Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj/ Kongresi i Prishtës, ngjarje e shënuar për miliona besimtarë në botë. Nuri Çuni: Sot në 98-vjetorin e Kongresit të Parë Bektashian, nderojmë Sali Niazi Dedein!

769
Sigal

Nga Nuri Çuni

Sot, 98-vjetori i Kongresit të Parë Bektashian të Prishtës

Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Kongresi  i Prishtës, ngjarje e shënuar për miliona besimatrë në botë

-Presidenti i Republikës i jep sot Sali Niazi Dedeit dekoratën “Nderi i Kombit”-

Dy ngjarje të rëndësishme janë objekt i aktivitetit të sotëm në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë: Përkujtimi i 98-vjetorit të Kongresit të Parë Bektashian të Prishtës dhe akordimi nga Presidenti i Republikës i dekoratës “Nderi i Kombit” për klerikun e njohur bektashian, Sali Niazi Dedei. Këto evenimente do  të shoqërohen dhe me ekspozita, koncerte artistike e aktivitete të tjera të përgatitura enkas për këtë ditë. “Janë dy data të shënuara për miliona bektashinj kudo që ndodhen në botë. Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës, është një ngjarje e shënuar për miliona besimtarë në botë. Ndërsa vlerësimi i klerikut Niazi Dede nga Presidenti Ilir Meta, është dhe një tregues tjetër i vlerësimit shtetëror për rolin që kanë luajtur dhe luajnë në histori bektashizmi dhe klerikët bektashianë…”- pohoi mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

1-Vështrim historik

Në kontekstin historik misionarët e hershëm në Shqipëri, por edhe në Skrapar lanë gjurmë si në Tomorr, mal besimi, që nga lashtësia në antikitet, mesjetë e deri më sot drejtojnë pelegrinazhin tradicional. Në fund të shek. XV, në Çukën e Tomorit, Haxhi Babai ngriti varrin kenotaf në nderim të flamuratarit të Qerbelasë, AbazAliut. Ata që morën përsipër mirëmbajtjen dhe përkujdesjen e këtij vendi ishin bektashinj. Hershmëria e përhapjes së bektashizmit në këtë zonë e favorizuar edhe rruga e koridori Berat – Uji i Zi – Këlcyrë – Janinë si një degëzim i Egnatias, i rrahur nga romakët, bizantët dhe osmanët. Në popull njihet me emrin ”Udha e Karvanit”.  Naimi shkruan:

“Abaz Aliu zu’ Tomorrë

Erdhi afër nesh

Shqipëria s’mbetet e gjorë,

Se Zoti e desh.”

Dervish Iljasi ngriti në Kulmak teqenë e famshme në nderim të Çukës së Tomorrit, Abaz Ali. Në Skrapar punuan dhe kontribuan edhe baballarë të tjerë me famë: Baba Fetahu i Backës, Baba Meleq Staravecka (Shëmbërdhenj), Dervish Iljasi, Baba Ali Tomorri, si dhe baballarët dhe dervishët e teqesë së Prishtës.. Historia e themelimit të teqesë së Prishtës është interesante, e cila në histori la gjurmë. Kjo lidhet dhe me kohën kur u themelua, pas teqesë së Frashërit. Të dhënat burimore flasin se më 1781 u ngrit teqeja e Frashërit, të cilën e drejtoi baba NasibiTahiri, i ditur dhe shenjtor i madh. Me fjalët e çuditshëm ai ka thënë: “Me emrin Tahir kam ardhur më parë në Malind të Skraparit, tani këtu, në Frashër e si të vdes këtu, kam për të vajtur në Prishtë ku do të bëj gjithë këto vepra mirëbërëse: Baba Tahiri para se të vinte në Frashër, ekzistonte në Malind, tyrbja e Tahir Babajt, i cili kishte ndërruar jetë në kohën e Sulltan Sulejmanit. Pasi ndërroi jetë Nasibi Tahiri, në Prishtë më 1850 shkëlqeu baba Tahir Kotobelli. Ai pati kundërshtime nga Malko Shehu për të mos e ngritur teqenë nëpërmjet përkrahësve të tij, si në fshat dhe rrethinat. Por baba Tahiri i mençur u përkrah nga besimtarët e tij dhe nga mytesarifi i Beratit, HysenVirioni dhe e ngriti teqen. Për këtë flet edhe këngapopullore:

