Ku i çoi Anila Shehu 3 milion dollarë?

697
Sigal

Ankohen banorët e Qytetit Studenti: Pagesa e lartë nuk i justifikon kushtet mizerabël

Rritja e vit pas viti e pagesës vjetore, për të qenë banor i Qytetit Studenti, është zhgënjyese për studentët e universiteteve publike. Zhgënjyese, sepse shuma prej 450 mijë lekësh nuk i justifikon kushtet minimale me të cilat duhet të “ambientohen” banorët e qytezës intelektuale në kryeqytet. Nëse do të bëjmë një llogari të thjeshtë për rreth 7 mijë banorë-studentë, drejtoria e Qytetit Studenti ka vjelë më shumë se 3 milion dollarë për këtë vit akademik. Dihet që hoteleria (Qyteti Studenti hotel është), është një biznes fitimprurës, pasi nuk blihen pajisjet gjithmonë të reja, pra nuk investohet çdo vit për të blerë pajisje. Por, nëse këto lekë nuk shkojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët, atëherë ku i çoi Anila Shehu, drejtoresha e Qytetit Studenti 3 milion dollarë? Andi Ndreu, student në vitin e parë për Inxhinieri Elektrike, banor i godinës 22-23, thotë për “Telegraf” se “kushtet janë minimale, ndërsa çmimi është shumë i lartë për një student, që paguan 450 mijë lekë në një konvikt shteti, që i bie përkatësisht 51 mijë lekë në muaj. Po kaq të bie të paguash edhe në shtëpitë me qira, nëse i ndan me 2-3 shokë dhe je si në shtëpinë tënde. Jo të gjithë kanë mundësi të paguajnë një çmim të tillë, ndaj dhe i drejtohemi Qytetit Studenti”. Edhe pse në çmimin që paguajnë banorët e Qytetit Studenti përfshihet energjia elektrike falas, kohët e fundit, Anila Shehu ka dhënë urdhër për “sekuestrimin” e të gjithë rezistencave që gjenden nëpër dhoma. “Ky është një problem shumë i madh – të thonë vajzat -, pasi me uljen e temperaturave, rezistencat na duhen për ngrohje, por edhe për gatim, pasi është e vështirë ta përballosh jetesën jashtë”. Gjithashtu, shkurtimi i orareve të dusheve nga 9-19 që ka qenë në  12-19 është një tjetër problematikë që shqetëson vajzat, të cilat janë edhe më të dhëna pas higjienës vetjake. “Na shkurtohen oraret e dusheve, ndërkohë që na rrisin pagesën vjetore. Ky është kulmi! Pse në kurrizin tonë do kursejë kjo qeveri?” shprehet e irrituar Eglantina, banore në Qytetin Studenti. “Përsa i përket dhomave kanë lagështirë, nuk kanë ngrohje, uji është shumë i ftohtë, edhe dushet të ftohen shumë shpejt. Tualetet janë të vjetra, kushte jo të mira. Pagesa shumë e shtrenjtë. Çdo vit edhe shtohet më shumë. Vjet ishte 400 mijë lekë, sivjet 450, vitin tjetër do na vete 500 mesa duket, në progresion rritës”, shprehet Laura, studente e vitit të parë. Por, ndërsa bisedon me vajzat, kupton se për to, konvikti nuk është zgjedhja e duhur; por për shkak të prindërve që ndihen më të sigurt me vajzat në konvikt, apo afërsisë me shkollën, po mundohen ti “ambientohen” këtij vendi. Zgjedhja që duhet të bëjnë studentët për të jetuar në konviktet e Qytetit Studenti apo në shtëpi me qira, duket që nuk është shumë e vështirë. Por më e lehtë akoma është për studentët e “vjetër” të cilët janë regjur disi me jetën në konvikt, por gjithashtu i janë gëzuar edhe jetës shoqërore në një shtëpi me qira, me të gjitha kushtet e domosdoshme.

Konvikti

Në Qytetin Studenti ka 29 bujtina, konvikte. Në çdo dhomë akomodohen mesatarisht 3 apo katër studentë. Të pakët janë ata që zgjedhin të qëndrojnë edhe dy vetë në dhomë. Përgjithësisht kjo u “takon” më të vjetërve, apo atyre që e japin ndonjë bakshish nën dorë në fillim të çdo viti. Qiraja vjetore është 45.000 lekë të reja. Brenda këtij çmimi konvikti të ofron dhe përdorimin e energjisë elektrike. Por drejtoresha, Anila Shehu ka vendosur të “kursejë” duke sekuestruar rezistencat dhe duke shkurtuar orarin e dusheve. Sistemi i funksionimit të dusheve dhe tualeteve është kolektiv. Gjithashtu nëpër dhoma mungon ngrohja dhe një ambient gatimi, ndërsa të gjitha mjetet e domosdoshme studentët i sigurojnë vetë.

Shtëpia me qira

Mundësia tjetër e studentëve që vijnë për të studiuar në Tiranë është edhe ajo që ata të jetojnë në shtëpi me qira. Një pjesë e mirë e atyre që bëjnë këtë zgjedhje, e ndajnë qiranë e shtëpisë me një, apo dy miq ose mikesha. Kjo e bën më të përballueshëm çmimin e jetesës, që sigurisht është dhe më komode.

Paradoksi, familjarët paguajnë më pak se studentët

 Familjet që jetojnë në dy godinat e Qytetit Studenti duhet që të paguajnë një shumë të hollash për të jetuar në disa dhoma që vetëm sa i mbrojnë nga shiu. Atyre u bie të paguajnë 130 lekë në ditë, pra 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Ndërsa nëse familja ka dy dhoma dhe banjën më vete atyre u duhet të paguajnë 80 mijë lekë të vjetra në muaj. Por krahasuar me çmimin që paguan një student në godinat e tjera, kjo është një shumë relativisht e vogël. Një studenti i duhet të paguajë 51 mijë lekë të vjetra në muaj për dhomën e tij që i duhet ta ndaje edhe me të tjerë. Godinat e familjarëve në Qytetin Studenti, ashtu sikurse edhe 27 godinat e tjera, administrohen nga drejtoria e këtij qyteti.