Kryeministri Rama: Kemi premtuar statusin e minatorit, do ta bëjmë dhe këtë

Kryeministri Edi Rama dje zhvilloi një interpelancë me përfaqësues të sindikatave të minatorëve ku deklaroi se qeveria ka në plan t’u imponojë kompanive të sigurimit sigurimin e jetës së çdo minatori. Kryeministri Rama theksoi se, “Sot kemi një sistem pensionesh të reformuar dhe çdokush që del në pension ka një pension të ndryshëm nga tjetri që ka në krah apo ka pasur në krah gjatë gjithë kohës së punës, sepse ka më shumë vite, ka më shumë kontribute shoqërore, kontribute në sigurime, që do të thotë që, ne jemi shumë të interesuar për propozimin tuaj për rritjen e pagës minimale të minatorëve, për të fuqizuar më pas, çdonjërin prej tyre dhe çdo familje edhe në aksesin në pension, sikundër jemi shumë të interesuar edhe për skemën që prezantoi këtu Fiqiriu, në emrin tuaj, lidhur me përshkallëzimin. Sigurisht ka një kosto, por kostot besoj duhet t’i shohim bashkërisht, se Fiqiriu e ka lapsin në dorë, edhe ministrat kanë lapsin në dorë dhe jo të gjithë lapsat i nxjerrin njësoj llogaritë në fund, për shkak se secili do të anojë nga ajo që përfaqëson. Ama e rëndësishme është që, duke i bërë llogaritë bashkë në tavolinë, do shohim se aritmetika në fund dihet, 7x7 bëjnë 49 dhe nuk kanë se si të bëjnë tjetër. Po ashtu është nevoja për të pastruar skemën. Kemi shumë probleme me dokumentacionet e trashëguara. Qasja drejt statusit, nëse nuk pastrohet skema, bëhet kërcënuese për vetë rezultatin, që do të thotë duhet të ndajmë qartësisht në status, çfarë quhet një ish-punonjës në miniera që meriton status, që të mos e bëjmë si me statusin e naftëtarit ku u shtri skema, se çohet një deputet këtej, hidhet një deputet andej dhe pastaj përfiton nga statusi edhe dikush që ka pasur komshi një naftëtar, gjë që e bën të pamundur aplikimin e plotë të statusit. Që do të thotë, që siç po veprohet me statusin e naftëtarit, ku ata që janë brenda kornizës së përcaktuar të profesioneve që ne kemi rënë dakord me ju, të përshkruar qartësisht, që në vitin 1958, ta marrin atë që u takon, të tjerët jo. Në rastin tuaj konkret, ne kemi nevojë për mbështetjen e të gjithë grupimeve tuaja, për të pastruar listat nga ata që shfaqen sot si ish-minatorë që duan të përfitojnë nga rezultatet e këtij procesi e që nuk e meritojnë të jenë pjesë në këtë proces. Këtu kemi pasur një shprehje vullneti nga ana e grupimit tuaj, besoj që nuk ka rezervë edhe nga sindikatat e tjera, ta bëjmë këtë në mënyrë që të jetë një listë e dakordësuar e të mos kemi manipulime dhe abuzime të natyrës pseudo popullore, pse u la ky jashtë e pse u la ai jashtë. Të jetë një listë e dakordësuar. Në këtë aspekt, besoj ju i qëndroni atij pozicioni, që jeni të gatshëm të kontribuoni për këtë proces. Një element që u la pa thënë, është në raport me jetën dhe me çfarë ndodh pas për familjet e atyre që fatkeqësisht humbin jetën, edhe pse ne kemi pasur një reduktim drastik të aksidenteve me pasojë jetën, si rezultat i shumë më tepër ligjshmërive sot në aktivitetin e minierave. Duhet të kemi parasysh që rruga nuk është buxheti. Rruga është sigurimi i jetës dhe ne e kemi pjesë të planit që t’u imponojmë kompanive sigurimin e jetës së çdo minatori. Në rast se fatkeqësisht, dikush humb jetën, është shoqëria e sigurimeve që përgjigjet për familjen për një periudhë kohe X, siç parashikohet në skemat e sigurimeve për jetën.