Kthehen 76 azilkërkues, u thanë që do u ndërronin banesë

512
Nga Gjermania duket se ka filluar kthimi masiv i azilkërkuesve nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit. Një grup prej 76 personash u kthyen dje në Rinas, pasi u është refuzuar kërkesa e azilit. Të tjerë pritet të kthehen brenda javës. Të pyetur në media, të afërm të të kthyerve thanë se ata as që e kishin kuptuar se për ku ishin nisur deri sa i kishin dërguar në aeroport. Vëllai i njërit prej të kthyerve i tha televizionit A1 se para se të niseshin, të kthyerve u kishin thënë se do të ndërronin vendqëndrim. Ata siç duket kishin shpresuar se do u jepnin një banesë më të mirë, por kanë kuptuar që do vinin në Shqipëri kur kanë parë që ishin dërguar në aeroport. Dy avionë mbërritën dje nga Gjermania dhe Luksemburgu dhe kanë riatdhesuar 76 shtetas shqiptarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për marrjen e statusit të azilantit.
Paradite një avion nga Luksemburgu ka sjellë 28 shtetas, ndërsa dje në mesditë kanë mbërritur 48 të tjerë nga Gjermania. Një prej të riatdhesuarve tregon se ka shpenzuar 1200 euro bashkë me gruan dhe fëmijët për të udhëtuar deri në Gjermani. Ndërkohë ndaj një pjese të mirë të të kthyer janë marrë edhe masa që i ndalojnë ata të rikthehen në vendet Shengen për një kohë të caktuar. Masat ishin paralajmëruar nga autoritetet gjermane, që kanë bërë me dije se vetëm ata që kthehen vullnetarisht, nuk do të penalizohen. Ndërkohë ky është kontingjentit i tretë që riatdhesohet në një hark të shkurtër kohor. Më parë janë kthyer dhe dy grupe të tjera përkatësisht me 70 dhe 20 persona Po dje Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatë të Gjermanisë, Manfred Schmidt, ka publikuar një koment ku thotë se “azilkërkuesit nga Serbia, Bosnjë-Hercegovinë, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi nuk kanë pothuajse asnjë shans në njohjen e statusit të azilit në Gjermani. 99.8 për qind e aplikimeve të azilit nga këto vende refuzohen nga Enti Federal për Migrim dhe Refugjatë”.
Në këtë koment, Schmidt thekson se “Gjermania do t’i kthejë refugjatët e refuzuar nga Ballkani më shpejt se deri tani”. Në masa është shtuar edhe kufizimi i parave të përkrahjes që u jepen refugjatëve nga Ballkani edhe pse në një qytezë të Baden Vyrtenbergut ata që kthehen janë shpërblyer financiarisht. Kjo duket se do të përfundojë për shkak se mund të shtojë numrin e azilkërkuesve. Nga ana tjetër situata në kampe azili vijon të përkeqësohet. Një grua nga Eritrea u gjet e vrarë në një nga konviktet që strehojnë azilkërkues. Mediat në Gjermani kanë raportuar edhe dhjetra raste dhune brenda kampeve, por edhe sulme prej vendasve. Kjo madje ka shkaktuar edhe debate të ashpra në Gjermani për shfaqe të racizmit. Ministrja për Emigracionin në Saksoni deklaroi për Die Welt se i vinte turp për komentet raciste të bashkëkombësve të saj.Dy ditë më parë Ambasada Gjermane në Tiranë njoftoi se shqiptarët që kërkojnë azil do të kthehen dhe do të paguajnë vetë biletat e udhëtimin për në vendlindje.
Sigal