Ndonëse dita e sotme nisi me shira të rrëmbyeshëm dhe u karakterizua nga një erë e lehtë, sipas “Meteoalb”, gjatë pasdites do të ketë një përmirësim të kushteve atmosferike.
Reshjet e shiut do të largohen nga zonat perëndimore dhe bregdetare të territorit të vendit, por do të vijojnë në skajin verior.
“Ka nisur një përmirësim i lehtë i kushteve atmosferike, kryesisht në zonat perëndimore dhe zonat bregdetare të territorit shqiptar. Gradualisht, në orët në vijim do të kemi një kthjellim gradual të motit në zonat e ulëta, duke bërë që vranësirat të zhvendosen drejt zonave malore. Pjesa perëndimore e territorit shqiptar do të mbetet me mot të kthjellët.
Kjo situatë do të vijojë edhe ditën e nesërme, ku në zonat jugore dhe qendrore të territorit shqiptar ditën e martë nuk pritet të kemi reshje shiu. Mbetet vetëm skaji verior i territorit me problem të reshjeve të shiut edhe ditën e nesërme”, tha sinoptikania.
“Meteoalb” informon gjithashtu se temperaturat e ajrit gjatë pasdites do të ulen duke u luhatur nga 3 deri në 21ºC . Gjatë orëve në vijim pritet që të bjerë intensiteti i erës deri në 45-50km/h nga drejtimi perëndimor-jugperëndimor duke sjellë në det dallgëzim 4-5 ballë.