Kryeministri Rama: Vendimet për kategoritë drejtuese dhe pranimet për lëvizjet në administratën publike

640
Qeveria mori dje vendim për lëvizjet në administratë, plotësimin e vendimeve në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese. Ky vendim rregullon procedurat për plotësimin e vendeve të lira, në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, nëpërmjet lëvizjes paralele, ngritjes në detyrë dhe pranimit nga jashtë shërbimit civil. Po ashtu, mori vendim edhe për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive.
LËVIZJA PARALELE BRENDA SË NJËJTËS KATEGORI
1. Procedura e lëvizjes paralele bëhet për plotësimin e vendeve të lira, në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, në çdo institucion të shërbimit civil. 
2. Kushtet minimale, që duhet të plotësojë kandidati për këtë procedurë, janë: 
a) të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon;
b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
c) të ketë, të paktën, vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”;
ç) të plotësojë kushtet dhe kërkesat e posaçme, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
3. Bazuar në planin vjetor të pranimit, njësia përgjegjëse shpall procedurën e konkurrimit për çdo pozicion, duke bërë të njohur edhe planin e zhvillimit të procedurës për secilin pozicion, jo më vonë se një muaj pas miratimit të këtij plani nga organet përgjegjëse ose gjatë vitit, kur shfaqet e nevojshme, si rezultat i krijimit të vendeve vakante në mënyrë të paparashikuar.
4. Njësia përgjegjëse, nëse është e mundur, bën grupimin e pozicioneve të njëjta dhe organizimin e një procedure konkurruese të vetme për to. Në rastin e degëve territoriale, ky grupim mund të bëhet edhe mbi baza qarku. 
5. Për institucionet e administratës shtetërore shpallja e procedurës së konkurrimit, për secilin pozicion, publikohet në faqen zyrtare të DAP-it e portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe qëndron e publikuar deri në përfundimin e procedurës. 
6. Institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore bëjnë shpalljen e procedurës së konkurrimit, për secilin pozicion, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në stendat e informimit të publikut. 
7. Institucionet, përveç mënyrave detyruese të shpalljeve, të përcaktuara në pikat 5 e 6, të kreut II, të këtij vendimi, mund të përdorin si mënyra alternative të shpalljes së konkurrimit faqen e internetit të institucionit si dhe çdo mjet tjetër të konsideruar të përshtatshëm për shpalljen, të njohur nga legjislacioni në fuqi. 
8. Shpallja, në faqen zyrtare të DAP-it dhe në portal, përmban këto të dhëna: 
a) pozicionin e punës që është vakant;
b) përshkrimin e përgjithshëm të punës, për atë pozicion;
c) kushtet për lëvizjen paralele dhe kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë kandidatët;
ç) dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyra e dorëzimit të tyre;
d) afatin e dorëzimit, të përcaktuar me datë të saktë kalendarike;
dh) datën e daljes së rezultateve për fazën e verifikimit paraprak të kushteve dhe kërkesave të posaçme të vendit të punës;
e) datën, vendin dhe orën kur do të zhvillohet intervista;
ë) fushën e njohurive, aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në intervistë;
f) mënyrën e vlerësimit të kandidatëve;
g) mënyrën e njoftimit dhe komunikimit me kandidatët.
9. Shpallja është e hapur për të gjithë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori, në të gjitha institucionet, pjesë të shërbimit civil. Afati i dorëzimit të dokumenteve është 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga momenti i shpalljes në portal. 
10. Konkurrimi për procedurën e lëvizjes paralele përfshin dy faza: 
a) verifikimin paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim;
b) vlerësimin e kandidatëve, ku përfshihen vlerësimi i përvojës në punë, trajnimet, kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse si dhe vlerësimet pozitive dhe intervista e strukturuar me gojë.
11. Njësia përgjegjëse, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, jo më vonë se 2 (dy) ditë kalendarike nga data e mbylljes së pranimit të dokumenteve, bën verifikimin paraprak të kandidatëve që përmbushin kushtet dhe kërkesat e posaçme, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. 
12. Kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim, renditen në një listë nga njësia përgjegjëse, sipas rendit alfabetik. 
13. Lista paraprake e verifikimit të kandidatëve shpallet brenda të njëjtit afat, të përcaktuar në pikën 11, të kreut II, të këtij vendimi, në: 
a) faqen e internetit të DAP-it dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, për institucionet e administratës shtetërore;
b) portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.
14. Kandidatët që nuk kualifikohen njoftohen individualisht, nga njësia përgjegjëse, për shkaqet e moskualifikimit, në të njëjtën ditë me shpalljen e listës së verifikimit paraprak. 
