Kuçova e braktisur dhe shembulli i Bashkim Finos si deputet

588
Sigal

SHQETËSIM URBAN/ Banorët: Asnjë investim nga deputetët aktual. Sot jemi më keq se disa vite më parë 

Me ikjen e Bashkim Finos si deputet i rrethit të Kuçovës që para katër vjetësh, ikën edhe investimet në këtë qytet. Kuçova një emër i njohur për industrinë e naftës, industrinë mekanike dhe ushtarake, tashmë po “lëngon” të paktën për një investim minimal. Ka një kohë të gjatë që në Kuçovë nuk është shtruar asnjë pëllëmbë rrugë. Por e kundërta ka ndodhur kur ishte deputet i rrethit, Bashkim Fino. Në atë kohë pati mjaft investime në shëndetësi, ku u ndërtuan disa Qendra Shëndetësore. U investua në arsim dhe kulturë. Dhe çdo gjë u mbyll këtu, pasi banorët nuk kanë parë më asnjë projekt të zbatuar. Të gjitha investimet e bëra nuk kanë mbuluar dot pjesën e atyre që kanë nevojë për ndërhyrje.

Situata

Sipas banorëve, në Kuçovë ka katër vjet që nuk është shtruar asnjë metër rrugë. Të gjitha rrugët hyrëse të qytetit dhe një pjesë e tyre nëpër lagje janë tejet të shkatërruara, me gropa të mëdha dhe pa asfalt. Madje as rruga Urë-Vajgurore – Kuçovë nuk po mirëmbahet dhe ky fakt ka sjell edhe shkatërrimin e saj. Rrugët e lagjes pranë Uzinës Mekanike dhe rruga nga Lapidari deri në qendër, ku dhe ndodhet një pjesë e madhe e biznesit dhe lulishtja e qytetit bëhet e pakalueshme sidomos gjatë stinës së dimrit. Madje gjatë ditëve me shi rruga kryesore e qytetit mbushet me ujë. Me këto ujëra bashkohen edhe ujërat e zeza dhe së bashku vërshojnë në rrugë pasi kanalet janë të bllokuara dhe nuk kanë mundësi që të kryejnë shkarkimin e tyre. Por problemi tjetër është se me tharjen e ujërave në sipërfaqe mbeten vetëm ujërat e zeza, ku era e keqe bëhet e padurueshme dhe me kalimin e makinave ato shpërndahen nëpër dyqanet ushqimore që janë aty pranë. Banorët e këtij qyteti shprehen sesa ishte Fino deputet qyteti “vlonte” nga investimet dhe fondet që çonte ai, por me ikjen e tij si deputet në një rreth tjetër ikën edhe investimet e mëdha. Qytetarëve të Kuçovës tanimë po i vështirësohet jeta akoma më shumë nga infrastruktura e keqe, pasi ato rrugë të ndërtuara disa vjet më parë, tashmë kanë dhënë shenjën që po fillojnë të shkatërrohen. Kjo për shkak se nuk po mirëmbahen nga mungesa e fondeve. Banorët shprehen se Kuçova edhe një lulishte të vetme  që kishte, tani ka mbetur në pikë të hallit edhe pse ndërmarrja e gjelbërimit është në varësi të bashkisë dhe duhet të mirëmbajnë këtë pjesë të gjelbëruar. Banorët shprehen se sa po mbyllet viti 2012 dhe qyteti nuk ka as një investim edhe pse pushtetarët të dy krahëve kanë shprehur keqardhjen, kur ka ardhur momente për të investuar të gjithë kanë mbyllur gojën dhe janë larguar.

Fushata

Sa fillon fushata në këtë rreth duhet të mbyllësh veshët se të çahen nga daullet e kandidatëve për deputet, ku shprehin keqardhjen për mungesë të investimeve dhe sa të marrim mandatin do të bëjnë mrekullia. Ky ka qenë refreni i përhershëm në këtë qytet, i cili ka mbetur si zonë “xhep” dhe asnjë mundësi nuk ka për të dalë nga kjo zonë, e cila po ju merr jetën gradualisht këtyre familjeve që një jetë të tërë punuan në zonat e naftës dhe tashmë një pjesë e tyre janë të sëmurë, një pjesë janë me astmë dhe një pjesë iu janë bërë mushkëritë copë-copë, gjatë kohës që kanë punuar në minierat e naftës, të gazit apo kokësit në këtë qytet.