Kryeministri Rama, “ç’gradon” Komisaren e Expo Milano 2015

650
Shtetin shqiptar, duket se e kanë “marrë peng” disa struktura fantazmë që paguhen nga shteti, por që funksionojnë edhe si OJF, të lidhura me shtetarët, të cilat me fuqinë që kanë mbi shtetin, po kontrollojnë gjithë aktivitetet promovuese shtetërore, që organizon Shqipëria brenda dhe jashtë vendit. Edhe këto aktivitete zyrtare, rezulton se janë bërë viktimë e abuzatorëve, që punojnë në shtet, që financohen nga shteti e që “vjelin” miliona euro nga buxheti i shtetit. Prova më e qartë e futjes së shtetit në kthetrat e korrupsionit edhe me aktivitetet promovuese zyrtarisht të Shqipërisë është fakti skandaloz me financimet dhe praktikën e organizimit abuziv të Panairit “Expo Milano 2015”, ku pjesëmarrëse është edhe Shqipëria, të cilin Gazeta “Telegraf” po e publikon sot. Fakti është ky: Dje, kryeministri Edi Rama, pas disa denoncimesh për aferë korruptive me organizimin e Panairit “Expo Milano 2015”, ka larguar zonjën Manjola Gjoni, nga detyra “Komisare e Përgjithshme e Shqipërisë, në Panairin “Expo Milano 2015”. Kujtojmë, që Manjola Gjoni është ngarkuar nga Qeveria Shqiptare, me detyrën e lartë si Komisare e Përgjithshme të Shqipërisë në Panairin “Expo Milano 2015”, ndërkohë që në Shqipëri është Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), strukturë shtetërore. Zonja Gjoni e njohur për futjen nën kontroll klientelist të panaireve dhe aktiviteteve promovuese shtetërore, siguroi edhe “pasaportën” e menaxhimit të “stendës” shqiptare në Panairin “Expo Milano 2015”, i cili ka këtë moto: “Ushqimi ynë, historia jonë, misteri ynë”. Në këtë panair, që ka nisur më datën 1 maj 2015 dhe mbyllet më 31 tetor 2015, Shqipëria është pjesëmarrëse për herë të parë. 
Drejtimin shtetëror të Shqipërisë në këtë panair, deri dje e ka pasur Manjola Gjoni, njëherazi Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), ku drejtues dhe anëtarë bordi të kësaj OJF-je janë edhe 70% e shtetarëve kryesorë shqiptarë. Qysh nga dje, me vendim të kryeministrit Rama, shefja e AIDA-s Manjola Gjoni, nuk është më përfaqësuese e Shqipërisë në këtë panair, mbasi kryeministri e ka shkarkuar nga posti si “Komisare e Përgjithshme e Shqipërisë” në Panairin “Expo Milano 2015”. Shkak i çgradimit të zonjës Gjoni nga posti si “Komisare e Përgjithshme e Shqipërisë” në Panairin “Expo Milano 2015” është fakti, që në këtë panair me objekt promovimin e investimeve në sektorin e ushqimeve shqiptare, zonja Gjoni dhe ekipi i caktuar prej saj, kanë mbushur stendat me promovim ekspozitash arti, me libra fetarë dhe projekte private investimesh në energji, kulturë, art, ndërtim etj, ndërkohë që duhej të promovonin vetëm investime dhe arritje në fushën e bujqësisë e të ushqimit. Edhe pse pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë panair e ka përshëndetur Ambasadori Italian në Shqipëri, zoti Massimo Gaiani, i cili së bashku me përfaqësuesit e Shqipërisë në “Expo Milano 2015”, nxiti dhe organizoi Uorkshopin me temë “Shqipëria drejt Expo Milano 2015”, kjo nuk e ka penguar kryeministrin Rama, që 40 ditë pas hapjes së panairit, të merrte vendimin për largimin e zonjës Manjola Gjoni, nga drejtimi i pjesës shqiptare të panairit. 
Një nga skandalet e tjera që e nxiti kryeministrin Rama, për të larguar zonjën Gjoni është edhe fakti, që stendat shqiptare ishin një përfaqësim mjeran, primitiv, thjeshtë sa për të mos munguar në panair, ose më saktë me qëllimin e vetëm, për të zhvatur fondet, të cilat kishin edhe një një financim “bonus” prej 300 mijë euro nga shteti, vetëm për logot e stendave, të cilat duhej të ishin vetëm promovim të produkteve ushqimore shqiptare, por që faktikisht zinin vetëm 12% hapësirë në stendat shqiptare të këtij panairi! Skandali tjetër, që detyroi kryeministrin Rama, për të shkarkonte zonjën Gjoni nga posti si “Komisare e Përgjithshme e Shqipërisë në Panairin “Expo Milano 2015” është edhe fakti, që me fondet e shtetit ajo ka prenotuar 4 shtëpi me qira, secila me nga 5000 euro në muaj, për strehimin e zonjës Gjoni dhe të ekipit që menaxhon stendat shqiptare në Panairin “Expo Milano 2015”. Sipas informacionit të Gazetës “Telegraf” shteti shqiptar ka paguar deri dje, vetëm faturën e parë të qirasë së 4 banesave private me vlerë 20 mijë euro gjithsej. Nuk e dimë nëse shteti shqiptar, do të mbajë me qira këto katër banesa me nga 5000 euro qira mujore secila për 6 muajt që do të vazhdoj panairi, por dimë faktin që kryeministri ka shkarkuar “sekseren” e kësaj vlere qiraje absurde të 4 banesave që janë marrë në Milano… 
——————————————–
Ja Bordi Drejtues i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), që drejton Manjola Gjoni
Edi Rama, Kryetar i Bordit, Kryeministër
Arben Ahmetaj, Nënkryetar i Bordit Drejtues
Ministër, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Shkëlqim Cani, Anëtar
Ministër, Ministria e Financave
Edmond Panariti, Anëtar
Ministër, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave
Eglantina Gjermeni, Anëtar
Ministër, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Edmond Haxhinasto, Anëtar
Ministër, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
Gjergj Gjika, Anëtar
Avni Ponari, Anëtar
Edmond Leka, Anëtar
Seyhan Pencaphgil, Anëtar
Sigal