Kuçovë, kreu i Ujësjellësit, Nazmi Sula: “Së shpejti do heqim rrjetin e tubacioneve 40-vjeçarë”

535
Sigal

Një firmë gjermane do të investojë rreth 3.5 milionë euro në Ujësjellësin e rrethit të Kuçovës. Sipas projektit, do të zëvendësohet tubacioni i rrjetit të brendshëm, i cili është teje i amortizuar, sepse është vendosur që para 40 vjetësh. Ndërsa një pjesë e rrjetit të tubacionit është vendosur që në kohën e italianëve. Kjo shumë do të investohet në zëvendësimin e tubacionit, i cili për momentin rreth 70 për qind është çelik dhe pjesa tjetër është prej gize. I gjithë tubacioni do të zëvendësohet me tubacion plastik. Lajmin e bënë të ditur drejtori i Ujësjellësit, Nazmi Sula, i cili është shprehur për gazetën se, ky investim është një mrekulli për Ujësjellësin e rrethit të Kuçovës e më gjerë. “Ne trashëgojmë një rrjet të vjetërsuar dhe të amortizuar komplet. Zëvendësimi i tij me tubacione plastike do të ndikojë në rritjen e të ardhurave të ndërmarrjes dhe sigurisht më vonë do të rriten edhe investimet dhe në kohë të rregullohen edhe defektet që mund të ndodhin. Krahas vendosjes së tubacioneve kjo firmë do të montojë edhe matës elektronik, të cilët do të vihen në sistem, i cili do të kontrollojë të gjitha harxhimet e ujët të pijshëm që mund të shpërdorohet nga konsumatorët, si ata nëpër fshatra dhe në qytet”, -tha Sula. Ky lloj sistemi ka rezultate të larta, shprehen specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit, pasi çdo veprim është i kontrollueshëm në çdo kohë. Nëse një konsumator përdor ujin e pijshëm për vaditje ai menjëherë jep sinjalin në kompjuter dhe në drejtim të këtij veprimi do të shkojë grupi i specialistëve që është i gatshëm dhe do të kryejë veprimet ndëshkuese ndaj konsumatorëve. Ky lloj sistemi do të ndikojë shumë në rritjen e të ardhurave dhe njëkohësisht do të ndikojë në uljen e shpenzimeve të ndërmarrjes. Një investim tjetër më i madh do të bëhet në Ujësjellësin e Beratit, ku kjo firmë do të investojë 9.7 milionë euro për zëvendësimin e sistemit të rrjetit (tubacioneve) të qytetit dhe fshatrave të këtij qarku.