Kryesindikalistët, 2 banda që grabisin pronat

988
Fiqiri Xibri, kryetari i Sindikatës të Minatorëve
Krerët e sindikatave janë 2 banda kundër interesave të minatorëve

Nga Jakup B. GJOÇA
-Zoti Xibri, ju sapo u takuat me kryeministrin Rama. Çfarë rezultati patën diskutimet tuaja?
– Kryeministrit Rama i paraqitëm të gjitha problematikat që kanë lidhje me statusin e Minatorit. I afruam edhe qëndrimet tona. Kryeministri na premtoi që së shpejti, qeveria dhe sindikata jonë do të ngremë grupet e punës, sipas problematikës. 

– Në cilat drejtime do të përqendrohet vëmendja e grupeve grupeve të punës që do të keni me qeverinë?
– Në diskutimet për projektligjin e ri të statusit të minatorit dhe në pastrimin e skemës të pensioneve. Të gjithë pranojmë se aty ka shumë abuzime, ka korrupsion dhe është e domosdoshme që të pastrohet ajo skemë.

– Cili është problemi më i vështirë që mund të keni?
– Ne kemi kërkuar që masa e pensionit minimal për minatorët të jetë jo më pak sesa 131% e pagës minimale zyrtare. Ndërsa për pagat minimale në minierë kemi kërkuar që të jenë jo më pak sesa 200% e pagës minimale zyrtare. Kemi kërkuar që pensioni minimal të jetë 131% e pagës minimale, ndërkohë që paga minimale në kohën e diktaturës i mbulonte shpenzimet e minimumit jetik me pak tepri, domethënë, 3-4% tepër mbi minimumin jetik, ndërsa sot, ajo që kërkojmë ne, 131% të pagës minimale zyrtare është prapë pak mbi minimumin jetik real. Nëse flasim për dyfishin e pagës në minierë, në krahasim me pagën minimale zyrtare, duket fillimisht sikur aty kemi më shumë sesa në kohën e diktaturës, sepse në atë kohë paga minimale zyrtare me pagën minimale në minierë ishin diku tek 272%, ndërsa ne kërkojmë 200%. Nëse i referohemi minimumit jetik, jo pagës minimale zyrtare, ne prapë jemi dukshëm më poshtë sesa në atë kohë, lëviz 36% më pak. Element shumë i rëndësishëm, që është edhe ky një element që e ngarkon koston e projektligjit që ne kërkojmë, është përshkallëzimi i moshës së pensionit, sepse, jo pse e gjykojmë ne, por është reale që, nëse, sipas ligjit të 2014-s një minator me 12.5 vite punë nën tokë dhe me 30 vjet punë gjithsej del në pension në moshën 55 vjeç dhe një tjetër që ka vetëm 1 muaj më pak punë nën tokë, shkon nga 55 në 65. Ne kërkojmë që edhe këtu të vendoset përshkallëzimi, siç e kanë dhe shumica dërrmuese e vendeve të qytetëruara, ai që ka punuar më pak të marrë më pak, të dalë në pension më vonë.

– Ku mendoni se do të përballohet kjo kosto?
– Besoj se kur të pastrohet skema e pagimit të pensioneve, të priten abuzimet, do të mjaftojnë shumë fonde.

– Shpresoni se qeveria do t’i mbajë premtimet që ju dhanë sot në takimin me kryeministrin?
– Do presim të konkretizohen. Kryeministri na tha që ne kemi të drejtë në kërkesat tona. I dimë edhe mundësitë konkrete të qeverisë dhe sa mund të realizohen kërkesat tona. 

– Konfederata e Sindikatave ka bërë njoftim konkret për protesta. Ju do të bashkoheni?
– Cilët janë këta “sindikalistë”? Ata deri tani nuk janë interesuar fare për problemet e minatorëve. Por tani, që shikojnë se afrohen zgjidhjet e problemeve tona, bëjnë zhurmë, që të përfitojnë ndonjë thelë.

– Çfarë “thele” duan?
– Krerët e sindikatave kanë zaptuar, kanë përvetësuar pronat e patundshme të sindikatave. I kanë tjetërsuar në interesat të tyre personale. Por, tani erdhi koha që prokuroria të hetojë, ku janë pronat e patundshme të sindikatave, hotelet, shtëpitë e pushimeve, zyrat? Kush i shfrytëzon? Për çfarë qëllimesh shfrytëzohen? Kush i grumbullon të ardhurat? Ku shpenzohen këto të ardhura? Ne do t’i kërkojmë prokurorisë që këto prona t’u kthehen minatorëve dhe të ardhurat e këtyre pronave të sindikatave të përdoren për nevojat ekonomike të minatorëve dhe sindikalistëve. 3 krerët e sindikatave, të Konfederatës dhe të Sindikatës së Pavarur janë 2 banda kundër interesave të minatorëve. 
Sigal