Ksenofon Bita/ Mësuesit, “viktima të politikës’’ dhe të tranzicionit pa fund

601
“Shqiptoje gjithnjë me nderim emrin mësues, i cili pas emrit të prindit është më fisniku e më i ëmbli emër me të cilin mund të quajmë një tjetër”, ka thënë Edmond de Amicis. Figura e mësuesit në çdo kohë e në çdo vend është e nderuar dhe e vlerësuar. Edhe tek ne në kohën e mbretit Zog, si dhe në kohën para viteve ‘90, figura e mësuesit ka qenë e vlerësuar. Por ç’ndodhi me këtë sektor me arsimin, pas viteve ’90? Në këtë kohë që gjithçka u shkatërrua e kudo puna u ndal vetëm shkolla punonte, pavarësisht vështirësive të mëdha. Në çdo sektor filluan privatizimet, filluan aktivitetet private, por mësuesit punonin në shkollat tona jonormale përsëri me përkushtim për arsimimin e edukimin e fëmijëve. Partia që mori pushtetin filloi me lëvizjet politike të mësuesve. Drejtuesit nuk merrej vesh sesi i emëronte, pa kurrfarë kriteri. Kur bëheshin zgjedhje, partitë u vunë në garë kush të merrte e të bënte për vete më shumë mësues dhe në komisione ishin mësuesit.

 Në këtë kohë arsimi ishte lënë në mëshirë të fatit, rrogat shumë të vogla, më të voglat nga çdo sektor. Politika na bëri peshqesh edhe vitin e zi 1997, ku gjithçka u shkatërrua e çdo njeri shikonte hallin e tij, vetëm shkollat punonin e mësuesit prapë në krye të detyrës, pavarësisht se i kërcënohej jeta, ku dhe nxënës të veçantë vinin me pistoleta në mësim. Pas vitit 1997 partia që mori pushtetin filloi përsëri me lista për lëvizje drejtorësh e mësuesish. Nuk u lanë as sindikatat e arsimit të funksiononin, të cilat herë me manipulimin e krerëve të saj e herë me goditje me leva, si në Shkodër nuk mund të ngrinin zërin për rrogat e ulëta dhe për problemet që shqetësonin shkollën në veçanti e arsimin në përgjithësi. Por vitet iknin e të gjithë mendonin se diçka do të rregullohej, qeveria e viteve 2005-2013 u soll si qeveria e Haxhi Qamilit me mësuesit dhe drejtuesit në arsim. Një kryetar partie në Vlorë, i mbiquajtur “kollodok’’ nuk merrej me asgjë tjetër veçse me arsimin, ku mendohej se gjeti parajsën. Vetëm ai vendoste për shefin e arsimit, të cilët i ndërronte çdo vit, ku kishte të papërgjegjshëm, ekonomistë, oficerë, inxhinierë, vetëm mësues nuk ishin. Drejtorët i shikonte nga pamja fizike. Mësuesit i lëvizte çdo vit pa asnjë kriter. Mjerë arsimi, të mjerë mësuesit që çdo shtator rrinin me frikë, mjerë qeveria e mjerë Shqipëria për këtë katrahurë në arsim. Shumë mësues ankoheshin sepse u bënin presion për të paguar për vendin e punës. Erdhi viti 2013, erdhi qeveria e re, e partisë së re, e mësuesit menduan se do të stabilizohej sektori i rëndësishëm i arsimit. Edhe ligji i arsimit kishte ndryshuar, por përsëri filluan lëvizjet në arsim, konkurset fiktive, emërimet pa kriter, ku dominonin militantët e mediokrit. Shefja e arsimit lëvizte mësuesit pa asnjë shkak e pa u bazuar në ligje, duke i shkelur ato. Por çuditërisht e poshtërsisht, megjithëse vepronin keq me mësuesit partitë i donin në kohën e fushatave e i vendosnin nëpër komisione zgjedhore. Mësuesit “e shkretë’’ ishin plotësisht të bindur, sepse kërcënoheshin me vendin e punës. Nga qendra u vinin mesazhe rretheve, “mos shikoni çfarë themi ne në televizor, por ju vazhdoni avazin duke bërë lëvizje politike”. 

