Kryetari bashkisë së Beratit që më befasoi pozitivisht dhe disa probleme mbi promocionin e restaurimin

873
Ndriçim Kulla
Berati për mua ka qenë gjithmonë si një enigmë që duhet zbuluar. I ngjashëm në pamjen arkitektonike tradicionale me Gjirokastrën, qyteti i “një mbi një dritareve”, siç e quajnë, ndoshta nuk e ka famën e Gjirokastrës, sepse nuk ka nxjerrë një shkrimtar të rangut të Kadaresë që të shkruajë për të, siç pati fatin Gjirokastra. Berati ende e pret një penë të madhe që të shkruajë për magjitë e bukurisë arkitekturore pothuajse unike dhe për bukuritë natyrore të tij. Megjithatë, Berati i ka entuziazmuar udhëtarët e huaj që kanë shkruar për Shqipërinë, jo më pak se Gjirokastra. Unë e kam zakon që në udhëtimet e mia, brenda dhe jashtë vendit, të mbaj shënime, të cilët mendoj se një ditë do t’i përdor për një libër me përshkrime dhe mbresa udhëtimesh. Ndonëse kjo ditë nuk do të jetë e afërt, herë pas here nxjerr copëza nga këto shënime për ndonjë artikull në shtyp. Kështu bëra edhe me rastin e udhëtimit tim të fundit në Berat para pak ditësh. Në shënimet e mia shumë rrallë zënë vend qeveritarët lokalë, dhe prej tyre asnjë nuk më pati entuziazmuar aq sa t’ i bëja një portret. Si botues dhe njeri i letrave kam krijuar rezerva për disa nga qeveritarët tanë lokalë, pasi kam konstatuar, se librin nuk e kanë as në radhën e fundit të shqetësimeve të tyre. U pëlqen të fotografohen ndonjëherë me ndonjë libër në dorë ose të shfaqen para kamerave televizive në zyrën e tyre pas rafteve me libra që nuk i kanë prekur me dorë. As që u shkon në mendje që mund të ndajnë për librin ndonjë investim sado të vogël nga buxheti i bashkisë së tyre ose të bëjnë ndonjë projekt për librin në bashkëpunim me donatorët e huaj që financojnë projekte në nivel vendor.

Më kishte rënë rasti që ta vizitoja Beratin shumë pak kohë para zgjedhjeve vendore të vitit 2015 por gjatë vizitës tjetër këtë muaj mund të vija re ndryshimet në qytet dhe më gjerë në atë pjesë rurale të territorit rural të bashkisë që pashë. Dhe u befasova pozitivisht nga ato që pashë. Në kaq pak kohë kishte ndryshime të ndjeshme. Ishin zbatuar me shpejtësi dhe efikasitet disa projekte të rëndësishme të bashkisë së Beratit, që përbëjnë pikënisjen e një zhvillimi urban në parametrat e shekullit XXI. Këtu mund të përmend restaurimet në qendrën e qytetit, me Sheshin “Teodor Muzaka”, Bulevardin “Republika”, parkun qendror të qytetit, rindërtimi i trotuareve në rrugën ndërmjet Urës së Goricës dhe Urës së Varur. Këto dhe projekte të tjera të zbatuara në një periudhë kohe kaq të shkurtër iu kanë dhënë qytetarëve të Beratit ndjenjën, se në qytetin e tyre ka një dinamikë ndryshimi pozitiv. Në konceptimin dhe zbatimin e projekteve është pasur parasysh ruajtja dhe, madje nxjerrja në pah e elementëve thelbësorë historikë, tradicionalë, natyrorë dhe kulturorë të qytetit dhe zonës më gjerë, një gjë shumë e rëndësishme kjo për një qytet si Berati edhe si destinacion turistik. Për shkak të limiteve që ka një shkrim i tillë dhe temës së tij, nuk mund të përshkruaj më gjatë ndryshimet pozitive që pashë në Berat. Tema e shkrimit tim është: Si dhe pse më befasoi “Kryeplaku” i qytetit, siç e quan Noli