Dervishi i Baba Tahirit

Ka dal e i bie  nefirit,

I lutet hakut, i lutet Pirit,

I thërret baba Tahirit,

Baba Tahiri dëgjoi,

Mbathi këpucët dhe doli,

Hodhi sytë nga Tomorri,

Me Abaz Alinë foli.

Një re të zezë seç nxori

O moj re ku vete kështunë?

Në Prishtë  kam pak punë.

A dëgjon moj Prishtë e mjerë

Po të vjen një breshër me erë.

Kërcunjë e shkëmbinj për derë.

Pse s’dëgjuat Tahir Dedenë,

Po dëgjuat Maloko Shenë?

Aman. O baba Tahiri,

Se kaq na i preu fiqiri!

Në e bëfshim tjetër herë.

Mos mbeçim më asnjëherë!”

Së pari, Baba Tahiri, me përkushtim e forcoi ekonomikisht teqenë dhe krijoi një bibliotekë të pasur me libra. Afroi shumë besimtarë dashamirës dhe intelektualët e kohës. E vërteta është se arkitektura e kësaj teqeje ishte madhështore me harqe, korridori i madh dhe dhomat  e shumta, sipas kritereve të bektashizmit. Teqeja rrezatoi dritën e saj të bektashizmit në gjithë popullin e malësisë së Skraparit, Dëshnicës, Tepelenës, Nahijes së Beratit dhe Mallakstrës. Emri i saj erdhi duke u njohur në gjithë jugun e Shqipërisë dhe jashtë saj. Teqeja e Prishtë ku u mbajt Kongresi i Parë bektashian, mbart në historinë e vet sa e sa episode të lavdishëm të besimit të palëkundur në Zot, por edhe të dashurisë për këto troje. Klerikët që kanë shërbyer aty si baba Tahiri, baba Ahmeti, baba Xhaferi, baba Shabani, baba Hysejni, Baba Kamberi, baba Ali Turabiu, si edhe dhjetëra të tjerë, kanë mundur të mbajnë të ndezur çirakun e Haxhi Bektash Veliut, duke shpërndarë dritë dhe besim edhe në kohrat më të vështira të vendit tonë. Ajo dritë, ai besim, mbajti të ndezur në zemrat e të gjithëve, dashurinë e madhe, mësimin e madh se vetëm me pushkë dhe me penë mund ta shpëtojmë mëmëdhenë.  Nuk është aspak rastësi që rilindasit e Shqipërisë së Jugut, gjetën në teqenë e lavdishme të Prishtës, Tomorrit, Backës, Kuçit, Therepelit, Frashërit, Veliabishtit, Alipostivanit, Përmetit, Vokopolës, çerdhen e ngrohtë të tyre, gjetën libra dhe abetare, gjetën bukë, strehë e luftëtarëve të lirisë. Në kujtesën e Skraparasve do të mbeten të paharruara baballarët me famë si Baba Meleq Staravecka (Shëmbërdhenji), baba Fetahu i Backës, Dervish Iljasi për kontributin kombëtar. Duhet theksuar se Kongresi i Prishtës ishte pjesë dhe një hallkë madhore e vazhdimit të mëtejshëm të procesit të kahershëm e të pandërprerë të kontributeve të bektashinjve në luftën për liri pavarësi e përparim të popullit shqiptar. Por tashmë e zhvilluar dhe e realizuar në rrethana të reja politike dhe historike, sepse vepra e re me karakter kombëtar e bektashinjve i shërbente procesit të konsolidimit të mëtejshëm të pavarësisë së vendit dhe