Kryesitë e administrimit të bashkëpronësive po ngjallin kryesitë e “frontit demokratik”

951
Harallamb Kota, Studiues
Ligji 10112 datë 9.4.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, Udhëzimi Nr.2 datë 19.05.2015, si dhe Vendimi i Këshillit Bashkiak Nr.45 datë 06.07.2016 për krijimin e njësisë Task-Forcë “Për regjistrimin e Asambleve të Bashkëpronarëve dhe Administratorëve të pallateve”, përcaktojnë rregullat dhe modalitetet për mbledhjen e Asamblesë së Bashkëpronarëve, zgjedhjen e Kryesisë dhe të Administratorit. Mirëpo, paketa ligjore, jo vetëm përmban paqartësi të shumta lidhur me konceptet “banor-pronar-bashkëpronar”, por bëhet e komplikuar në zbatimin e saj dhe në organizimin e bashkëpronësisë të pallateve të ndërtuara para ndryshimit të sistemeve politike në Shqipëri. Vështirësitë fillojnë me paraqitjen e koncepteve të reja mbi pronën dhe termave pronar, bashkëpronar etj. Shoqëria shqiptare, në një periudhë tepër të gjatë që përfshiu vitet 1945-1990, u ideologjizua së tepërmi duke i parë si armiq ish-pronarët. Kjo dukuri, frymëzohej nga partia në pushtet. Fronti Demokratik, i sunduar nga komunistët, ishte organizata politike që shtrihej në të gjitha hapësirat ku banonin shqiptarët dhe punonte për standardizimin e mënyrave të të menduarit, të veshurit, të krehurit, të diskutuarit, të mbajtjes së qëndrimeve të ashpra ndaj botës kapitalist-revizioniste, të marrjes pjesë masivisht në zgjedhjet politike, etj…etj. Kryesitë që drejtonin Frontin Demokratik, analizonin qëndrimin politik të çdo familjeje, dekoronin individ apo familje që konsideroheshin “të lidhura me pushtetin popullor” dhe njëkohësisht damkosnin individë apo familje që konsideroheshin me “qëndrime antiparti” duke i etiketuar “armiq të popullit” apo “tradhtar të atdheut”. Kryesia e Frontit Demokratik, edhe të pajiste me shtëpi, por edhe ta merrte shtëpinë, të internonte dhe të hiqte triskën e frontit. Frika thotë populli ruan vreshtin. Është pikërisht frika e kthimit mbrapsht, e manipulimit të ligjit dhe e sundimit të “kryesive të bashkëpronarëve” nga individë aktivë të partive politike, sidomos nga individë që vijojnë nga “familjet komuniste” dhe kanë drejtuar “kryesitë e Frontit Demokratik” apo nga individë që vijojnë nga familje të privilegjuara nga sistemi komunist, pasi gëzonin statusin “dëshmor të Luftës Nacional Çlirimtare”, që diferencoheshin nga familjet e shumta patriotike me “dëshmor (pa status), të rënë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”. Duke nderuar të rënët në Luftën Nacional-Çlirimtare, shoqëria shqiptare tregon shkallën e lartë të emancipimit dhe një qëndrim korrekt ndaj interesave kombëtare shqiptare, por njëkohësisht kërkon të marrë fund diferencimi midis “të rënëve në Luftën Nacional-Çlirimtare dhe të rënëve në luftën për çlirim kombëtar” dhe t’u jepet “statusi dëshmor”, edhe të rënëve në luftën për krijimin e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e tij nga segmentet antishqiptare, nacionaliste e kishtare. Duhet theksuar, se statusi dëshmor i përket të rënit dhe nuk duhet të përdoret nga familjarët e tij, brez pas brezit, për të fituar shpërblime, privilegje dhe vende pune të pamerituara në administratën shtetërore, apo në rastin konkret për të “uzurpuar” kryesitë e administrimit të bashkëpronësive apo për të kapur vendin e “administratorit”, jo për të punuar e shërbyer bashkëpronarëve, por për t’u punësuar dhe