Kthehen mbrapsh dhjetëra shqiptarë në pikën kufitare të Kakavijës/ Grekët kryqe mbi pasaportat shqiptare, asnjë reagim nga MPJ

517
Sigal

Ka qenë e turpshme ajo
që i ndodhi shtetasve shqiptarë në pikën kufitare të Kakavijës, kur zyrtarët
greke kthyen mbrapsht dhjetëra vetë, pasi i zhgarravitën kryqe në pasaportë.

Por akoma më e turpshme
po ngjan heshtja e Ministrisë së Jashtme për këtë skandal.

Që nga dita e djeshme
kur skandali u publikua në të gjitha mediat, nuk ka asnjë reagim nga asnjë
zyrtar i Ministrisë së Jashtme.

Duket sikur ka një
stepje të autoriteteve shqiptare pas qëndrimit të prerë që u mbajt ndaj Greqisë
ditët e fundit. Situata u përshkallëzua nga deklaratat politike nga dy anët e
kufirit, por tani që qytetarët e thjeshtë po e pësojnë, pala shqiptare hesht.

Është e qartë se veprimi
i grekëve në Kakavijë është një hakmarrje e pastër, në kurriz të shqiptarëve të
thjeshtë pas përgjigjeve flakë për flakë që iu dhanë grekëve ndaj grekëve nga
kryeministri Edi Rama në kuvend.

Zhurma u bë për disa
banesa të vjetra që do të prishen për rindërtimin e qendrës së Himarës, për të
cilat ndërhyri Ministria e Jashtme greke. Por tani që qytetarëve shqiptarë u
damkosen pasaportat dhe iu mohohet e drejta për të lëvizur pa viza në zonën
Shengen, pllakos heshtja.

Nuk është hera e parë që
grekët bllokojnë shqiptarët në kufi. Herët e tjera kanë përdorur si pretekst
prishjen e kompjuterave, por damkosja e pasaportave shqiptare me kryqe të
vizatuar mbi to, është një veprim që nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe që
duket ka kapur në befasi palën shqiptare.