Kryeministri Rama ekspozon gazetarët te krimi i organizuar

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama, në Konferencën “Për Lirinë e Medias” e organizuar nga Komisioni Parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, foli 25 minuta të tëra për kredibilitetin e medias, duke fokusuar në sulmin e vet ata gazetarë dhe media që janë opozitarë ndaj qeverisjes së tij. Ky qëndrim i përsëritshëm i kryeministrit Rama, (madje edhe në një konferencë ndërkombëtare për Lirinë e Shtypit), irritoi kaq shumë gazetarët e huaj, sa gazetari malazes Zejko Ivanoviç, i pranishëm në atë konferencë, deklaroi i irrituar, se “fjalimet e Edi Ramës kundër gazetarëve prodhojnë vetëm vrasje”. Po atë ditë, të asaj konference për Lirinë e Medias, Radio Franceze Internacionale përshkruan një reportazh të gazetarit Jean Arnault Derens, i cili e cilëson Shqipërinë, si një narko-shtet. Jo më kot, kryeministri Rama zgjodhi këtë moment politik, për të sulmuar gazetarët. Bashkëpunëtorë të ngushtë të Kryeministrit Rama akuzohen me dokumente të pa përgënjeshtrueshme për bashkëpunim më krimin në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Njëfarësoj, kryeministri Rama e pranoi këtë fajësi politike, duke përjashtuar bashkëpunëtorin e vet, nga Partia Socialiste, duke kujtuar, se kësisoj “lau” përgjegjësinë e vet politike. Nëse kryeministri Rama, do të ndjente ndjeshmëri politike, duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Nuk mund të jesh akoma kryeministër, kur ministri yt ka bashkëpunuar me krimin për trafikimin ndërkombëtar të Drogës, dhe ty Edi Rama, si kryeministër, të hiqesh i paditur. Sepse të gjithë e dinë mirë në Shqipëri, që asnjë ministër i qeverisë së Ramës nuk mund të firmosë, nuk mund të hedhë asnjë hap, pa marrë paraprakisht aprovimin e kryeministrit Rama. Nëse një ministër i kryeministrit Rama akuzohet për bashkëpunim me krimin për trafikimin e lëndëve narkotike, kryeministri Rama ka pasur dijeni të plotë për këtë aktivitet. Për të mos thënë, që është kryeministri Rama, që ndoshta edhe e ka inkurajuar ministrin e vet, duke i dhënë imunitetin dhe gjithë përkrahjen që rrjedh nga ushtrimi i detyrës së lartë shtetërore. Kjo është edhe arsyeja, që kryeministri Rama sulmon edhe në konferencën e Bashkimit Evropian për Lirinë e Medias, gazetarët. Jo vetëm i sulmon publikisht. Kryeministri Rama ua dorëzon krimit ordiner, krimit të organizuar këta gazetarë, duke i hequr gazetarëve çdo mbështetje publike. Njëfarësoj, kryeministri Rama u dërgon krimit këtë mesazh: “Unë ua dhashë tani juve këta gazetarë që na shqetësojnë në punën tonë. Merruni ju me ata, mbylluani gojën”. Pak muaj më parë, një gazetare malteze e vranë, pikërisht, pasi ajo denoncoi korrupsionin e kryeministrit me botën e krimit. Mirëfunksionimi i demokracisë ekziston vetëm kur ruhen ekuilibrat ligjorë midis pushteteve të Ekzekutivit, Parlamentarizmit, Gjyqësorit dhe Medias. Madje, edhe cilësia e vetë demokracisë përcaktohet pikërisht nga respektimi i këtyre raporteve. Media gjithmonë është opozita e të të gjitha pushteteve, sepse vetëm ky është misioni i Medias në demokraci, por nuk ndodh asnjëherë në demokraci, që Ekzekutivi, (ca më pak, Parlamentarizmi dhe Gjyqësori) të komentojnë, e ca më keq, të sulmojnë Median. Ndërsa në Shqipërinë e Tranzicionit, kryeministri Rama në mënyrë sistematike, përbuz, i fyen, i injoron, pikërisht ata gazetarë që e bëjnë opozitë, që përditë botojnë fakte, dokumente, argumente për korrupsionin e qeverisë së tij, për lidhjet e politikës me botën e krimit. Ishin gazetarët ata që nxorën në dritë faktet e korrupsionit të koncesioneve që qeveria e Ramës u ka dhënë klientëve të vet biznesmenë. Ishin gazetarët ata që faktuan kryebashkiakë dhe deputetë socialistë, të përzgjedhur nga Kryetari i PS Edi Rama, që kishin rekorde kriminale. Nuk mund të jesh akoma kryeministër zoti Rama, kur deputeti, kryebashkiaku, që vet ke përzgjedhë, ka pasur më parë rekorde kriminale. Kryeministri Edi Rama, personalisht përndjek edhe nga mediat, ata gazetarë, që denoncojnë me fakte korrupsionin e qeverisë së tij. Shembujt janë me dhjetëra, ku gazetarë janë zbuar nga televizione, nga gazeta menjëherë pasi kanë publikuar reportazhe të korrupsionit të qeverisë së Ramës. Kjo është “vrasje e bardhë”, që kryeministri Edi Rama hakmerret personalisht kundër atyre gazetarëve që e kundërshtojnë fort qeverisjen e tij, duke dashur tu mbyllë gojën, me pushimet nga puna. Kur, ndërkohë, kryeministri Rama, është i vetmi kryeministër në Historinë Botërore, që flet në televizione me orë të tëra përditë. Madje, është i vetmi kryeministër në Botë, që ka edhe televizionin e vet ERTV, nëpërmjet të cilit transmenton live çdo aktivitet politik. Kjo nuk është gazetaria që prodhojnë gazetarët. Kryeministri Rama, ndërkohë, ka punësuar një armatë të tërë , të cilët prodhojnë kaseta të gatshme të propagandës të kryeministrit Rama dhe, paskëtaj, e shpërndajnë nëpër të gjitha kanalet televizive, duke u imponuar vetë kryeministri Rama ta transmentojnë live, të plotë, me orë të tëra. Bashkautorë të vrasjes së bardhë që kryeministri Rama u bën gazetarëve është edhe heshtja fajshme e atyre (pseudo) forumeve e shoqatave dhe unioneve të gazetarëve, të cilët kryeministri Edi Rama i financon pikërisht që të luajnë rolin e sabotuesit. Prandaj, sa herë kryeministri Rama fyen dhe poshtëron publikisht gazetarët, këto organizma të shoqatave, unioneve, forumeve të gazetarëve në Shqipëri heshtin. Nga Shqipëria janë larguar në 5 vjetët e qeverisjes së kryeministrit Rama dhjetëra gazetarë, të cilët, fillimisht u pushuan nga puna, ngaqë kritikuan korrupsionin dhe bashkëpunimin e qeverisjes së kryeministrit Rama me botën e krimit. Nuk duhet të presin që të ndodhin në Shqipëri edhe vrasje të atyre gazetarëve që denoncojnë korrupsionin dhe bashkëpunimin e qeverisjes së kryeministrit Rama me botën e krimit, për të pranuar dhe pohuar, paskëtaj, që vrasja e gazetarit është politike. Kur vrasja e gazetarit është vrasje politike, ideatori, frymëzuesi, nxitësi i vrasjeve politike të gazetarëve në Shqipëri është vetë kryeministri Rama, i cili më parë, i ka fyer, i ka poshtëruar publikisht dhe i ka pushuar dhe përndjekur edhe nga media ku punojnë, këta gazetarë.