Kryeplaku i fshatit Vashtmi që prej 7 muajve në shkelje të ligjit. Institucione të paligjshme mund të gjesh vetëm në Shqipëri

757
(Ne foto Kryeplaku,  Viktor Adri)
Vepror HASANI
Kryeplaku i fshatit Vashtimi Viktor Adri (Qyllalli), që prej 7 muajve ushtron detyrën e kryeplakut, duke qenë në shkelje të ligjit, por edhe pse është kështu, Këshilli i Bashkisë Maliq, nuk merr asnjë vendim për të mos lejuar një situatë të tillë, pasi kur një kryeplak është i paligjshëm çdo dokument i lëshuar prej tij, rrjedhimisht është i paligjshëm dhe nuk mund të ketë fuqi ligjore. Ngritja e institucioneve të tilla jo vetëm që është absurde, por as duhen lejuar. Vetë Viktor Adri duhej të kishte dhënë dorëheqjen, dhe, nëse ai nuk e bën këtë, institucionet sipër tij duhej të kishin vepruar në kohë. Në rase të tilla, kur ndodh dorëheqja, vendin e kryeplakut e zë anëtari i Kryesisë së Pleqësisë, i dyti në listë sipas numrit të votave, që në këtë rast është z. Eqerem Avdolli, ndaj edhe shqetësimi është ngritur prej këtij të fundit, por edhe nga Prefektura e Korçës. Megjithatë deri më sot, edhe pse kanë kaluar 7 muaj nuk ka lëvizur asgjë. Arsyet për moszbatimin e ligjit mbeten të panjohura
Shkelja ligjore
Sipas ligjit, personi që zgjidhet kryeplak, nuk duhet të kryejë detyra të tjera me pagesë, me qëllim që të mos jetë në konflikt interesi, por në të vërtetë, z. Viktor Adri, tashmë përveç pagesës së kryeplakut merr edhe një pagesë tjetër si anëtar i Këshillit të Bashkisë; gjithashtu ka edhe një pagesë të tretë për paaftësi në punë, sipas KMCAP-it (Komisionit mjekoligjor për caktimin e aftësisë për punë). Shkelja ligjore është konfirmuar nga Institucioni i Prefekturës, ku ky i fundit i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit të Bashkisë, Maliq, ku ndër të tjera i shkruan: “Institucioni i Prefektit të Qarkut Korçë, në funksion të rolit që ka lidhur me orientimin ligjor që u siguron banorëve të rajonit për zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve të paraqitura në institucion kur këto të fundit kanë lidhje me aktet e nxjerra nga organet e vetëqeverisjes vendore në Qark bën me dije se: Z. Eqerem Avdolli, banor i fshatit Vashtmi, Njësia Administrative Libonik, në mënyrë të përsëritur i është drejtuar prefektit të Qarkut nëpërmjet një letre duke ngritur shqetësimin e tij për kryetarin e fshatit Vashtmi, i cili rezulton të jetë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak Maliq. Gjithashtu z. Avdolli, kërkon që organet e Bashkisë Maliq, të cilat kanë njohur të rregullta zgjedhjet për kryetarin e fshatit Vashtmi”. 
Vlerësimi i Prefektit
Edhe institucioni i Prefektit Konfirmon shkeljen ligjore. Më konkretisht, ja cili është vlerësimi i prefektit për rastin në fjalë: “Njësia Administrative, Libonik, Bashkia Maliq, të marrin në konsideratë dhe të vlerësojnë ligjërisht faktin që z. Viktor Adri në mënyrë të kundërligjshme, ushtron njëkohesisht detyrën e kryetarit të fshatit dhe atë të anëtarit të Këshillit Bashkiak. Ju informojmë se shqetësimi i Z. Avdolli është i njohuar për Institucionin e Prefektit dhe për këtë u jemi drejtuar disa herë zyrtarisht ku kemi bërë të ditur qëndrimin tonë institucional. Sa më sipër, kujtojmë se me shkreaë zyrtare drejtuar Kryetarit të Këshillit të Bashkisë Maliq për verifikimn e bazueshmërisë ligjore të akteve të Bashkisë Maliq, të dt 29.04 2016, mbështetur në ligjin nr 139/ 2015 “Për vëtëqeverisjen vendore”. Prefekti i Qarkut ka vlerësuar se mbajtja në të njëjtën kohë e detyrës sëkryetarit të fshatit dhe funksionit të këshilltarit nuk është në përputhje me përcaktimet e ligjit”. 
Zvarritje pa fund
Nga sa shihet më sipër shqetësimi zë fill që nga viti 2016, letra e shkresa zyrtare kanë mbërritur njëra pas tjetrës në Bashkinë e Maliqit, por edhe pse Kryeplaku i fshatit Vashtmi është i paligjshëm sërish nuk ka asnjë tentativë për rregullimin e kësaj situate konform ligjeve të shtetit shqiptar. Për këtë arsye, pretendenti për kryeplak i fshatit Vashtimi. Z. Eqerem Avdolli kërkoi ndihmën e gazetës “Telegraf” për të denoncuar shkeljen flagrante të ligjit nga ana e Këshillit të Bashkisë Maliq, kur gjithkush e di se Pleqësia e fshatit Vashtimi është e paligjshme dhe vendimet e saj nuk kanë fuqi ligjore. Madje, nëse ndodh që dokumentet e lëshuara prej kësaj Pleqësie shkojnë në gjykatë për arsye të ndryshme, ato nuk mund të konsiderohen të ligjshme. Fenomene të tilla ndodhin vetëm në Shqipëri. Le të shpresojmë se pas publikimit të kësaj çështjeje, Këshilli i Bashkisë Maliq do ta vendosë Pleqësinë e fshatit Vashtmi në rrugë ligjore, madje kjo do të ishte në nderin e tyre.
Sigal