares, Polovinës, Postbllokut, Arrzës etj., ku këto familje gjetën sipërfaqe të lira toke dhe menjëherë ndërtuan banesat e tyre, jashtë të gjitha parametrave dhe hapësirave ligjore. Por, në shtrirjen e tyre të gjerë nuk kanë munguar dhe politika e atyre viteve, ku për të marrë votat i ‘la krahë të lirë’, kësaj armate të madhe që braktisën vendlindjen dhe zaptuan sipërfaqet të tëra të naftës, zonave muzeale në Berat, si dhe kurorat me pisha. Sot në zonën naftëmbajtëse janë rreth 450 ndërtime pa leje, të cilat një pjesë e tyre janë vënë në proces legalizimi, ndërsa një pjesë tjetër janë të bllokuara, por ajo që është më e keqa lidhet me faktin se një pjesë tjetër janë duke u ndërtuar.

Rreziku

Banesat e ndërtuar në zonën e naftës ka bërë që dhe jeta e banorëve të rrezikohet, si nga shpërthimet e puseve të gazit, ashtu edhe nga era e rëndë e gazit, i cili çlirohet në ajër. Specialistë e naftës shprehen për gazetën “Telegraf” se, këto ndërtime kanë bllokuar dhe shfrytëzimin e një numri të madh pusesh. Më të rrezikuar janë fëmijët e moshave të ndryshme, gratë shtatzëna si dhe të moshuarit. Sipas statistikave pranë Bashkisë Kuçovë mësohet se, janë rreth 450 ndërtime në këtë zonë, e nga ana tjetër bashkia është duke verifikuar të gjitha ato ndërtime të tjera që janë duke u ndërtuar.

Specialistë

Specialisti i naftës, Selman Duro, u shpreh se, në këto zona nuk ka një plan urbanistik, ato janë ndërtuar jashtë të gjitha kushteve teknike, higjieno – sanitare, ku ujërat e zeza të këtyre banesave lëvizin në sipërfaqe. Në stinën e verës në këtë zonë ka rrezik të shpërthejë epidemia. Nuk dihet se kjo zonë do të mbetet zonë urbane apo do të mbetet zonë nafte. Një fenomen i tillë është dhe në Bashkinë e Beratit, ku në zonat tampon dhe ato muzeale, janë ndërtuar ndërtime pa leje. Nuk dihet se kur do të filloi nga ana e bashkisë shkatërrimi i tyre, por disa ditë më parë kreu i bashkisë, u shpreh se shumë shpejtë do të fillojnë punën fadromat. Ka kaluar goxha koha nga prononcimi i kreut të bashkisë, por nuk është parë asnjë aksion për prishjen e tyre? Një masakër e vërtet e ndërtimeve pa një plan urbanistik janë bërë edhe nëpër komuna, ku ndërtimet janë bërë jashtë të gjitha kritereve, pa një planë vendosje.