fuqizimit të shtetit shqiptar. Pasuesit e baba Tahirit si; baba Ahmedi, në vitin 1902 solli abetaren e parë në Prishtë, sa u burgos dhe e vranë turqit osmanë, baba Xhaferi nga Luzati i Tepelenës, baba Shabani nga Buzi i Tepelenës, Baba Hyseni nga Panariti i Beratit (sot me Skraparin)  kontribuan në përhapjen e gjuhës shqipe. Baba Xhaferi më 1908 ngriti shkollën e parë shqipe në Çorovodë. Dervish Selfo Rasho në kujtimet e tij shkruan midis të tjerave takimet në teqenë e Prishtës: “Në motet e shekullit të ri (XX) unë kam njohur Baba Medinin e Gllavës, baba Ahmet Koshtani, baba Sali Matohasanaj, baba Ahmet Turanin, baba Ali Bënçën dhe dervish Iljasin e Vërzhezhës. Ata ishin të lidhur ngusht me popullin me katundet e krahinat. Pas mitingut që u bë në Berat nga Babë Dudë Karbunara më 1909 me baba Turanin, dervish Iljasin e dervish Medinin, denjëm ca ditë në Prishtë. Aty u hartua një kartë për zotin Kristo Gjirokastritin (Meksin) për libra e fletore shqipe. Disa herë me baba Ahmetin, dervish Medinin dhe dervish Iljazin shkuam ndë Manastir e Bukuresht ku u poqëm me Nikollë Naçon. Teqeja u bë qendër e rëndësishme në rilindjen kombëtare. Baba Shabani me patriotët e tjerë skraparas, Hasan Koprëncka, Mahmud Zaloshnja, Jaçe Gjergjova, Fetah Sevrani, Zenjel Braçi morën pjesë në mbrojtjen e shkronjave shqipe të vitit 1910. Baba Shabani vuri në dispozicion të pavarësisë së Shqipërisë gjithë influencën morale dhe fetare që kish në popull, por edhe gjithë pasurinë e teqesë. Ngjarjet e vitit 1913-1914 nga adartët grekë sollën pasoja rrëqethse për popullin shqiptarë. Shtypi dhe dokumentet e kohës flasin për barbarizmat e andartëve grekë që bënë në Skrapar e gjithë Jugun e Shqipërisë, djegie, shkatërrim, masakër, nuk shpëtuan nga kjo edhe  teqetë bektashiane si: Teqeja e Prishtës, Backës, Tomorrit, Frashërit, Kiçokut, Veliabishtit, Shëmbërdhenjit e gjithë teqetë e Jugut. Gazetën “Liria e Shqipërisë”, më datën 27 mars  1915, Varf Aliu, dervish i kësaj teqeje. Ndër të tjera ai shkruan: “Prishta është një nga fshatrat e Malësisë së Skraparit, ku 60 vjet e po tëhu gjendet Shtëpi Zoti (teqe) pan-bektashiane… Këtë shtëpi të madhe hijerore që po rrëfenj e ka djegur njëherë më parë qeveria turke dhe prap u ndërtua, por mjerisht vandalët e Kostësi, duke parë që kjo Shtëpi Zoti epte dritën e zgjimit te populli i paditur shqipëtar, si në të gjithë fshatrat edhe në Prishtë, u derdhë me egërsi: vranë, prenë, plaçkuan teqenë edhe shtëpitë e fshatit dhe iknë praptazi, ku morën tok varfë e fshatarë si robër.” Falë baballarëve dhe dervishëve e ndihmat nga shqiptarët në mërgim, Amerikë dhe  Evropë, teqeja u ringrit, në vitin 1920.

