Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini: Do të denoncojë Ministrinë e Kulturës

139

PUNIMET/ Tre institucione në sherr për gërmimet në Bazilikën e Elbasanit, Prokuroria merr në pyetje palët

Punimet e nisura pesë vjet më parë me iniciativën e kryebashkiakut të Elbasanit, kanë ngecur duke bllokuar kështu finalizimin e projektit. Shkak për këtë situatë është bërë konflikti midis Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore dhe Bashkisë së Elbasanit. Për të zgjidhur këtë sherr kreu i bashkisë, z. Qazim Sejdini i ka dërguar një letër Ministrisë së Kulturës, e cila duke neglizhuar konfliktin ende nuk ka dërguar një përgjigje.

Situata

Ka mjaftuar një sondazh i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Elbasanit dhe Prokuroria të hapi një çështje që lidhet me kompetencat e palëve për të kryer gërmime në Bazilikën paleokristiane. Bashkia Elbasan ka pritur 5 vjet që Bazilika të zbulohej plotësisht, pasi ka dashur vetë të zbulojë sipërfaqen reale të saj, por gërmimet kanë mbetur pezull prej kohësh. Kjo ka bërë që të reagojnë autorët e punimeve, të cilët kanë deklaruar se është një shkelje dhe se duhet të merret drejtësia për sqarimin e kësaj situate. Denoncimi ka bërë që Prokuroria Elbasan të kërkojë për sqarime autorët e punimeve dhe drejtorin e Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Elbasan, Kreshnik Belegu. Ky i fundit ka deklaruar se sondazhi nuk është bërë fshehurazi, por ditën me diell dhe bashkia ka të drejtë të dijë se çfarë do të bëhet me objektin e rëndësishëm arkeologjik në qendër të qytetit duke qenë pjesë e projektit të BE-së që përfshin dhe mbulimin e Bazilikës me xham.

Konflikti

Nisur nga kjo situatë e krijuar Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Por edhe pse ka kaluar një javë, tashmë kjo ankesë ka mbërritur dhe ka ngecur në zyrat e ministrit, Aldo Bimçi dhe nga ky institucion nuk ka mbërritur asnjë përgjigje. Nisur nga kjo mungesë komunikimi kryebashkiaku, Sejdini  bëri të ditur për gazetën “Telegraf”, se  do të denoncojë hezitimin e ministrisë, ku ka dërguar ankesën. “Do të dalim shumë shpejt te gropa e mbetur hapur e Bazilikës në një konferencë për shtyp, ku do të bëjmë të ditur qëndrimin e bashkisë dhe do të denoncojmë hezitimin e Ministrisë së Kulturës në lidhje me këtë projekt”, tha kreu i Bashkisë së Elbasanit. Bazilika paleokristiane që mendohet të jetë  e shekullit V-VI të erës së sonë është zbuluar në vitin 2007 me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini. Kanë kaluar gjithë pesë vjet dhe asgjë nuk është bërë. Elbasani vizitohet çdo ditë e më tepër nga turistë të huaj, por që nuk kanë mundësi të shohin Bazilikën për efekt të mos përfundimit të punimeve.