Kryetari i Vatrës dhe Editori i Diellit u takuan në Manhattan me Dr. Vili Minarolli

894
Sigal

Shkrimtari Vili Minarolli dhuroi 8 libra të shkruara prej tij për bibliotekën e vatrës dr. Vili Minarolli është një figurë e njohur e politikës, diplomacisë, por edhe e publicistikës dhe letërsisë shqipe. Edhe pse ai zyrtarisht është tërhequr nga politika, herë pas here, shfaqet me prononcime publike, kryesisht në faqen e tij në rrjetet sociale dhe analizon apo jep këshilla për politikën, siç ka qenë rasti i mesazhit publik me të pakënaqurit e Partisë Demokratike ose Letra publike drejtuar së bijës së Azem Hajdarit etj. Dr. Minarolli e kalon jetën mes Tiranës dhe Otavës në Kanada, ku ka marrë edhe shtetësinë kanadeze. Sot, e Mërkurë 8 Maj 2019, ai ishte për vizitë turistike në Nju Jork, në kryeqendrën e biznesit botëror, në Manhattan dhe në pamundësi për të ardhur në VATËR, për shkak të kohës së kufizuar, ai u takua në Manhattan me Kryetarin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, z. Dritan Mishto, dhe Kreredaktorin e Diellit, Dalip Greca. Ishte një takim i ngrohtë miqësh për një kafe të mëngjesit. Kryetari i Vatrës e informoi z. Minarolli për veprimtaritë dhe qëndrimet e Vatrës, ndërkohë që editori i përcolli detaje nga veprimtaritë e Vatrës të organizuara për 110 vjetorin e Gazetës DIELLI. U shkëmbyen mendime për situatën në Shqipëri dhe krizën politike që ka mbërthyer vendin si dhe për rolin e diasporës në zhvillimet e vendit të lindjes. Dr. Minarolli ka qenë dhe mbetet një figurë me kontribute cilësore në politikën dhe Diplomacinë shqiptare, por edhe në publicistikë me analiza e opinione, ndërsa pas dorëheqjes nga funksionet që mbante në politikë e diplomaci, i është kthyer pasionit të vjetër të Letërsisë. Ai i ka dhënë lexuesit shqiptar romane, që pasqyrojnë jetën e shqiptarëve jo vetëm në rreth 3 dekadat e tanzicionit, por më gjërë. Shkrimtari Minarolli dhuroi për bibliotekën e VATRËS romanet e tij: “APOKALIPS” botuar nga Shtëpia botuse”Dituria”, “KONTRABANDISTI”-2016; “NË KAFENENË E BENIT NË SHESHIN OMONIA”-2016; “FYTYRA DHE MASKA”-2016; “TRAFIKANTI” -2016, “NDODHI NGA XHUNGLA”-2017, “JETA E DYFISHTË E NJË AGJENTI”-2019, si dhe librin”NGJARJE QË NUK HARROHEN-BISEDË ME VETVETEN”-2017, me përkushtimin:“Prindërve të mi, të cilët vuajtën fizikisht dhe shpirtërisht gjatë regjimit të egër e antinjerëzor komunist në Shqipëri. Të gjitha librat mbajnë dedikimin për bibliotekën e Federatës VATRA prej autorit Vili Minarolli.