15. Kandidatët, të cilët rezultojnë të pakualifikuar, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga data e njoftimit individual, në përputhje me pikën 14, të kreut II, të këtij vendimi, paraqesin ankesat me shkrim pranë njësisë përgjegjëse. Ankesat zgjidhen brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, nga data e paraqitjes së tyre. 
16. Pas përfundimit të procedurës së mësipërme, njësia përgjegjëse shpall listën e verifikimit të kandidatëve dhe brenda 2 (dy) ditëve kalendarike urdhëron ngritjen e Komitetit të Pranimit për Lëvizjen Paralele (KPLP), i cili ka në përbërje 3 (tre) anëtarë, si më poshtë vijon:
a) 1 (një) përfaqësues nga institucioni, për të cilin është shpallur vendi vakant, i të njëjtit nivel ose i një niveli më të lartë se pozicioni që rekrutohet, kur është e mundur, i caktuar nga DAP-i;
b) eprorin direkt;
c) 1 (një) përfaqësues nga DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore. Në rastin e institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes vendore, anëtari i tretë emërohet nga titullari i institucionit, midis nëpunësve civilë të institucionit, të nivelit të mesëm drejtues, nëse është e mundur.
17. Anëtarët, të caktuar sipas pikës 16, të kreut II, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve të pengesave ligjore, janë të detyruar të marrin pjesë në Komitetin e Pranimit për Lëvizjen Paralele, ku janë caktuar. 
18. Në rast pamundësie të pjesëmarrjes së anëtarëve të Komitetit të Pranimit për Lëvizjen Paralele, njësia përgjegjëse merr masa për zëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë. 
19. DAP-i mund të autorizojë edhe nëpunës të tjerë civilë, të institucioneve të tjera, për të kryer detyrat e përfaqësuesit të DAP-it në Komitetin e Pranimit për Lëvizjen Paralele. Caktimi i nëpunësit bëhet pas komunikimit me institucionin nga do të merret ky nëpunës. Institucioni dhe nëpunësi i emëruar janë të detyruar të bashkëpunojnë me DAP-in. 
20. Komiteti i Pranimit për Lëvizjen Paralele zhvillon një intervistë të strukturuar, me gojë, me secilin prej kandidatëve, brenda 2 (dy) ditëve kalendarike nga data e krijimit të tij. Komiteti, për intervistën e strukturuar me gojë, përgatit, përpara fillimit të vlerësimit, një grup pyetjesh, të cilat janë të njëjta për të gjithë kandidatët. 
21. Struktura e ndarjes së pikëve të vlerësimit të kandidatëve është, si më poshtë vijon: 
a) 40 pikë për dokumentacionin e dorëzuar, i ndarë në: 20 pikë përvojë, 10 pikë për trajnime apo kualifikime të lidhura me fushën përkatëse dhe 10 pikë për certifikimin pozitiv ose për vlerësimet e rezultateve individuale në punë, në rastet kur procesi i certifikimit nuk është kryer;
b) 60 pikë intervista me gojë.
22. Komiteti, në përfundim të vlerësimit, përzgjedh kandidatin, i cili renditet i pari ndër kandidatët që kanë marrë, të paktën, 70 pikë (70% të pikëve). 
23. Kandidatët me pikë të barabarta renditen sipas këtyre kritereve:
a) Në rast se njëri prej kandidatëve përfshihet në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, atëherë ai përzgjidhet i pari, në raport me kandidatin tjetër;
b) Në rast se kandidatët janë të gjinive të ndryshme, atëherë renditja bëhet duke renditur të parin kandidatin që i përket gjinisë më pak të përfaqësuar, për atë kategori, në institucionin për të cilin konkurrohet. Gjinia më pak e përfaqësuar përcaktohet nga njësia përgjegjëse;
c) Në rast se nuk mund të aplikohet asnjëra nga alternativat e mësipërme, atëherë renditja e kandidatëve me pikë të barabarta bëhet nëpërmjet shortit.
24. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë, të paktën, 70 pikë (70% të pikëve), komiteti vendos përfundimin e procedurës pa asnjë të përzgjedhur. 
25. Komiteti ia komunikon vendimin e përzgjedhjes, apo të përfundimit të procedurës pa asnjë të përzgjedhur, njësisë përgjegjëse, brenda 24 (njëzet e katër) orëve. Ky vendim dërgohet në njësinë përgjegjëse së bashku me listën e kandidatëve që kanë konkurruar, të renditur sipas pikëve. 
26. Njësia përgjegjëse njofton, individualisht, kandidatët që kanë konkurruar për rezultatin e tyre brenda 24 (njëzet e katër) orëve, nga dita që komiteti i njofton vendimin e tij. 
