Kryeinspektori i Pyjores u kërkon librazhdiotëve 2 milionë lekë ryshfet

603
Sigal

Banorët: Do protestojmë për të shkarkuar Kryeinspektor Bledi Koçin

Librazhd: Në qytetin e vogël të Librazhdit skandalet nuk kanë fund. Ashtu sikurse në gjithë Shqipërinë dhe ky qytet i mbytur në papunësi, si dhe fukarallëk priti që me 23 qershor të vitit 2013 të rilindë, por ja që nuk ndodhi kështu. Jo vetëm që nuk rilindi, por po zhytet çdo ditë dhe më keq akoma me skandalet që drejtorët e institucioneve bëjnë në këtë qytet. Ka kohë që flitet për prerjen e pyjeve dhe për zbatimin e ligjit mbi këtë dikaster, por mesa duket, në Librazhd nuk do ta dijë njeri që dhe në pyjet afër qytetit sulen individë të ndryshëm për prerjen e pyjeve duke i masakruar. Motosharra dhe sëpata ka rënë fort mbi këto pyje të bukura prej lisi që janë në kufi me qytetin e Librazhdit, rreth 1 km larg, por dhe në zonat e mbrojtura siç është Parku Shebenik-Jabllanicë. Në të gjitha pyjet që rrethojnë qytetin, pothuajse individë të pandërgjegjshëm kanë prerë dhjetëra drurë dushku(lisi). Por, në fakt, çfarë ka qytetari kur përgjegjësi i institucionit përkatës dhe konkretisht Kryeinspektori i Pyjores, Bledi Koçi nuk ka kohë që të merret me këtë punë dhe të bëjë detyrën që i takon, pasi ai ka tjetër mision më vete. Z Koçi ka misionin e vënies së gjobave sipas dëshirës së tij dhe ka kohë që ka nxjerrë në dritë dhe një stil tjetër: Ai së bashku me vëllain e tij troket shtëpi më shtëpi në mes të natës nëpër banorët e fshatit, ku shikon truma drush dhe u thërret të dalin jashtë. “Për këto drutë që ke këtu, më jep në dorë 2 milionë lekë, ose të këputa gjobë” u thotë, pa e pyetur fare fshatarin se mund te ketë leje, mund te ketë dru të thatë për shtëpinë e tij e kështu me radhë… Për këto gjëra z Koci nuk do t’ia dijë fare, mjafton që të mbushë plot xhepin e tij dhe të ministrit që e mbron fort, edhe pse ky njeri nuk ka pikë vlere njerëzore, para së gjithash. Nazmi Bedeli, një fshatar nga fshatrat e thella të Librazhdit thotë për gazetën se “Nuk dimë, ku të ankohemi, pasi na ka ardhur shpirti i nënës në majë të hundës. Të jesh në hallin tënd dhe të vijë shefi i Pyjores në 11 të natës, në shtëpi dhe të vejë gjobë pa të keq fare, vetëm se unë nuk pranoj t’i jap ryshfet në dorë!? Më kërkoi 2 milionë lekë në dorë, ose ndryshe, më tha, të këputa gjobë. Kjo është për të ulëritur, po ku të shkosh? Ne prit, se do bëhemi më mirë dhe sigurisht do të rilindim, por me këta njerëz të pashkolluar… që vihen drejtorë ngaqë kanë mbështetje politike dhe aspak zotësi për punë, të paaftë dhe pa asnjë klasë shkollë… po na lenë pa bukë fare…” thotë Bedeli. Por këto janë fjalët që dëgjohen çdo ditë nga shumë qytetarë nëpër rrugët e qytetit të Librazhdit. “Mua më kanë gjobitur disa herë nga 1milion -1 milion e gjysmë lekë, vetëm se më kanë gjetur dy-tre metra dru në shtëpi për të djegur gjatë dimrit, madje jam me leje nga rojtari i zonës. Ndërsa kamionët që kalojnë çdo ditë këtu plot dhe po bëjnë kërdinë nuk i luan njeri, se atyre ua merr në dorë sa i do qejfi vetë Koçit” thotë një tjetër banor. Të tjerë banorë shprehen të irrituar për faktin se kryeinspektori bashkë me të vëllanë u vë gjoba pa të drejtë pa pyetur për njeri, duke bërë namin. “Ne nuk dimë se ku ky kryeinspektor e ka të shkruajtur në ligje që mund të dalë për të punuar dhe në orën 2 të natës dhe për më tepër, të kontrollojë shtëpi më shtëpi dhe derë më derë me pretendimin se ‘unë jam ligji dhe unë jam Maliqi, unë nuk pyes për njeri, pasi kam ministrin që më mbron fort’” thonë librazhdiotët. Banorët e rrethit shprehen se nëse do të vazhdojë më gjatë kjo situatë, do të dalin dhe të protestojnë para Drejtorisë së Përgjithshme pyjore për shkarkimin e Bledi Koçit nga kjo detyrë, ndërsa pretendojnë se janë gati të shkojnë deri në ministri për këtë problem që ata kanë. Por ka disa ditë që “Bledi Koçi ka nxjerrë dhe një alternativë tjetër që mua si fshatar më irritoi dhe më tepër” thotë B. Vasku. “Nëse je duke ardhur, qoftë dhe me një makinë dru, për të cilën mund të kesh marrë leje për t’i prerë (dru për shtëpi), pra, mund të jesh në rregull me ligjin, të del në rrugë ky i famshmi Bledi Koçi, i cili është bërë si gangrenë dhe të thotë: Nuk po të vendos gjobë, por shko dhe shkarkoi drutë te fabrika e verës në Librazhd, merr 18 mijë lekët e tua dhe lëri aty! Më pas i shet pronari i fabrikës së verës me 28 mijë lekë metri. Mjafton të shkoni te fabrika e verës në Librazhd dhe mali me dru nuk ka fund aty, është kthyer tamam si një pikë grumbullimi. Nuk e di se, ku ky zoti Koçi e ka të shkruar këtë në ligj, që një fabrikë vere mund të shesë dhe dru, por ajo që dua të them është se mua më ka rënë në qafë. Sa herë me ka gjobitur pa të drejtë dhe nuk kam as bukë të ha dhe jo të ngop me lekë Bledi Koçin me grupin e tij dhe ministrin!” përfundon Vasku.

Albin Bajrami

Shënim i redaksisë: Në numrat e tjerë do të zbardhim: Kujt dhe sa ia ka blerë tokën për lokalin e tij, kur ishte drejtor i Shëndetit Publik në Librazhd? A e ka paguar, apo ka gjetur të tjera mënyra alternative për të shlyer detyrimet e tij? A ka abuzuar me detyrën për të lehtësuar marrjen e pronësisë?