Sigal

Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne  me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Nasto, kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës Nazim Tafa, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas fjalën e rastit në emër të Bashkisë së Durrësit e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare Adrian Gurra i cili u shpreh: “Ju falenderoj të gjithëve për praninë këtu, ku si çdo vit, mblidhemi në përkujtim të ditës historike të çlirimit të qytetit tonë, ditë për të cilën kanë sakrifikuar e kanë dhënë jetën dhjetëra patriotë, luftëtarë të lirisë, të rinj e të reja. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin dhe vetëmohimin e të gjithë këtyre heronjve që në emër te lirisë nuk kursyen asgjë për të arritur ditën e madhe dhe të lavdishme të 14 Nentorit, ditën e çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë. Durrësi, u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse pikërisht në këtë qytet, më 7 prill, nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Durrësi u bë në këtë mënyrë një nder qytetet me të rëndesishëm të kësaj lëvizjeje. Me kalimin e viteve edhe nën thundren e okupimit nazist, qyteti   nuk e ndali luftën për çlirim, por përkundrazi e shtoi atë edhe më shumë, duke zgjeruar bazat e luftës dhe shtuar rradhët e luftëtarëve të lirisë. As vrasjet apo masakrimet, burgosjet apo internimet nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti që u kthye në simbol të qëndresës dhe luftës  ndaj nazifashizmit. Sot, pas 74 vjetësh ne jemi krenarë te përkujtojmë ditën  historike të 14 nëntorit dhe të  shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit. Kjo ditë, teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim këtë respekt e mirënjohje, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht neve, që drejtojmë sot këtë qytet na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë  me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri të  lirë dhe evropiane. Durrësi, qyteti ynë, po ecën me ritme të shpejta në rrugën e tij të pandalshme  drejt zhvillimit.

Të gjithë së bashku  na duhet të punojmë palodhur për të patur një qytet sa më të begatë, me të pastër, më të lulëzuar, me ekonomi më të zhvilluar e me mirëqenie më të lartë sepse vetëm në këtë mënyrë përmbushim jo vetëm amanetin e të rënëve, por dhe aspiratën e qytetarëve tanë.

” Më pas kryebashkiaku Dako ka përshëndetur të pranishmit dhe ka shpërndarë edhe disa çertifikata të akorduara nga shoqata e LANÇ për disa veteranë. Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës, drejtues të organizatës së LANÇ-it të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita e çlirimit të Durrësit. Me rastin e kësaj dite qendra kulturore e fëmijëve në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit kanë zhvilluar një koncert me këngë korale me tematikë patriotike në sheshine qytetit.