kryetarin e bashkisë, në kuptimin që kryetari i bashkisë duhet të jetë një njeri me bagazhin e urtësisë të një plaku. Kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Petrit Sinaj, megjithëse nuk ishte veçse pak më shumë se 40 vjeç, të linte përshtypjen e kryeplakut të qytetit, sipas shprehjes së Nolit. U habita kur më ftoi që pas kafes mund ta vizitonim qytetin së bashku. Z. Sinaj i pëlqente të fliste shumë për vizionin e tij për qytetin dhe për territorin e bashkisë në përgjithësi që me ndarjen e re administrative përfshin edhe territorin e disa ish-komunave. Dhe fliste me objektiva konkrete dhe bindshëm më duket mua që pashë rezultatet e punës së tij. Por atij i pëlqente të fliste edhe si një intelektual, të bisedonte për libra, madje edhe për problemet e librit shqip. Kjo e papritur më bëri kurioz dhe desha të njihem më hollësisht me CV-në e tij. E dija se ishte një intelektual, se kishte kualifikime pasuniversitare, se kishte punuar për projekte të rëndësishme të huaja që kishin të bënin me Shqipërinë. E dija, se kishte qenë për disa vite drejtor i TV Onufrit, një TV lokal simpatik në Berat. Por nuk dija më shumë për të. Duke përfituar nga një pauzë në bisedë, kur atij iu desh t’ i përgjigjet një telefonate pune, hapa faqen e bashkisë së Beratit në internet dhe i hodha një sy të shpejtë CV-së së tij. Pashë se kisha të bëja me një njeri, i cili kishte ushtruar për disa vite edhe veprimtarinë e botuesit, pra kishte qenë kolegu im. Z. Sinaj ishte marrë me botimin dhe redaktimin e materialeve të ndryshme që kishin të bënin me Shqipërinë, SHBA, Britaninë e Madhe, Holandë etj. Si punonjës i administratës shtetërore dhe politikan, ai kishte pasur një karrierë të natyrshme, jo të sforcuar, duke nisur që nga sekretar i përgjithshëm i Prefekturës së Beratit, kryetar i Këshillit të Qarkut të Beratit dhe së fundmi kryetar i Bashkisë së Beratit. Një karrierë që mund ta çojë atë natyrshëm edhe në nivel të politikës qendrore, në parlament, e pse jo, më tej. Sepse njerëz me cilësitë, përgatitjen dhe vizionin e z. Sinaj mund dhe duhet të japin kontribut që shkon përtej nivelit të qeverisjes vendore, në atë qendrore. Me z. Sinaj bëmë një “ekskursion” të gjatë në shumë rrugë të qytetit duke përfshirë edhe lagjen e famshme të Kalasë. Duke përfituar dhe nga një ditë e bukur në mesin e këtij Tetori, qyteti me mozaikun e tij shumë kulturor të ndërtesave dukej vërtet një bukuri e rrallë ashtu si nuk e kisha parë ndonjëherë të tillë. U habita nga përgjigja e tij kur e falënderova që gjeti kohë për shoqërimin tim. “Berati është i bukur , por duhet mbajtur -tha ai. Nuk mjafton që është në mbrojtjen e UNESKOS, duhet më shumë, shumë më shumë. Dhe për të fituar ndjeshmërinë e institucioneve qeveritare por edhe jo vetëm qeveritare duhet promovim. Promocioni sjell turistët por siguron dhe investime për t’i bërë një restaurim tërësor qyteti”. Në këtë kontekst ai e shikonte edhe “nderin” që më bëri mua. Vërtet , duhet krijuar ndjeshmëri e lartë. Berati duhet restauruar i tëri ,çdo rrugë, çdo qoshkë, çdo shtëpi, çdo kishë, çdo manastir, çdo xhami, gjithçka. Mozaiku i tij kulturor është unik, prandaj ai duhet “rikrijuar”. Po si? Në çfarë mënyre? A është