Kryetarja e Këshillit Bashkiak, pedagogia që bashkoi Vlorën

190

Evis Alushi, u zgjodh kryevendore me 100% të votave të të Majtëve dhe të Djathtëve

Është vetëm 33 vjeçe dhe për herë të parë në historinë e Këshillit të Bashkisë Vlorë, në 22 vite, është zgjedhur Kryetare e Këshillit me 44 vota pro e asnjë kundër, nga 45 anëtarë që ka Këshilli i Bashkisë Vlorë. Pedagogia e universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Evis Alushi, anëtare e Këshillit të Bashkisë për dy mandate rresht, si përfaqësuese e PS-së, nuk është më surprizë, por tashmë konsiderohet si “magjia” që bashkoi Vlorën, në Këshillin e Bashkisë. Ajo ka zëvendësuar në këtë post, një tjetër femër, socialiste, pedagoge në Universitetin e Vlorës, zonjën Etjona Hoxha, e cila vetëm një javë më parë është emëruar në detyrën e prefektes së Qarkut Vlorë. Në intervistën e parë që ka dhënë pas zgjedhjes në detyrën e Kryetares së Këshillit të Bashkisë, për gazetën “Telegraf”, zonja Alushi tregon synimet që ka në kryerjen e detyrës…

Zonja Evis! A e kishit menduar një fitore kaq të thellë?

-Sinqerisht që nuk e prisja një fitore të tillë, aq më tepër kur votimi është i fshehtë. Isha e bindur për votat e grupit të këshilltarëve të Majtë, por kurrë nuk e mendoja se do të më votonin 44 nga 45 këshilltarët që ka Këshilli i Bashkisë Vlorë. Nuk e prisja, duke patur parasysh situatën politike në vend, konfliktin politik midis dy partive të mëdha, por edhe situatën politike në qytet. Kjo votë e fshehtë, unanime është një barrë e madhe për mua dhe unë nuk di se si t’i falënderoj të gjithë këshilltarët, kryesisht këshilltarët e partive të djathta, të cilët lanë mënjanë bindjet dhe ndarjet partiake e më votuan edhe pse isha përfaqësuese e PS-së. Dua të shpreh mirënjohjen time dhe për të gjithë ata njerëz jashtë Këshillit të Bashkisë, që në këto vite më kanë inkurajuar në zgjedhjen time politike.

Përse mendoni se ju kanë votuar të gjithë këshilltarët në Këshillin  e Bashkisë?

-Që nga viti 2007, kur unë jam zgjedhur për herë të parë anëtare e këshillit të Bashkisë Vlorë, jam munduar të jem korrekte në marrëdhëniet me të gjithë kolegët këshilltarë. i kam respektuar të gjithë për bindjet e qëndrimet e tyre, duke mos i paragjykuar për asnjë moment për votën e tyre. Nuk jam natyrë politikisht konfliktuale, edhe pse aktualisht jam edhe sekretare për burimet njerëzore e mediat në PS. Ndërkohë që, kam qenë zëdhënëse e fushatës së PS-së, në zgjedhjet e vitit 2009 e në zgjedhjet e vitit 2011. Me sa kam mundur, i kam shërbyer zbutjes së konflikteve politike në Vlorë.

Si do ta lexonit ju mesazhin e votimit 100% në Këshillin e Bashkisë?

-Vlora dhe vlonjatët gjithmonë kanë dhënë mesazhe në histori. Edhe në votimin që ndodhi në Këshillin e bashkisë, u dha mesazhi se vlonjatët nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, në Këshillin e Bashkisë, duan zhvillim për të mirën e të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike. Ky është një mesazh dhe në kuadër të thirrjeve që po bën vazhdimisht Europa për bashkimin e politikës shqiptare për integrimin e vendit në BE, nga i cili do të fitojnë të gjithë shqiptarët. Vota 100 % në Këshillin e Bashkisë, është një mesazh dhe për drejtuesit e shtetit e pushtetit në Vlorë, të cilët duhet dhe ka ardhur koha që të bëjnë më shumë dhe me vepra, për Vlorën dhe vlonjatët. Vota pro e këshilltarëve të partive të Djathta, është një mesazh për qeverisjen Rama, se nëse njerëzit zgjidhen të mirë, askush nuk është kundër kur është fjala për të mirën e Vlorës e vlonjatëve. Ndërkohë është dhe një dëshmi e faktit se kur Vlora është e qetë dhe e patrazuar, vlonjatët janë të qetë dhe vendosin me qetësi për njerëzit e vet.

Duke qenë tashmë kryetare e Këshillit të Bashkisë, cili opinion juaj për situatën në qytetin e Vlorës?

-Vlora ka ndryshuar shumë, po ta krahasosh me vitin 2000, pa shkuar vite më parë. Por Vlora ka nevojë për më shumë punë e kujdesje nga bashkia dhe qeveria e majtë. Unë kam besim se me Edi Ramën Kryeministër, Vlora do ta fitojë shumë shpejt zhvillimin e ndërprerë, thjeshtë dhe vetëm për motive politike. Vlora ka domosdoshmëri për investime në infrastrukturë dhe në turizëm, ndërkohë që është shumë pozitive dhe e mirëpritur në Vlorë, ndërtimi i asaj që quhet Lungomare. Të gjithë bashkë, përtej së majtës e të djathtës, ashtu si dhe vota në Këshillin e Bashkisë, duhet të kontribuojmë për zhvillimin e Vlorës. Politika e politikanët venë e vijnë, por Vlora mbetet aty dhe koha na gjykon të gjithëve, një ditë. Kam dëshirën dhe bindjen që deputeti i parë i Vlorës dhe njëkohësisht kryeministër, Edi Rama së bashku më kryetarin e bashkisë, Shpëtim Gjika, do të jenë në ballë të punëve për zhvillimin e Vlorës.