Kryeqytet i besimit e paqes, në Tiranë në shtator vijnë 4 mijë klerikë

467
TIRANË – Për tri ditë rresht Tirana do kthehet në kryeqytetin e gjithë botës besimtare, si vendi i paqes dhe harmonisë fetare. Paqja, toleranca fetare dhe dialogu do të jenë kryefjala e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që do të mbahet në Tiranë në datat 6, 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan dhe që organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.
Për këtë qëllim u mbajt sot në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë mbledhja e radhës e Komitetit Ndërshtetëror për organizimin e këtij aktiviteti, i cili u drejtua nga ministri Blendi Klosi, dhe ku merrnin pjesë përfaqësues të Sant’Egidios, të komuniteteve fetare, të Policisë së Shtetit, e shumë përfaqësues të institucioneve të tjera.
Gjatë këtij takimi u raportua nga institucionet përkatëse për plotësimin e detyrave konkrete në kuadër të organizimit të këtij eventi, si dhe u detajuan çështjet e axhendës dhe masat e tjera organizative.
Në aktivitetin “Lutja e Paqes 2015” janë ftuar të marrin pjesë rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Evropa, Afrika, Azia e Amerika Latine. Po ashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.
Në Lutjen për Paqe 2015 janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv/presidenti i Parlamentit Evropian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi, etj.
Ceremonia e Inaugurimit do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, pas së cilës ndjek dita e dytë me panele të ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare. Përmes dialogut dhe promovimit të paqes i kundërvihemi dhunës me propozime konkrete dhe të realizueshme, tematika e të cilave do të diskutohet në panelet e organizuara me rastin e këtij eventi.
Propozimet konkrete do të jenë për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë. Propozimet konkrete do të vijnë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia. Aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”.
Dita e tretë do të shpallë Apelin për Paqen në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.  
Sigal