Kryetari mban timonin, anëtari i bije burisë

553
Fejton nga Hyskë BOROBOJKA 
Sloganet dhe premtimet
Partitë si i mbushën plot thasët e mëdhenj me premtime e zotime, ua lanë radhën mjeshtërve të sondazheve. Këta që me punë të palodhur e “përgjegjësi të madhe”, me lapsa e mjete të tjera llogaritëse në duar, që duhen për të kryer sa më mirë e pa lajthitje këtë punë, saktësuar mirë e bukur se cila nga forcat politike dilte e para në zgjedhjet e 25 Qershorit për të formuar qeverinë e re fatbardhë, që do të drejtojë vendin për katër vjet me radhë. Por ai viran sondazhi ua prishi humorin e qetësinë, kur dha verdiktin se asnjëra nga partitë politike s’e kalonte dot 50 përqindëshin e marrjes së mandateve. Ky qerrata sondazhi ua bëri gjakun ujë e mendjen dhallë të gjitha partive politike, që nga ajo që drejton shtetin e deri te e fundit. -More zotërinj të sondazhit, pa ma thoni edhe një herë, se s’e morëm vesh mirë. Sa mandate do të marrë partia ime? – pyet me shpoti kryetari i partisë socialiste. -48! – qe përgjigja e shkurtër. -Jeni në metro apo kini lajthitur?! Sondazhi im tregon qartë se partia socialiste do të marrë plot 71 mandate e do jetë forca e parë për të qeverisur vendin. Kur je në makinë dhe detyrohesh të mbash të tjerë në prehër, vështirë të ecësh shpejt në drejtimin e duhur. As makinë me dy timona, s’e duam, pasi na ngatërron rrugën dhe, në vend të ecim përpara me shpejtësinë e erës, do të ecim me hapin e breshkës. -Mirë se kryetari juaj mban timonin e makinës, po kush do t’u mbajë frenat? –pyetën. -Mos ia qani hallin kalorësit se i varen këmbët. Partia jonë ka specialistë, jo vetëm për frenat, por edhe për t’i rënë borijes së makinës, kur kryetari mban timonin!- ishte përgjigja.- Prandaj lajini veshët e dëgjoni, nxirrni lapsat e regjistroni: Do të hapin 220 mijë vende pune…-Si ata 300 mijë që premtuat e “hapët” para katër viteve?! – e ndërpreu një nga kampi i kundërshtarëve. -Të lutem mos më ndërpre, siç e keni bërë zakon gjatë seancave parlamentare. Pikë, copë u themi! Vazhdojmë: Do të rrisim pagat e mjekëve dhe mësuesve 30-40 për qind. Do sigurojmë se s’bën më shumë se një miliard evro koncesione. Vetëm për bujqësinë, që “është çështje e të gjithëve”, do sigurojmë e shpenzojmë 230 milionë evro për çdo vit. Borxhin publik do ta ulim 60 për qind. Do t’i rrisim pagat 40 për qind. Për pensionistët e varfër do të shpenzojmë 24 miliardë lekë e… të tjera e të tjera. Lum kush t’i shohë e t’i gëzojë?! -Pa mbaje pak kalin, se ka marrë shumë revan e do qorollepset.. Ju s’kontrolloni dot territorin e vendit e jeni bërë fabrika e kanabisit për të furnizuar, jo vetëm Evropën, por edhe më larg akoma. Forca e parë jemi ne. Këtë ka kohë që e kemi deklaruar! – i përgjigjet LSI-ja.- Prandaj dëgjoni ju zotërinj, që bëni zhurmë si këmbora e shpuar. Partia jonë nuk është si ju, që premtoni një thes të madh e s’plotësoni dot një trastë të vogël. I batërdisët qytetarët e gjorë me taksa përmbi taksa, ndërsa ne do t’i ulim, 60 për qind për TVSH-në e konsumit bazë. Për bujqësinë, që na mban e na ushqen me gjithë të mirat, do ta fshijmë njëherë e mirë TVSh-në për produktet e saj. Do të hapim 50 mijë vende pune në bujqësi e 50 mijë të tjera në turizëm. Ndërsa për rininë, që është lokomotiva lëvizëse e shoqërisë, do të sigurojmë 100 vende pune. Sa për atë makinën me një shofer e një timon, mos harroni se koha e “timonierit të madh” ka vdekur bashkë me Mao Ce Dunin. -Mbaruat? -Kemi edhe më. Në vitin 2020 do të mbarojmë së ndërtuari të gjitha rrugët e Shqipërisë. Nga Alpet në Veri e deri në Nemërçkë e Bureto në Jugë. -Mirë e kini ju të partisë me tri germa, por mos harroni. Sipas sondazhit, në 25 qershor, i merrni apo jo 38 mandate.- e kundërshtojnë me një goje partitë e tjera. -Kot mburreni ju zotërinj të LSI-së. Në 25 qershor forca e parë do jemi ne të “Republikës së Re”, me “ekonomi të fortë” e me “mirëqenie të sigurt”! Jemi ne që do të mbajmë gjallë me ndihma ekonomike 40 mijë familje të varfra. Do t’i gëzojmë pensionistët se s’do të ketë pensione më pak se 25 mijë lekë. Ndërsa atyre që shërbejnë e punojnë në shtet do të kenë një rritje page prej 50 për qind. Edhe për ju zotërinj e zonja, që për katër vjet s’bëtë dot asnjë rrugë, ne do të harxhojmë 100 milionë evro për ndërtimin e rrugëve të reja, duke filluar që te ajo e “Arbrit” e tatëpjetë. Mos harroni e vëreni vëth në vesh. Për ata që shëndeti i ka marrë me sy të keq dhe të tjerë, që dëshirojnë të jenë me “gramë” e të pajisur me diploma universitare e tituj shkencorë, do të shpenzojmë 150 milionë evro. -Kur t’i merrni 46 mandate bashkë me aleatët tuaj, i morët. Por siç tregojnë bathët e priftit, janë larg pashkët! – tregojnë e ngulin këmbë autorët e sondazhit. -Dale de, jemi edhe ne! –ngrenë zërin partitë e tjera, duke filluar nga PDU-ja, PSD-ja, FRPD-ja, LIBRA e duke përfunduar te SFIDA…-Kur të merrni kush katër e kush një mandat, kini marrë shumë! – i njoftojnë autorët e sondazhit…Pas tyre u hodhën në protestë edhe disa parti të tjera, që sondazhi i kishte nxjerrë me gisht në gojë pa asnjë mandat. Tani që fushata për zgjedhjet e reja të “Baballarëve e “Gjyshërve të Kombit”, ka marrë revan e s’do të ndalet, s’kanë të sosur sloganet, që, sipas fjalorit të gjuhës së bukur shqipe, janë: “fraza të shkurtra, që përdoret për të propaganduar diçka”. Duke mos përjashtuar edhe sloganet e fushatës elektorale. Në këtë fushatë të madhe, partitë politike janë vënë në garë njëra me tjetrën, kush të pretendojë më shumë për të vjelë më tepër vota. “Shtet, punë, mirëqenie për Shqipërinë!” – është slogani i preferuar i partisë socialiste. “Ekonomi e fortë. E nesërmja e siguruar në Republikën e Re!” – e pasojnë sloganet e Partisë Demokratike. “Një shans për të gjithë. Për punësimin e të rinjve e të rejave!” – vazhdon LSI-ja. Dhe gara e sloganeve vazhdon me vrull për të marrë fitoren më 25 qershor.
Sigal