paguar nga bashkëpronarët. Ky fenomen, domethënë ngritja e kryesive të bashkëpronësive, të ngjashme me kryesitë e Frontit Demokratik, është më e mundshme të ngjasë në lagjet dhe pallatet e ndërtuara para ndryshimeve politike, banorët e të cilëve, edhe pse janë pronarë, frikohen ende nga individë apo familje që i kishin sunduar në atë sistem dhe që po tentojnë t’i sundojnë edhe sot, pavarësisht se në pamje të jashtme militojnë në formacione të ndryshme politike, në brendësi janë të lidhur ngushtësisht midis tyre me fije nepotike, familjare dhe interesa të ndryshme përfitimi dhe punësimi. Për ta shmangur këtë fenomen regresiv, asambleja e bashkëpronësisë duhet të jetë aktive, e qartë në objektivat e saj, e pranishme me shumicën e pronarëve në mbledhjen e përgjithshme dhe mbi bazën e legjislacionit në fuqi duhet të zgjedhë në kryesinë e saj, intelektualë me moral të lartë, të përkushtuar, të ndershëm, të udhëhequr me moton e Rilindjes Kombëtare Shqiptare “pa dallim, feje, krahine dhe ideje”. Realisht, është vepruar ndryshe. Mbledhjet e përgjithshme të asambleve të bashkëpronarëve, në shumë raste janë dominuar nga pjesëmarrja masive e disa familjeve të lidhura me fije nepotike e shoqërore dhe me interesa politike për të përfituar vende pune të pamerituara dhe për të gëzuar të ardhura pasurore të jashtëligjshme. Militantët, anëtarët dhe kryetarët e partive politike, sidomos ata me origjinë “familjare komuniste”, që tentojnë të zgjidhen, apo që janë vetëzgjedhur në kryesitë e bashkëpronësive, i kanë devijuar kryesitë nga përmbajtja e ligjit, duke i imponuar formatin e partive ku secili militon, duke tentuar t’i japin kryesisë së bashkëpronarëve modalitetin e kryesisë së Frontit Demokratik, si e vetmja mundësi për të komanduar bashkëpronësinë dhe për ta përdorur për qëllime politike në zgjedhjet bashkiake apo parlamentare, duke manipuluar me premtime e presione për të siguruar votat e tyre. Organizatorët e modalitetit “Fronti demokratik”, tentojnë goditjen e demokracisë dhe kthimin prapa, duke synuar kapjen e kryesive, sundimin e asambleve të bashkëpronarëve dhe caktimin e administratorit mbi baza shoqërore, duke e konsideruar administrimin si vend punësimi, abuzimi dhe pasurimi. Ky grupim ka tronditur në themel besimin e pronarëve ndaj këtyre kryesive dhe ka ngjallur frikë e pasiguri lidhur me organizimin e administrimit të bashkëpronësisë dhe me zgjedhjen e administratorit. 
Për ta larguar frikën dhe mosbesimin e pronarëve lidhur me administrimin e bashkëpronësisë dhe caktimin e administratorit, duhet të kryhet një punë e madhe sqaruese nga pushteti vendor, lidhur me domosdoshmërinë e administrimit të bashkëpronësisë, të plotësohen paqartësitë dhe vakumet ligjore lidhur me detyrimet e pronarëve ndaj administratorit dhe të administratorit ndaj pronarëve dhe kryesisë së asamblesë së bashkëpronarëve. Mirëbesimi reciprok pronar-kryesi-administrator, ka gjasa të arrihet dhe të ketë sukses, kur ligji dhe udhëzimet në zbatim të tij, të përjashtojnë zgjedhjen në kryesi dhe administrator, të elementëve militantë, anëtarë të partive politike dhe aq më keq kryetarë partish politike. Ligji duhet ta zhveshë drejtimin e bashkëpronësisë nga politika dhe të lejojë drejtimin e sajë nga elementë me parimet e Rilindjes kombëtare “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Prona është e shenjtë, është themeli i shtetit dhe pronarët shpirti i saj. 
Sigal