Ku fshihet Erdogani?!

588
Pak kohë më parë, në qytetin e Korçës u zhvillua simpoziumi i pestë ndërkombëtar, i pagëzuar “Skulpturat e Parkut”, ku morën pjesë 4 skulptorë. Për herë të parë erdhi nga Turqia dhe një vajzë e re e quajtur Ayla Turan, e cila që në momentin e parë kur e vështroje të sillte ndërmend një prej poezive të Dritëro Agollit: 
Dikur kam njohur një Turkeshë, 
Nga vendi i largët, Adana, 
Me sy të zes e vetullzezë, 
Me flokët lyer me këna… 
Dhe vërtet, ajo tërhoqi vëmendjen e shumë banorëve të qytetit të Korçës. Pati edhe nga ata që u dashuruan me artin e saj. Dhe kjo gjë ndodh shpesh me njeriun kur ndodhet përpara një bukurie që nuk e ka njohur më parë, artin e saj. Përveç artistes turke, Ayla Turan, në qytetin e Korçës mbërritën edhe tre skulptorë të tjerë: Attila Rath Geber nga Hungaria, por me banim në Francë, Antonis Myrodias nga Greqia dhe Genti Tavanxhiu, shqiptaro Italian. Por gjithsesi, Ayla mbeti e veçanta dhe e paharrueshmja e këtij sezoni. Madje ndryshe nga 4 edicionet e mëparshme, simpoziumi i këtij viti, për shkak të kësaj vajze, pati diçka tepër të veçantë, aq sa ndoshta nuk e kishte menduar kush. Artistja nga Turqia, me një pamje të qeshur dhe me një humor të hollë, simpatike gjithashtu, mundi të gdhendte në gur një objekt të tillë, të çuditshëm, i cili, sipas saj, simbolizonte përgjithësisht politikanët tanë kudo që ata të ndodhen dhe në veçanti, Presidentin Erdogan të Turqisë!
Ç’u bë “Erdogani”?
Mirëpo fill pas largimit të të katër skulptorëve të përmendur më sipër, përfshi këtu edhe artisten nga Turqia, Ayla Turan, skulptura e “Erdoganit” nuk u pa më as në parqet dhe as në lulishtet, as në rrugët dhe as në sheshet e Korçës. Sigurisht që kërshëria ishte e madhe. Ku kishte humbur “Erdogani”? Pati nga ata që thanë, se dikush do ta kishte vjedhur, ashtu siç pati të tjerë që thanë, se do ta kishin fshehur. Hamendjet ishin të shumta, por e sigurt nuk ishte asgjë. Në këtë simpozium u krijuan katër skulptura: dy u vendosën përpara bibliotekës së qytetit, ndërsa dy të tjerat nuk dihej se ku shkuan. Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte mungesa e skulpturës së Erdoganit. Në ç’vend të Korçës ishte vendosur vallë? Si nuk e kishte parë njeri ku ishte vendosur ajo skulpturë? Përse duhej të humbiste pikërisht skulptura e Erdoganit? Madje përgjatë ditëve që skulptura nuk po gjendej, dukej sikur edhe artistja turke u pëshpëriste të gjithëve të veshi: “Po “Erdogani im” ku vajti?” Dhe, sigurisht, sa herë që flitej për skulpturat e parkut, njerëzit e dashuruar pas artit të Ayla Turan, kujtonin befas edhe poezinë e Dritëro Agollit: 
Ajo në vesh më pëshpëriste, 
Si fërfërima në zabel, 
Po fërfërima ish turqishte, 
Si varg divani “çok gjyzel…
Gjithsesi, më mirë se kushdo duhej ta dinin drejtuesit e Bashkisë Korçës, ndaj për këtë arsye ne vendosëm të shkonim atje për të marrë një përgjigje të saktë dhe, për më tepër, të mos u linim vend thashethemeve që po përhapeshin gjithandej nëpër qytetin e Korçës. U takuam me Drejtoreshën e Teatrit dhe Kulturës, Zamira Kita. Bisedën me të do ta japim më poshtë, pasi fillimisht na duhet të sjellim perceptimin që u krijua për “humbjen” e kësaj skulpture
Çdo ditë
Gjetja e vendit se ku ndodhej Erdogani po na dukej me interes, pasi ishte krijuar ideja sikur Erdogani kishte humbur pa lënë gjurmë. Ndodhte kështu edhe për një arsye tjetër: Krijimin e kësaj skulpture, banorët e qytetit të Korçës e ndoqën me interes në vazhdimësi, që nga dita e parë e krijimit deri në ditën e përfundimit të saj. Ata prisnin të shihnin se çfarë forme do t’i jepte turkesha Ayla Turan, e cila ishte shprehur se në atë gur do të formësonte “Erdoganin”. Të dashuruarit me artin e saj nuk linin ditë pa zbritur deri te parku “Rinia”, ku katër artistët gdhendnin gurët e mëdhenj dhe u jepnin atyre jetë. Por Ayla Turan ishte ndryshe. Kishte diçka të veçantë në humorin e saj dhe shumë sinqeritet në ato që thoshte dhe shprehte. Ajo ishte magjia vetë. Dalta e saj ishte e aftë të bënte çudira kur qëndronte në dorën e saj. Me një artiste të tillë mund të pushtoje gjithë botën! Madje kështu mendonin të gjithë ata që shihnin pa reshtur, se si një copë shkëmbi i shkëputur nga mali midis Korçës dhe Dibrës, pikërisht në rrugën ku Skënderbeu kaloi për tu shkuar drejt Krujës, mund të tjetërsohej kaq shumë sa të krijonte përshtypjen se guri kishte nisur të merrte frymë. Në çaste të tilla të vinin si fllad vargjet e Dritëroit:
