KSHH i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për shkelje të neneve 2, 3, 6 dhe 13, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut

96
Në dt. 16.05.2016, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut), në të cilën parashtrohen shkeljet e kryera nga organet gjyqësore shqiptare ndaj shtetasit F.P (ankuesi). Vëllai i ankuesit, shtetasi Sh.K., ka humbur jetën në dt. 22.02.2011, në Spitalin nr. 2, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë, në kushtet kur ai ishte duke ekzekutuar dënimin me burgim. Ai vuante nga sëmundjet “psoriasis“ dhe “obezitet elefantoz“. Pas kallëzimit penal të bërë nga Komisariati i Policisë nr. 4, Tiranë, për këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur mosfillimin e proçedimit penal.
Ankuesi, në cilësinë e vëllait të viktimës, ka kundërshtuar në Gjykatë vendimin e mosfillimit të proçedimit penal të Prokurorit. Gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë kanë vendosur rrëzimin e ankimit, duke interpretuar në mënyrë të ngushtë Kodin e Procedurës Penale, me argumentin se ankuesi nuk legjitimohej për të bërë ankim, pasi nuk kishte qënë ai subjekti që kishte bërë kallëzimin penal për vdekjen e të vëllait. Duke mos e legjitimuar ankuesin për kundërshtimin e vendimit të prokurorisë, Gjykatat nuk kanë shqyrtuar kërkimet e tij për mungesën e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm nga prokuroria, sa i takon fakteve që hedhin dritë për dyshime të arsyeshme, për mjekim të pakujdesshëm dhe trajtim ç’njerëzor dhe degradues ndaj vëllait të tij. Rekursi i paraqitur në Gjykatën e Lartë lidhur me këtë çështje nuk është pranuar. Edhe Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar Kërkesën e ankuesit për cënim të së drejtës për një proces të rregullt, duke vendosur rrëzimin e saj.
Gjykatat nuk e kanë legjitimuar ankuesin për të kundërshtuar vendimin prokurorisë për mosfillimin e proçedimit penal, duke i mohuar të drejtën e aksesit në gjykatë. Ankuesit i është mohuar gjithashtu e drejta për zhvillimin e një proçesi hetimor dhe gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm, lidhur me të gjitha kërkimet e tij për vdekjen e të vëllait, bazuar në dyshime tejet të forta dhe të arsyeshme. Gjithashtu, ankuesit i është mohuar e drejta për t’ju drejtuar një autoriteti të brendshëm për të kërkuar zgjidhje efektive lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa. Përveç sa më sipër, shkelja e këtyre të drejtave të ankuesit është e lidhur ngushtësisht me shkeljen e të drejtave të tjera konventore, përkatësisht me shkeljen e së drejtës së jetës dhe të së drejtës për ndalimin e torturës, ose trajtimit çnjerëzor ose poshtërues.Me mbështetjen financiare të Civil Rights Defenders, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ofruar asistencë ligjore për përfaqësimin e ankuesit para autoriteteve shqiptare si dhe për dërgimin e kësaj kërkese në Gjykatën e Strasburgut.