GREQI- Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka folur për situatën e vështirë që po kalon vendi si pasojë e zjarreve, ku deri më tani kanë humbur jetën mbi 60 persona dhe mbi 170 janë plagosur në rajonin e Atikës.  Tsipras ka shpallur tre ditë zie kombëtare në nder të viktimave.

“Është kohë e vështirë për Atikën, një natë e vështirë për Greqinë, por më shumë se 600 zjarrfikës dhe 300 automjete po punojnë në tre fronte”-deklaroi Aleksis Cipras, pas takimit informues në Qendrën e Koordinimit të Brigadave Zjarrfikëse në Halandri.

Kryeministri i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkojnë forcat për të bërë më të mirën dhe për të shpëtuar jetë.

“Të gjithë duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë, të bashkuar dhe të bëjmë përpjekje për të përballuar një situatë shumë të vështirë për Atikën dhe të gjithë vendin”- tha ai.

Tsipras ndërpreu një vizitë në Bosnjë-Hercegovinë ku do të merrte një çmim për kontributin për paqen në Ballkan.