Çudira pranë saj mendoja, 
Çudirat merrnin rrugën vrap, 
Këtë turkeshe kur pushtoja, 
Unë Anadollin, bëja zap…
Shpjegimi i Ayla-s
Kur skulptura mori fund dhe dalta heshti së punuari, Ayla Turan shpjegoi konkretisht, me fjalë të thjeshta, me humor e me rrjedhshmëri mesazhin që përcillte kjo skulpturë. Ajo fliste para kamerave, ndërsa banorët e qytetit të Korçës ndiqnin çdo fjalë që rridhte nga buzët e saj. Ayla tha: “Ne këtë edicion të pestë të skulpturës në Korçë, vendosa të vij me diçka ndryshe dhe realiste. Unë kam ndërtuar këtë lodrën, e cila personifikon në përgjithësi politikanët tanë, pra që drejtojnë botën. Lodra ka një veti që bie, por ringrihet sërish dhe ata nuk pësojnë asgjë, edhe pse vjedhin paratë e popullit, mbështesin luftërat apo edhe shumë gjëra të tjera, ata janë sërish aty duke na drejtuar neve. Kjo skulpture, në fakt, personifikon edhe presidentin e vendit tim Erdoganin dhe, jo pa arsye, i kam vënë edhe mbishkrimin “Mister 12”, pasi ka qëndruar 12 vjet si kryeministër dhe tani është edhe President.” Fjalët e saj rridhnin ashtu si rrjedh edhe poezia e Dritëro Agollit: 
Nga buzët rridhte një turqishte, 
Si rrjedhin rimat në gazel, 
Turkesha këngët pëshpëriste, 
“Ah, Arnaut, gjyzel gjyzel”…
Biseda me Zamira Kitën
Takimi me Zamira Kitën ishte vërtet i këndshëm, ashtu siç ndodh gjithnjë kur ke përpara një artiste si Zamira Kita. Gjatë bisedës me të, mësuam dhe të vërtetën se ku ndodhej skulptura e “Erdoganit”. 
Zonja Kita, mund të na thoni ku ka “humbur” skulptura e “Erdoganit”?
Skulptura e “Erdoganit”, ashtu siç e quajti dhe artistja nga Turqia, Ayla Turan, nuk ka humbur askund. Këtë simpozium u realizuan katër skulptura: dy i vendosëm përpara bibliotekës, “Thimi Mitko” ndërsa dy të tjera i çuam në magazinat e ndërmarrjes së shërbimeve publike.
Pse u vendosën atje?
Aktualisht parku “Rinia” gjendet në një rimodelim të plotë. Po ndryshon konceptimi i rrugëve, shesheve, stolave e gjithçka tjetër. Atje punohet çdo ditë. Për këtë arsye, dy prej skulpturave menduam të mos i linim atje, pasi edhe mund të dëmtoheshin. Deri më tani kemi evidentuar 8 skulptura të dëmtuara, për të cilat do të na duhet të marrim restauratorë me qëllim kthimin e tyre në gjendjen e mëparshme. Ndërkohë mjaft të tjera janë zhgaravitur dhe lyer me bojëra të çuditshme. Edhe për këto skulptura do të ketë ndërhyrje
Pas kësaj do të dalë në dritë edhe skulptura e “Erdoganit”?
Sigurisht, fill pas përfundimit të rimodelimit të parkut “Rinia” do të vendosen të gjitha skulpturat atje. Aktualisht numri i skulpturave ka shkuar në 36, por nëse i kushtojmë më shumë vëmendje dhe ftojmë më shumë skulptorë, atëherë vitin tjetër mund të kemi edhe 50 skulptura. Do të dëshironim që numri i tyre të shkonte në 100 dhe besojmë se do ta arrijmë. Vetëm kështu do të mund të krijojmë një mini muze pamor të krijuara nga artistët e ardhur nga shumë vende të botës. Në këtë muze, sigurisht, do të bëjë pjesë edhe skulptura e “Erdoganit”.
Shpresojmë!
Kjo ishte përgjigjja e drejtoreshës Kita. Sigurisht, shpresojmë të ndodhë kështu, dhe nuk ka asnjë arsye të ndodhë ndryshe. Madje, kjo skulpturë do të sjellë përsëri gjithë atmosferën e krijuar në simpoziumin e pestë të skulpturave të parkut dhe harenë që shpërndante skulptorja nga Turqia Ayla Turan, e cila edhe sot e kësaj dite të kujton vargjet e Dritëro Agollit: 
“Dikur kam njohur një Turkeshë, 
Nga vendi i largët Adana, 
Me sy të zez e vetullzezë, 
Me flokët lyer me këna…. 
Ndoshta kjo turkeshë e bukur do të vijë edhe vitin tjetër, në simpoziumin e gjashtë të “Skulpturave të Parkut”, duke na dhuruar një krijim tjetër, po kaq të çuditshëm dhe të veçantë sa ajo e “Erdoganit”.
Pas 1 viti !
Një vit pas përfundimit të skulpturës nga Ayla Turan dhe burgosjes së saj në magazinat e Drejtorisë së Kulturës në Korçë, vepra e artit doli nga errësira dhe pa dritën e diellit, pikërisht në Parkun e qytetit. Drejtuesit lokalë e mbajtën fjalën, por jo plotësisht. Kjo, pasi skulptura e Ayla Turan për Erdoganit, nuk e ka mbishkrimin se kujt i dedikohet. Gjithsesi qytetarët korçarë do ta gjejnë mundësinë për t’ua transmetuar edhe turistëve, se kjo vepër e rrallë e artistes turke i dedikohet pushtetit të pakufishëm të Erdoganit dhe të gjithë pushtetarëve që me veprimtarinë dhe qëndrimin e tyre kërkojnë t’i ngjajnë liderit turk.


Sigal