Ku kanë shkuar 100 milionë lekët e kuotizacioneve të policëve?

511
Sigal

Mosmarrëveshja midis Sindikatës dhe Drejtorisë së Policisë. Kush është ndërmjetësi i Veliajt?

Punonjësit e Policisë së Shtetit nuk e dinë se në çfarë destinacioni kanë shkuar kuotizacionet sindikaliste që u mbahen nga paga mujore e tyre, në masën prej 0,5 %, detyrim ky që rrjedh nga kontrata kolektive. Sipas llogarive, janë rreth 100 milionë lekë të vjetra të cilat mungojnë në llogarinë bankare të Sindikatës, që nga korriku i vitit 2014. Kjo datë shënon lëshimin e një Telegrami nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z. Artan Didi, sipas të cilit ndalohet derdhja e kuotizacionit të punonjësve të policisë në llogarinë bankare të sindikatës. Sipas juristëve, “Telegrami nuk është akt administrativ dhe nuk parashikohet si kompetencë në asnjë dispozitë ligjore”, duke shtuar se ky është shpërdorim i hapur i detyrës nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, z. Artan Didi. Nga ana tjetër, sipas kontratës kolektive të punës lidhur midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, më datë 03.04. 2009, në nenin 8 “Paga dhe shpërblime të tjera thuhet se: “Punëdhënësi (Drejtoria e Policisë së Shtetit) duhet të mbajë, në bazë të kërkesës me shkrim të sindikatës nënshkruese dhe deklarimit (sipas listës së anëtarësisë së nënshkruar nga çdo anëtar i sindikatës dhe nga kryetari i njësisë apo degës), kuotizacionin përkatës sipas statutit të Sindikatës, në vlerën e 0,5 % të pagës mujore të çdo anëtari, shumë e cila kalon në numrin e llogarisë bankare të sindikatës brenda 10 ditëve nga data e pagimit të saj”. “Telegrami” arbitrar i Didit shkon përkundër deklaratave me shkrim të anëtarëve që autorizojnë mbledhjen e kuotizacionit për llogari të sindikatës, duke sjellë në këtë mënyrë pasoja të rënda në mosfunksionimin e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, “Telegraf” mëson se pothuaj asnjë punonjës i Policisë së Shtetit nuk ka dorëzuar ndonjë kërkesë me shkrim pranë sindikatës për të mos qenë anëtar i saj dhe për rrjedhojë, të mos i mbahen kuotizacione. Ndërsa “Telegrami” i Didit (shpata e Demokleut) mbetet një presion i hapur ndaj gjithë punonjësve të policisë, të cilët nëse nuk i binden, mund edhe të ngelen të papunë. Ndërsa me këtë akt, Didi kërkon t’i lërë pa zë qindra mijëra punonjës të policisë, duke i dhënë vetes pushtetin për të liruar dhe për të ndëshkuar me masë disiplinore punonjësit e policisë në rast të moszbatimit të urdhrave të tij.

Këshilli Europian i Sindikatave, këto ditë në Tiranë

Artan Didi ngriu bashkëpunimin me Sindikatën, që me ardhjen e tij në Policinë e Shtetit në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm. Sindikata i prishte punë në llogaritë e tij, për lirimin e qindra punonjësve të policisë dhe zëvendësimin e tyre me militantë. Kulmi i tensionit në këto marrëdhënie, erdhi me urdhrin e tij për lirimin e ambienteve nga godina e Komisariatit nr. 1, Tiranë nga ana e Sindikatës me datë 26.06.2014. Në mbrojtje të të drejtave sindikale, ka reaguar dhe z. Grerard Greneron, Sekretari i Përgjithshëm i CESP (Këshilli Europian i Sindikatave të Policisë), i cili ka denoncuar: ndërprerjen e kuotizacionit: largimin e sindikatës nga ambientet e Komisariatit nr.1; mungesën e diskutimeve me sindikatën për largimin e punonjësve të policisë (rreth 400 vetave), gjoja për shkaqe strukturore; mungesën e Sindikatës në grupet e punës, kur draftohen akte ligjore në lidhje me punonjësit e policisë, etj.. CESP i është drejtuar me një letër Drejtorit të Policisë dhe Ministrit të Brendshëm, në mënyrë që të organizojë një takim me përfaqësues të Sindikatës dhe një delegacioni nga CESP. Meqë kërkesa për dialog u mohua nga autoritet përkatëse, pritet që shumë shpejt, CESP të organizojë një konferencë për shtyp në Tiranë

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve, kush është ndërmjetësi i Veliajt

Në nenin 14 të kontratës kolektive përcaktohet se si zgjidhen mosmarrëveshjet midis punëdhënësit (Drejtorisë së Policisë) e punëmarrësit (sindikatës) në kontratën kolektive. Kontrata e lidhur është pa afat dhe kur palët kanë mosmarrëveshje, ato zgjidhen nëpërmjet bisedimeve me ndërmjetësim, sipas nenit 188, paragrafi a, të Kodit të Punës, ku thuhet se: “Ndërmjetësi caktohet nga Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale ose organi administrativ i autorizuar prej tij brenda administratës publike të Ministrisë së Punës dhe të Çështjeve Sociale”. Kush është, në këtë rast, ndërmjetësi i caktuar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje?

Pjesë nga Kodi i Punës

Neni 188 – Përkufizim

Me konflikt kolektiv kuptohet çdo konflikt ndërmjet disa punëmarrësish, një ose disa organizata punëmarrësish, nga njëra anë, dhe një ose disa punëdhënësish ose një ose disa organizata punëdhënësish, nga ana tjetër.

Neni 188/a – Ndërmjetësi

Ndërmjetësi caktohet nga Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale ose organi administrativ i autorizuar prej tij brenda administratës publike të Ministrisë së Punës dhe të Çështjeve Sociale.

Neni 192 – Ndërmjetësi

1. Ndërmjetësi angazhohet për çdo konflikt kolektiv me kërkesën e çdo pale të interesuar te Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale ose tek Inspektorati Shtetëror i Punës.

2. Ndërmjetësi, kur angazhohet në një konflikt kolektiv, duhet të ndërhyjë pa vonesë për të ndihmuar palët për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim.

3. Procedura e ndërmjetësimit është e detyrueshme dhe zgjat deri në 10 ditë.

Ledjana Saliu