Ku janë punësuar më shumë shqiptarët, rekord mban…

338
Sektorët e tregtisë, hoteleve restoranteve, Call Center dhe agjencive imobilare panë rritjen më të madhe të punësimit gjatë periudhës 2010-2016.
Sipas të dhënave të INSTAT të përpunuara nga Monitor, të punësuarit e në sektorin e tregtisë u rriten me 63 për qind në fund të vitit 2016 në raport me 2010.
Në tregti në fund të vitit të kaluar ishin të punësuar 113, 965 persona nga rreth 70 mijë që ishin të punësuar më 2010. Rritja e madhe e punësimit në tregti u vu re në vitet 2012-2013, me mbi 8-9 mijë persona përkatësisht ne vit.
Më pas në vitin 2014 rritja ishte me ritme më të ulëta, për t’iu kthyer ritmeve të larta të punësimit në tregti në vitin 2015. Për shkak fazës së parë të aksionit antinformalitetit këtë vit u regjistruan zyrtarisht të punësuar në tregti rreth 20 mijë persona rishtas. Ndërsa në vitin 2016 zgjerimi i punësimit në këtë sektor ka qenë më i vakët me rreth 2114 persona të rinj të punësuar, shtesa më e ulët të paktën që nga viti 2010.
Por zgjerimin më të madh e kanë pasur grupi shërbime të tjera (Pasuritë e patundshme,aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, Shërbime administrative dhe mbështetëse, callcenter). Më 2016 punësimi në këto aktivitete është rritur me 219 për qind.
Përgjatë 6 viteve numri i të punësuarve arriti në 101,848 persona nga 31,968 të tillë në vitin 2010. Zgjerimi në këtë sektor është ndikuar nga shërbimet e CallCenter, të cilat kanë bërë një revolucion të vërtetë në punësim gjatë periudhës në fjalë.
Gjithashtu rritje të madhe të punësimit në raport më 2015, pati edhe sektori i hoteleve dhe restoranteve, me një rritje me mbi 90 për qind gjatëgjashtëvjeçarit të fundit.
Rritja me madhe ka ndodhur dy vitet e fundit për shkak të aksionit antinformalitet, i cili ka dhënë rezultate, pasi akomodimi dhe restorantet janë klasifikuar me nivel të lartë informaliteti. Këto linja punësuan në fund të 2016 mbi 52 mijë persona, nga 27 mijë të tilla në vitin 2010.
Punësimi është zgjeruar me ritme më të moderuara edhe në sektorët e ndërtimit dhe energjisë elektrike dhe gazit përkatësisht me 15 dhe 28 për qind. Por siç shihet nga të dhënat e grafikut të mëposhtëm edhe pse sektori i energjisë elektrike po tërheq vlera të mëdha të investimeve po punëson pak njerëz.
Gjatë vitit të kaluar sektori mori mbi 90 miliardë lekë investime, teksa punëson vetëm 20 mijë e 500 persona. Rritja e numri te të punësuarve që nga viti 2010 ka qenë modeste, me vetëm 4,400 persona, teksa investimet janë rritur me ritme më të shpejta.