Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Presidentin e Republikës së Sllovenisë, z. Borut Pahor

491
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Presidentin e Republikës së Sllovenisë, z. Borut Pahor, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit Ruçi i shprehu Presidentit Pahor mirënjohjen për mbështetjen e Sllovenisë për procesin e intregrimit europian të Shqipërisë si edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer politik midis të dy vendeve. Ky nivel duhet të ndiqet edhe nga bashkëpunimi në fushën ekonomike e tregëtare. Z. Ruçi e informoi Presidentin Pahor edhe mbi arritjet në realizimin e reformave në pesë prioritetet kyçe të procesit të integrimit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në arritjet e reformës në drejtësi. “Megjithë vështirësitë, reforma në drejtësi ecën në drejtimin e duhur dhe organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë do të jenë tërësisht funksionale në gjysmën e dytë të vitit 2019.”, vuri në dukje Kryetari Ruçi.

Presidenti Borut Pahor falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për bashkëpunimim dypalësh me Slloveninë. “Gjatë ushtrimit të funksioneve të larta shtetërore si Kryeministër, Kryetar i Parlamentit dhe tani si President i Republikës së Sllovenisë, kam mbështetur fuqimisht zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, një vend mik dhe partner i yni. Ne jemi gati tju mbështesim akoma më shumë me përvojat tona të integrimit në BE, sidomos në fushën e përafrimit të legjislacionit. Për këtë duhet një bashkëpunim i fortë midis Qeverisë dhe opozitës.”, vuri në dukje Presidenti Pahor.

Kryetari i  Kuvendit Ruçi dhe Presidenti Pahor biseduan edhe mbi situatën aktuale në Shqipëri, pas largimit të opozitës nga Kuvendi. Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se pretendimet e opozitës për ilegjitimitetin e Kuvendit dhe mungesën e hapësirave demokratike për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare nuk qëndrojnë. “Zgjedhjet në Shqipëri gjithmonë kanë pasur probleme, por zgjedhjet e vitit 2017 kanë qenë të parat zgjedhje të kontrolluara nga opozita, e cila ishte në bashkëqeverisje; të parat zgjedhje të çertifikuara nga 40 mijë komisionerë, gjysma e të cilëve të opozitës; të parat zgjedhje për të cilat nuk ka pasur asnjë ankesë në Kolegjin Zgjedhor; zgjedhje që u paraprinë nga një fushatë e qetë, më e qeta në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Ndërkohë, opozita, pas ndryshimet të Rregullores së Kuvendit me vullnetin e qartë të shumicës parlamentare, ka gëzuar të gjithë aksesin dhe të gjitha hapësirat për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

Kryetari Ruçi dhe Presidenti Pahor diskutuan edhe mbi nevojën e përshpejtimit të reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe ngritjen sa më të shpejtë të organeve të reja të qeverisjes së sistemit, mbi rolin e Shqipërisë dhe të Sllovenisë në zhvillimet rajonale, mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi për të forcuar bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe ndihmuar stabilitetin në rajon, duke pasur mbështetjen dhe çertifikimin e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.