Lojërat politike të PD dhe PS

Të dyja partitë e mëdha ecnin në të njëjtën rrugë, duke bërë presion mbi mësuesit. Vjen provimi i matematikës të Maturës Shtetërore 2016! Del ish-kryeministri Berisha dhe thotë se është hedhur në internet teza e provimit, gjë e cila nuk ishte e vërtetë, por edhe sikur të ishte, ku ka moral për të folur ky njeri kur në qeverinë e drejtuar prej tij në provime kopjohej si në Bagdad e shitej teza e zgjidhur rrugëve të qyteteve. Pastaj, na del në televizion zv. ministrja e Arsimit dhe sqaron se nuk ka dalë teza dhe fliste për punën e mirë që bëhej nga kjo ministri, por ku ka moral dhe kjo kur përsëri provimi u bë si mos më keq, ku kopjohej dhe nuk plotësohej asnjë standard. Kjo është politika e partive në arsim! Çfarë të përballojnë mësuesit më përpara, politikën me ndërhyrjet e saj brutale e flagrante, drejtuesit e paaftë e mediokër, presioni i rrugës e i prindërve të papërgjegjshëm apo të disa nxënësve qe vinin në shkollë pa çanta dhe të padisiplinuar. Politika jonë nuk ka një vizion të qartë për arsimin dhe të ardhmen e tij. Ne themi e kemi shumë dëshirë, mbase stabilizohet ky sektor e sidomos mësuesit që vuajnë pasojat, kur na del prapë që politika po ndërhyn dhe në zgjedhjet e Dibrës. Të dyja partitë pa moral! Partia në opozitë nuk ka të drejtë të flasë, kur ajo vetë vepronte keq me mësuesit, ju bënte presion, i lëvizte pa kriter, i hiqte nga puna dhe në kohë zgjedhjesh i rreshtonte nëpër mitingje. 

Kurse partia në pushtet dihet qe i do mësuesit me vete për kandidatët e saj se mendon se ajo i mban në punë, ajo u jep “ajrin që thithin’’ dhe këta mësuesit duhet ta shpërblejnë me votë. Nuk lejohen këto lodra me mësuesit! Edhe qeveria e Kosovës ka bërë më shumë në këtë sektor, rroga më të mëdha se mësuesit tanë, ka më shumë rregull më emërimet dhe lëvizjet e mësuesve. Kudo ecet me ligje. Kurse këtu tek ne gjithçka është bërë qesharake. Ne në arsim besoj se konkurrojmë dhe Afrikën, për çmenduritë dhe papërgjegjshmëritë që ndodhin në këtë sektor. Por mësuesit nuk duhet ta lejojnë këtë katrahurë që po ndodh me arsimin. Të reagojnë, të vlerësojnë veten dhe të dinë përgjegjësinë që kanë karshi atdheut, kombit, fëmijëve e të rinjve që janë e ardhmja jonë. Në arsim të vihen kritere të qarta, të zbatohen ligjet me rigorozitet dhe të mos lejohet të ndërhyjë politika sepse nuk durohet më. Në arsim të vihet hierarkia e vlerave, që të eci puna mirë dhe të kemi rezultate. Të mos pranohen të paaftët në drejtim, që i vendos politika se i shërbejnë mirë asaj, të cilët vetëm kanë shkatërruar arsimimin dhe edukimin e fëmijëve. Nga praktika shohim se drejtuesit e paaftë kanë sulmuar mësuesit e aftë dhe i kanë lëvizur për t’i denigruar. Por shohim në horizont një parti të re, Partia Demokracia e Re Europiane (PDRE), e cila ka si objektiv vlerësimin dhe nderimin e figurës dhe punës së mësuesve, si dhe rritjen e rrogës së tyre. E mirëpresim dhe i urojmë suksese! Dikujt do t’i duket paradoks pasi kritikoj politikat e dy partive për arsimin, shpresojmë tek një parti e re. Po, të mos çuditemi se këtu ka vend thënia e një politologu italian: “Politika nuk është gjithçka, por gjithçka në një vend është e lidhur me politikën”.
Sigal