KShH: Më shumë mbrojtje për gazetarinë investigative, liria e shprehjes është e garantuar, duhet respektuar.

575

Gazeta Telegraf/


Para disa ditësh, Komiteti
Shqiptar i Helsinkit (KShH) zhvilloi një takim me shtetasen Alida Tota, me
profesion gazetare, e cila pretendoi largim të padrejtë nga puna për shkak të
investigimit gazetaresk të kryer në Landfillin e Sharrës, ku humbi jetën 17
vjeçari A.Gj. Sipas gazetares, largimi nga puna çoi në transmetimin e pjesshëm
të këtij investigimi në Televizionin ku ajo ishte e punësuar. Gjithashtu sipas
saj, ky transmetim u censurua në një program të ri televiziv në një Televizion
tjetër privat.

KSHH, është njohur me këtë
çështje nëpërmjet informacionit të dhënë nga mediat dhe gazetarja e pushuar nga
puna. Gjithashtu, jemi njohur me reagimet në mediat dhe portalet online në
mbrojtje të gazetares. KShH i mbështet këto reagime pasi ato adresojnë nevojën
për mbrojtjen dhe respektimin e lirisë së shprehjes dhe ndalimin e censurës
paraprake të mjeteve të komunikimit, në përputhje me nenin 22 të Kushtetutës
dhe nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

KSHH e shikon të nevojshme të
përmendë se në disa vendime të Gjykatës së Strasburgut është theksuar roli i
rëndësishëm i medias, në një shoqëri të lirë dhe demokratike, sidomos i medias
investigative. Në këto vendime nënvizohet se, “Mediat kanë një rol thelbësor.
Ato kanë jo vetëm të drejtën por dhe quasi detyrimin për të përcjellë
informacion dhe ide për publikun, duke mundësuar kështu shprehjen e lirë të
analizave
”.

Nuk është në funksion të KSHH-së
të vlerësojë saktësinë apo mangësinë e investigimit të kryer nën drejtimin e
gazetares së pushuar nga puna, aq më tepër se për ngjarjen e mësipërme ka
filluar ndjekja penale nga organi i prokurorisë. Megjithatë vlen të theksohet
se, media, në përmbushje të misionit të saj ka të drejtë të marrë dhe të japë
informacionin që ajo gjykon se ka interes për publikun. Kjo theksohet edhe në
Rezolutën 428 (1970) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku
thuhet se, e drejta për lirinë e shprehjes përfshin të
drejtën për të kërkuar, marrë, dhënë, për të bërë publike ose për të shpërndare
informata të interesit publik” dhe media ka detyrën të shpërndajë informacion
të përgjithshëm dhe të plotë për çështjet e interesit publik
.

Duke u mbështetur në
dokumentacionin dhe informacionin e përcjellë nga gazetarja Alida Tota, në
njoftimet e publikuara në media si dhe në jetëshkrimin profesional dhe përvojën
e gjatë të gazetares në ushtrimin e profesionit, KShH vlerëson se gazetaria
investigative ka nevojë për më shumë mbrojtje dhe inkurajim dhe se gazetaria
serioze nuk mund të ekzistojë pa burimet e informacionit. Liria e shprehjes
është e garantuar në legjislacionin e vendit tonë dhe rrjedhimisht duhet të
respektohet nga të gjithë.

Sigal

Së fundmi, bazuar nenin 32, pika 1, germa “c” të
Ligjit nr. 10 221, dt. 4.2.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, Komiteti
Shqiptar i Helsinkit i rekomandon Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
të kryejë një hetim administrativ kryesisht (ex-officio) për këtë rast
të bërë publik, me qëllim kryerjen e një verifikimi të specializuar të pretendimeve
për diskriminim në marrëdhëniet e punësimit të Gazetares A.Tota.