Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, merr pjesë në Konferencën e 9-të Vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës

750
Me ftesë të Audituesit të Përgjithshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës(ZKA), Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe një grup audituesish të KLSH-së morën pjesë në Konferencën e 9-të Vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, zhvilluar në 13 korrik në Prishtinë. Tema e Konferencës ishte “Fuqizimi i llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të institucioneve të sektorit publik, përmes zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm” dhe të pranishëm ishin Zv. Ministri i Financave, z.Agim Krasniqi, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, znj.Rozafa Ukimeraj, Përfaqësues nga USAID dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë, institucionet akademike, shoqërisë civile, mediave dhe auditues nga KLSH.
Në hapjen e punimeve të Konferencës, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani theksoi që kjo konferencë është një mekanizëm i rëndësishëm për të vlerësuar sezonin e sapo përfunduar të auditimit, duke theksuar në mënyrë të veçantë aktivitetet kryesore që Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer gjatë periudhës së auditimit 2016/ 2017. “Si për koincidencë sot e një vit më parë, në Konferencën tonë të 8-të Vjetore, në po këtë ambient kam shpalosur planin vjetor të punës për vitin auditues 2016/2017. Ishte vërtet një plan ambicioz për mua si menaxher i ri, i një institucioni kaq të rëndësishëm. Sot jam krenar të konfirmojë me bindje të plotë, se falë përkushtimit dhe angazhimit të stafit, kemi realizuar plotësisht çdo detyrë që i kemi caktuar vetes. Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë vit ka kryer mbi 90 auditime të rregullsisë përfshirë këtu edhe auditimin për herë të parë të 4 Ndërmarrjeve Publike, të gjitha të finalizuara sipas afatit ligjor; 13 auditime të performancës dhe 6 auditime të prokurimit dhe menaxhimit të projekteve, gjithsej 113 auditime.” – tha Auditori i Përgjithshëm në fjalën e tij.

Z. Osmani ka theksuar se puna dhe raportet e auditimit i ofrojnë Kuvendit dhe subjekteve të audituara mbështetje praktike në mbylljen e zinxhirit llogaridhënës në mes të Qeverisë dhe Kuvendit, si dhe krijojnë një bazë të mirë për menaxhim të shëndoshë financiar. Ai më tej ka ftuar mediat dhe shoqërinë civile që të marrin për bazë raportet e auditimit në punën e tyre dhe të prezantojnë ato në mënyrë korrekte.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj e konsideroi një kënaqësi të veçantë adresimin në Konferencën e 9-të Vjetore të ZKA-së, që sipas kryetarit Leskaj është shndërruar tashmë në një traditë me vlera të mëdha për auditimin e sektorit publik në Kosovë, ku analiza e performancës vjetore shkon paralel me diskutimet dhe hulumtimet për të gjetur mënyrat dhe qasjet më efektive dhe efiçiente për të përmirësuar punën audituese në të ardhmen. “Tema që keni zgjedhur për këtë vit, Fuqizimi i llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të institucioneve të sektorit publik, nëpërmjet zbatimit te rekomandimeve të SAI-t, qëndron në themel të të gjithë filozofisë, rolit dhe misionit të punës sonë audituese si SAI”, theksoi Kryetari Leskaj.

Kreu i KLSH vlerësoi partneritetin solid dhe ndëraktiv mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, duke çelur një horizont të ri bashkëpunimi përmes kryerjes së auditimeve të përbashkëta, në fusha me interes për të dyja palët. 

Në prezantimin e arritjeve dhe sfidave të KLSH-së, Kryetari Bujar Leskaj theksoi se në forcimin e llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe integritetit ka ende shumë punë për t’u bërë. “Edhe ne, SAI-t e Kosovës dhe te Shqipërisë, jemi të vendosur që të instalojmë në administratat tona publike kulturën e përgjegjshmërisë, llogaridhënies, transparencës dhe integritetit. Kjo kërkon një punë të gjatë, metodike dhe të përkushtuar, por jemi të bindur në garancinë e suksesit të kësaj qasjeje dhe përpjekjeje te përbashkët, pse ajo përputhet me objektivat e Planit te ri Strategjik te INTOSAI-t 2017-2022, te miratuar në Kongresin INCOSAI XXII në Abu d’Habi të Emirateve të Bashkuara Arabe në dhjetor 2016, si dhe me përparësitë e Planit Strategjik të EUROSAI-t 2017-2023, të miratuar ne Kongresin e X-të të Organizatës në Stamboll të Turqisë në maj 2017”, u shpreh ndër të tjera Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj

Konferenca vijoi punimet mbi temën “Rritja e efikasitetit të pushtetit lokal përmes zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm”, ku u referuan gjetjet dhe rekomandimet e raportuara në raportet e auditimit financiar të komunave të Kosovës si dhe raportet e auditimit të performancës. Më tej, u hap seanca në grupe bazuar në feedback-un e marrë nga mësimet e sezonit të kaluar, me qëllim adresimin e sfidave të identifikuara para fillimit të sezonit të ri. Grupet e ndara diskutuan mbi – Rishikimin e Doracakut të Rregullsisë, Planin Vjetor të Punë, Rishikimin e Letrave të Punës, Udhëzuesin për Menaxhimin e Cilësisë si dhe mbi Çështje Administrative. Në përfundim, secili grup me auditues të Kosovës bëri prezantimin e rekomandimeve sipas tematikave përkatëse.

Në këtë konferencë morën pjesë audituesit e KLSH-së: z.Agim Mandri, z.Agron Opari, z.Albert Thoma, z.Aldo Kume, z.Alfred Leskaj, z.Altin Dinaj, znj.Angjela Nesturi, z.Aqif Klosi, z. Artan Mirashi, z. Bashkim Shehu, znj. Gentiana Shata, z. Besim Bileri, z.Besmir Pajaj dhe z.Rigels Guzi. 
Sigal