27. Kandidati, pavarësisht nga e drejta për t’u ankuar në gjykatën administrative, ka të drejtë të bëjë ankim me shkrim edhe në Komitetin e Pranimit për Lëvizjen Paralele, për rezultatin e pikëve, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga data e njoftimit individual, për rezultatin e vlerësimit. Ankuesi merr përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, nga data e përfundimit të afatit të ankimit. 
28. Njësia përgjegjëse, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike, pas përfundimit të procedurave të ankimit, shpall fituesin dhe bën aktin e emërimit të kandidatit. Akti i emërimit i prodhon efektet pas 5 (pesë) ditëve pune. 
29. Nëse konkurrohet për më shumë se një pozicion pune, njësia përgjegjëse, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike pas përfundimit të procedurave të ankimit, i propozon kandidatit/kandidatëve fitues, duke respektuar renditjen e tyre, listën e pozicioneve të punës. 
30. Njësia përgjegjëse, pas marrjes së mendimit zyrtar nga kandidati/kandidatët fitues, shpall fituesin/fituesit dhe bën aktin e emërimit të kandidatit/kandidatëve. Akti i emërimit i prodhon efektet pas 5 (pesë) ditëve pune. 
31. Shpallja e fituesit/fituesve bëhet në faqen e internetit të DAP-it dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” ndërsa, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, përveç portalit, ajo bëhet edhe në stendat e informimit të publikut. 
32. Nëpunësi civil i emëruar nuk i nënshtrohet periudhës së provës. 
33. Nëpunësi civil, që emërohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, detyrohet të bëjë dorëzimet në pozicionin e mëparshëm të punës brenda 5 (pesë) ditëve pune. 
NGRITJA NË DETYRË
1. Në rastet kur një vend vakant, në kategorinë e nivelit të ulët apo të mesëm drejtues, nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, njësia përgjegjëse shpall procedurën e ngritjes në detyrë. 
2. Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati, për këtë procedurë, janë: 
a) të jetë nëpunës civil i konfirmuar;
b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
c) të ketë, të paktën, vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”;
ç) të plotësojë kushtet e tjera, të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për klasifikimin e pozicioneve në shërbimin civil;
d) të përmbushë kriteret e veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
3. Rregullat për procedurën e lëvizjes paralele, siç parashikohet në pikat 3 deri 7, të kreut II, të këtij vendimi, do të zbatohen edhe për procedurën e ngritjes në detyrë. 
4. Shpallja e procedurës për ngritjen në detyrë botohet, të paktën, 35 (tridhjetë e pesë) ditë kalendarike para datës së parashikuar për zhvillimin e vlerësimit. 
5. Shpallja në portal dhe në faqen zyrtare të DAP-it përmban këto të dhëna: 
a) pozicionin e punës që është vakant;
b) përshkrimin e përgjithshëm të punës, për atë pozicion;
c) kushtet për ngritjen në detyrë dhe kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë kandidatët;
ç) dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyra e dorëzimit të tyre;
d) afatin e dorëzimit, i përcaktuar me datë të saktë kalendarike;
dh) datën e daljes së rezultateve, për fazën e verifikimit paraprak të kushteve minimale të procedurës së ngritjes në detyrë dhe të përmbushjes së kritereve të veçanta të vendit të punës;
e) fushën e njohurive, aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen;
ë) mënyrën e vlerësimit të kandidatëve;
f) mënyrën e njoftimit dhe komunikimit me kandidatët.
6. Plotësimi i vendeve të lira, me procedurën e ngritjes në detyrë, është i hapur për nëpunësit civilë të një kategorie më të ulët, në të njëjtin institucion apo institucione të tjera të shërbimit civil. Afati i dorëzimit të dokumenteve është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike, nga momenti i shpalljes në portal, sipas përcaktimit në shpalljen për konkurrim.
7. Vlerësimi i kandidatëve për ngritjen në detyrë realizohet nga Komiteti i Pranimit për Ngritjen në Detyrë (KPND), i cili ka në përbërje 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon: 
a) 1 (një) anëtar nga njësia përgjegjëse, i cili kryeson komitetin;
b) Për institucionet e administratës shtetërore, 1 (një) anëtar nga institucioni që ka vendin vakant, pjesë e kategorisë së mesme drejtuese, i përcaktuar nga DAP-i. Për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, 1 (një) anëtar, i zgjedhur nga titullari, midis nëpunësve civilë të institucionit, nëse është e mundur, të nivelit të mesëm drejtues;
c) Eprorin direkt të pozicionit, për të cilin zhvillohet konkurrimi;
ç) 2 (dy) ekspertë të fushës përkatëse, në varësi të fushës së vlerësimit.
8. Anëtarët, të caktuar sipas pikës 7, të kreut III, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve të pengesave ligjore, janë të detyruar të marrin pjesë në KPND-në ku janë caktuar. 