e mundur kjo? Po në lidhje me mundësinë ose pamundësinë e këtij pretendimi për të cilin biseduam me kryetarin e bashkisë fillimisht duhet të kuptojmë thellë rëndësinë e tij dhe, jo vetëm përfitimin kulturor, por dhe ekonomik të tij. E për ta përforcuar këtë po e ilustroj me një shembull të pazakontë nga përvoja ime modeste e punës. Gjatë një vizite në kryeqytetin e Katarit, Doha në shoqërimin e Presidentit të Republikës z. Nishani si këshilltar kulturor i tij, rreth 3 vjet më parë Emiri i Katarit, Madhëria e Tij Al Thani mes të tjerash na sugjeroi edhe dhe diçka që për mua ishte interesante: “Ju jeni një vend i lashtë evropian dhe keni brenda vetes shumë thesare kulturore,prandaj kujdesuni t’i zbuloni dhe t’i ruani. Çdo lagje të vjetër, fshat apo qytet restaurojeni dhe keni për ta parë që ato do kthehen në miniera floriri” –tha ai. Për mua në këshillën miqësore të këtij monarku prej një vend kaq të largët, i cili ndërtimin e qyteteve e kishte kthyer në futurizën të vërtet ndjehej nevoja dhe admirimi lashtësisë që ne e kemi me shumicë. Vizita ime në lagjen e vjetër të Antalyas në Turqi 2 vjet më parë jo vetë që ma përforcoi këtë ide shqetësuese , por më bëri që të reflektoj edhe më thellë mbi problemet e restaurimit të qyteteve tona karakteristike, si Berati , Gjirokastra, por dhe mjaft nga lagjet e qyteteve të tjera të Shqipërisë si Korça, Shkodra ose Tirana. Shtëpitë e vjetra me identitet të veçantë të Antalyas të përqendruara në lagjen buzë detit janë të restauruara dhe të administruara në mënyrë mjaft improvizuese dhe funksionale .Dhe çdo vizitor shqiptar që mund të vij dhe të kaloj nëpër to me siguri do t’i kujtohet Gjirokastra dhe Berati. Por krahasimi çalon. Çalon, si për Gjirokastrën ashtu edhe Beratin. Berati edhe sot, ashtu siç është me problem të veçanta restaurimi duket i tëri qytet i stolisur në gur , me shtëpi dhe rrugë të bukura. Ashtu dhe Gjirokastra. Nuk mund të gjesh shtëpi kështjellë si shtëpia e Zekatëve në Gjirokastër, që Kadareja e ka quajtur kështjella Skoceze apo shtëpi madhështore me një arkitekturë të avancuar për kohën si shtëpia e Angonatëve, në asnjë vend tjetër, as në Antalia. Nuk e teproj të them, se po të ishin në këtë qytet ato do ishin ndryshe dhe do shkëlqenin si margaritarë që shprehin shijet e thella të një populli duke jetuar jetën e tij të veçantë. Po kështu edhe Berati i bukur, i cili përveç rrugëve dhe shtëpive të ndritshme me dritare të shumta, tipike për një qyet të zhvilluar për kohën, një pjesë e të cilëve janë të mirëmbajtura, ka edhe artin bizantin, të shprehur në piktura, ikona dhe kisha të njohura. Duhet ta theksoj, se është bërë punë për restaurimin e tyre, duke u ndihmuar dhe nga UNESKO, por nuk është kthyer kurrë në prioritet. Duke i parë si vizitor disa kohë më parë lagjet e vjetra dhe të restauruara mirë të Antalias që vizitoheshin brenda pasdites nga mijëra e mijëra turistë të huaj, çfarë mund të përfytyrojmë për Beratin e bukur dhe Gjirokastën madhështore, në rast se u kthen shkëlqimin dhe magjinë që ato kanë brenda vetes me anë të një restaurimi artistik?! Dhe më tej, me një promocion të gjithanshëm e të studiuar, unë besoj se ato kthehen vërtetë në miniera floriri.
Sigal