Kthimi i shqiptarëve në kufi, reagon ambasada greke: Mos krijoni armiq imagjinarë

590
Sigal

Rastet e
shumta të kthimit të shqiptarëve në kufi dhe ankesat e tyre kanë sjellë edhe
reagimin e ambasadës greke. Me anë të një njoftimi zyrtar, ambasada thekson se
nuk duhet të krijohen armiq imagjinarë, pasi kthimet dhe vonesat në këtë
periudhë janë normale për shkak të punëve sezonale që kërkojnë shqiptarët.
Gjithashtu në komunikim zyrtar thuhet se shkrime të ndryshme që bëjnë fjalë për
gjoja ‘’hakmarrje greke ‘’, janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen
realitetit

Reagimi i ambasadës

Meqënëse gjatë ditëve të fundit,
vihet re një fushatë dezinformimi të qytetarëve shqiptarë, Ambasada e Greqisë
në Tiranë dëshiron që të bëjë sqarimet e mëposhtme:

Nuk ka as edhe një ndryshim për
sa u përket kushteve të kalimit në pikat e kalimit në kufijt Greko – Shqiptarë,
të cilat zbatojnë ato që parashikon Marrëveshja Shengen për qytetarët e të
vendeve të treta që dëshërojnë të vizitojnë zonën Shengen. Kjo gjë iu shpjegua
në mënyrë plotësisht të qartë Ministrit të Brendshëm z. Tahiri nga ana e
Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Greke, gjatë takimit të tyre më 4 Nëntor.

Të gjitha vonesat apo edhe
ndalimet e hyrjes që vihen re këto ditë, janë të zakonshme për çdo vit, gjatë
muajve Nëntor dhe Dhjetor. Gjatë kësaj periudhe, kryesisht për shkak të
mbledhjes së ullinjve, shtohet numri i shtetasve Shqiptarë që kërkojnë punë
sezonale në Greqi, pa pasur vizë të posaçme për këtë qëllim, rrjedhimisht nuk
plotësojnë kërkesat që parashikon Marrëveshja Shengen, të cilat Autoritetet
Greke i respektojnë dhe i zbatojnë pa asnjë devijim.

As edhe një ndryshim nuk ekziston
për sa u përket shërbimeve që autoritetet konsullore Greke në Shqipëri u
ofrojnë qytetarëve Shqiptarë. Ato, me përpjekje mbinjerëzore, gjatë muajve të
fundit ia kanë dalë që të shkurtojnë kohën e pritjes, nga 10 ditë në 3 ditë
pune, që nga momenti që çdo dokument dorëzohet nga posta. Kuptohet që
autoritetet Greke nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për çdo vonesë të mundshme në
dërgimin e korrespondencës nga ana e Postës Shqiptare.

Shkrime të ndryshme që bëjnë
fjalë për gjoja ‘’hakmarrje greke ‘’, janë tërësisht të pavërteta, nuk i
përgjigjen realitetit dhe kanë si qëllim që të krijojnë armiq imagjinarë.
Ndjenjat e sinqerta të miqësisë dhe të solidaritetit të Greqisë dhe të popullit
grek kundrejt popullit shqiptar, kanë kohështrirje të gjatë dhe nuk mund të
vihen në diskutim. Ata 700 mijë emigrantë Shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë
në Greqi dhe të integrohen natyrshëm në shoqërinë greke, përbëjnë një tregues
të gjallë të bashkekzistencës harmonike midis dy popujve.