9. Departamenti i Administratës Publike mund të autorizojë edhe nëpunës të tjerë civilë, të institucioneve të tjera, për të kryer detyrat e përfaqësuesit të DAP-it në Komitetin e Pranimit për Ngritjen në Detyrë. Caktimi i nëpunësit bëhet pas komunikimit me institucionin nga do të merret ky nëpunës. Institucioni dhe nëpunësi i emëruar janë të detyruar të bashkëpunojnë me DAP-in. 
10. Ekspertët zgjidhen nga njësia përgjegjëse për secilin KPND, duke patur në konsideratë karakteristikat e pozicionit për të cilin do të zhvillohet procedura e konkurrimit. 
11. Ekspertët zgjidhen nga pedagogët e universiteteve apo institucioneve të tjera të arsimit të lartë, ekspertët e licencuar të fushave të ndryshme apo ekspertët që vijnë nga profesionet e rregulluara dhe që kanë, të paktën, 5 (pesë) vjet eksperiencë në atë pozicion pune/profesion. 
12. Në rast pamundësie të pjesëmarrjes së anëtarëve të KPND-së, njësia përgjegjëse merr masa për zëvendësimin e tyre. 
13. Njësia përgjegjëse njofton KPND-në për datën e zhvillimit të vlerësimit të kandidatëve dhe për listën e tyre. 
14. KPND-ja merr vendime në praninë e të gjithë anëtarëve të tij. 
15. Për çështje procedure, vendimet merren me votim nominal. 
16. Për vlerësimin e rezultateve për secilin kandidat, secili prej anëtarëve jep pikët e tij. Në përfundim, pikët e grumbulluara për secilën fazë mblidhen. Rezultati përbën edhe vlerësimin përfundimtar të kandidatit. 
17. Përpara zhvillimit të vlerësimit me shkrim, testet e kandidatëve pjesëmarrës sekretohen, sipas mënyrës së përcaktuar nga njësia përgjegjëse. 
18. Nëse është e nevojshme, njësia përgjegjëse mund të caktojë pranë KPND-së një ose më shumë nëpunës të organikës së tij, për të kryer veprimtarinë e mbështetjes teknike dhe të sekretariatit. 
19. Ekspertët pjesëmarrës në KPND shpërblehen me shumën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh, për çdo procedurë konkurrimi. Të gjitha shpenzimet përballohen nga buxheti i njësisë përgjegjëse. 
20. Njësia përgjegjëse, për shpenzimet e të gjithë procesit të konkurrimit, ka një zë të veçantë në buxhetin e saj. 
21. Konkurrimi për procedurën e ngritjes në detyrë përfshin dy faza: 
a) verifikimin paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta për vendin/vendet e lira, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim;
b) vlerësimin e kandidatëve. 
22. Njësia përgjegjëse, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga data e mbylljes së pranimit të tyre, bën verifikimin paraprak të kandidatëve, që përmbushin kushtet dhe kërkesat e veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
23. Në përfundim të verifikimit, sipas pikës 22, të kreut III, të këtij vendimi, kandidatët, të cilët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta të pozicionit të punës, renditen në një listë sipas rendit alfabetik. 
24. Lista, e përmendur në pikën 23, të kreut III, të këtij vendimi, administrohet nga njësia përgjegjëse dhe shpallet në: 
a) faqen zyrtare të DAP-it dhe portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, për administratën shtetërore;
b) portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të internetit dhe në ambientet e brendshme, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore. 
25. Kandidatët që nuk plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim, renditen në një listë të veçantë, në të cilën tregohen edhe arsyet e mosplotësimit të këtyre kërkesave. Lista administrohet nga njësia përgjegjëse dhe nuk bëhet publike. Kandidatët që nuk janë kualifikuar njoftohen, individualisht, nga njësia përgjegjëse. 
26. Brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, nga data e njoftimit individual, në përputhje me pikën 25, të kreut III, të këtij vendimi, kandidatët që nuk janë kualifikuar kanë të drejtë të paraqesin ankesë me shkrim pranë njësisë përgjegjëse. Ankuesi merr përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, nga data e depozitimit të ankesës. 
27. Në vlerësimin e kandidatëve, përfshihen: 
a) vlerësimi i jetëshkrimit, që konsiston në vlerësimin e arsimimit,
përvojës e trajnimeve, të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve individuale në punë;
b) vlerësimi me shkrim;
c) intervista e strukturuar me gojë.
28. Totali i pikëve të vlerësimit të kandidatëve është 100, të cilat ndahen, përkatësisht:
a) 20 pikë për dokumentacionin e dorëzuar;
b) 40 pikë për intervistën e strukturuar me gojë;
c) 40 pikë për vlerësimin me shkrim.
Sigal