Kuçovë, naftëtarët së shpejti me statusin e tyre

897
Sigal

Kandidatja për deputete e PS-së, Ermonela Felaj: “Bëni gati dokumentacionin përkatës për ta paraqitur në qeverinë e re!”

Së shpejti naftëtarët do të kenë statusin e tyre të shumëpritur. Këtë lajme e ka bërë të ditur për gazetën “Telegraf”, kandidatja për deputetja e PS në Qarkun e Beratit, Ermonela Felaj dhe Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Bardhyl Gjyzeli. Së bashku në një takim me specialistët e naftës dhe inxhinierë kanë kërkuar që këta të fundit të formulojnë dokumentacionet përkatëse. Premtimet e fushatave elektorale, kanë qetësuar shpirtrat e naftëtarëve, pasi prej vitesh kanë ëndërruar një privilegj, që ju takon. Burime nga grupi specialist bëjnë të ditur, se tashmë po përgatiten dokumentacionet përkatëse nga Bashkia dhe deputetja e zonës për t’ja përcjellë më pas Parlamentit dhe qeverisë së re që do të krijohet pas zgjedhjeve. Burimet nga bashkia bëjnë të ditur se grupi inxhinierëve dhe specialistë të sferave juridike, po përgatisin dokumentacionet përkatëse. Ky propozim i dhënies së statusit të naftëtarëve është premtuar dhe nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në takim me naftëtarët e Kuçovës. Rama u ka kërkuar drejtueseve të pushtetit lokal dhe specialistëve të naftës, që të përpilojnë dokumentacionet përkatëse, që qeveria socialiste t’i aprovojë këtë status, që iu ka munguar një jetë të tërë naftëtarëve, të cilët për vite me radhë kanë derdhur gjakun dhe djersën për të nxjerrë naftë nga shtresat nëntokësore. Ky lajm në qytetin e naftëtarëve është pritur me entuziazëm të madh, pasi kanë një jetë të tërë që e kërkojnë statusin, por nuk ua jepte njëri. Një pjesë e naftëtarëve ka ndërruar jetë, një pjesë tjetër janë në një moshë të madhe, ndërsa një pjesë tjetër e tyre presin të dalin në pension dhe të fitojnë statusin, të cilin jo të gjithë e gëzuan. Të gjitha këto mosha dhe ato që do t’i pasojnë do të kenë statusin e naftëtarit, që do të ketë favoret e veta.

Naftëtarët në pension

Një grup naftëtarësh në pension, shprehen kështu për gazetën: “Ne e kemi kërkuar vetëm në heshtje këtë të drejt tonën. Sindikatat që ne kishim nuk e kanë luajtur rolin e tyre ashtu siç duhej. Ato duhej të kishin bërë tentativat e tyre ashtu siç iu takonte me çdo qeveri, të majta apo të djathta. Sindikatat mjaftonin vetëm me shkresat që bënin dhe asgjë më shumë”. Naftëtarët shprehen se ky lajm është një sihariq i mirë për ta. Por sindikatat nuk e kanë kërkuar me forcë dhe nuk kanë qenë në ato nivele, që të detyronin qeveritë që të uleshin në tavolinën e bisedimeve dhe të jepnin statusin e naftëtarit, i cili ju mungon prej vitesh.

POLLO NË BERAT: “OPOZITA ME 2-3 KANDIDATË PËR KRYEMINISTRA, QESHARAKE”

Ministri i Inovacionit dhe TIK, Genc Pollo, njëkohësisht kryesuesi i listës së PD-së në Qarkun e Beratit, ka zhvilluar një takim elektoral në fshatin Dyshnik të Komunës Otllak në Berat. Gjatë fjalës së tij, ministri Pollo ka akuzuar Kryesocialistin Rama për mungesë serioziteti dhe kunstruktiviteti gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në opozitë, duke mos votuar asnjë projekt në dobi të publikut apo të ketë sjellë ndonjë propozim apo projekt nga ana e tij. Në fjalën e tij Pollo tha për kundërshtarin: “Nuk janë seriozë dhe nuk janë udhëheqës të qartë dhe të besueshëm, përderisa kanë 2-3 kryeministra në koalicionin e tyre. Dhe thonë do bëhet sipas Kushtetutës. Po a ka Kushtetutë në Botë që lejon 2-3 kryeministra njëherësh! Vetëm mendja e Edi Ramës mund ta pjellë këtë gjë dhe vetëm dobësia e Partisë Socialiste mund ta sajojë këtë shpjegim”. Gjatë fjalës së tij, ministri Pollo nuk ka lënë pa përmendur edhe votimet kundra të Partisë Socialiste me urdhër të Edi Ramës të projekteve infrastrukturore më të mëdha të vendit, si rruga e kombit, ajo Tiranë-Elbasan, duke u ndalur më tej tek Boshti i Jugut.