2-Përgatitja e Kongresit të Prishtës

Bektashizmi ishte frymë jetëdhënëse në kraharorin e Rilindjes kombëtare: Tempujt bektashianë u kthyen në shkolla të shqipes, të abetares së përndjekur, në strehë të çetave për liri. “Pa atdhe s’ka fe” kjo ishte  kambanë zgjimi e bektashianëve. Kongresit i Lushnjës në janar të vitit 1920 i jepte liri fesë  në Nenin 93 të Statutit të këtij Kongresi dhe merrte në mbrojtje besimet fetare. ”Shqipëria, theksohej, njeh dhe mbron barazi synizmën, bektashizmën, ortodoksizëm e katolicizmin”. Baballarët parapërgatitën terrenin për zhvillimin e kongresit të parë bektashian në Shqipëri gjatë vitit 1920. Baballarët me mençurinë e tyre dhe vizionarë e shikonin këtë proçes si pjesë  mbas Kongresit të Lushnjës si një proçes të rendësishëm për demokratizimin e shtetit shqiptar. Me kërkesat e tyre ndaj qeverisë së Sulejman Delvinës thuhet: “n’emin klerikal bektashian baballarët bektashi do të bëjnë një mbledhje të përgjithshme në teqe të Prishtës së Skraparit në janar 1921 për një reformë bektashiane morale në Shqipni, e sipas rregullave duam edhe një përfaqësues që të jetë n’atë tarikat. Nënshkruar prej baba Ahmet Turanit të Tepelenës dhe baba Hysejnit të teqesë së Prishtës”. Kurse Arqif Pashë Elbasani në Këshillin e Lartë i drejtohet Kryeministrit me shkresë: “Kabineti i parë pat dhënë leje baballarëve që t’a bajnë atë mbledhje. Dhe janë lajmëruar Prefektura e Beratit dhe e Gjirokastrës mbi  këtë gja…”  Grupi i baballarëve të teqesë së Prishtës si: Baba Hyseijn, Baba Ahmet, baba Ali Turabiu, baba Kamberi ndihmuan dhe u murën seriozisht në përgatitjen e Kongresit bektashian të vitit 1921. Një ndihmë të veçantë dhe organizator dhe kryetar i këtij Kongresi ishte babai i shquar i teqesë Turanit Tepelenë, baba Ahmet Turani. Ata përgatitën strukturën e plotë për këtë Kongresë të rëndësishëm. Në komunikimin me shtetin shqiptar, masat organizative për pjesëmarrjen e gjithë delegatëve nga gjithë Shqipëria, akomodimin e tyre për të dalë me sukses kongresi i parë.

3-Kongresi i Parë i teqesë së Prishtës në Skrapar

Kështu, më 14-17 janar të vitit 1921, 98 vjet më parë zhvilloi punimet Kongresi i parë bektashian në teqen e Prishtës  të Skraparit. Një nga teqetë më të pasura dhe të rendësishme në Shqipëri, sidomos për rolin e saj që ka luajtur në fillim të periudhës post-otomane. Morën pjesë baballarët  e teqeve të Shqipërisë, intelektual, simpatizant të bektashizmit dhe përfaqësuesi i qeverisë shqiptare Fehim Zavalani. Kongresi aprovoi Statutin Bektashian, i cili u quajt “Lidhja bektashiane” me 28 nene. U zgjodh për herë të parë Këshilli Atnor për drejtimin dhe organizimin e bektashizmit në Shqipëri me qendër në teqenë e Sukës, Përmet. Këshilli Atnor  përbëhej nga 7 anëtarë. Neni 1 thuhet: “ Për administrimin fetar të teqeve bektashi të Shqipërisë e për të mbajtur rregullin e grupit klerikal bektashian, kongresi i Prishtës i dha fuqi kryesimi “Këshillës Atnore” q’u formua prej Gjysh Ahmet Baba Turani, Gjysh Sulejman Baba Gjirokastra, Ahmet Baba Elbasani, Xhemal Baba Përmeti, Mustafa Baba Frashëri, Kamber Baba Prishta, Hajdar Baba Turani Korça.” Neni 12 thuhet: “Arka e përgjithshme e bektashive u themelua në këtë Kongres për mbushjen e dëshirës përparimit bektashian.” Rëndësia historike e Kongresit të  Parë qëndron edhe në vendimin e tij për përkthimin në gjuhën shqipe të gojëdhënës bektashiane dhe çeljen e shkollës për përgatitjen e klerikëve “Mësimorja bektashiane”.  Është fakt historik se procesi i kombëtarëzimit të institucioneve fetare në vitet 1920-1924 erdhi si një proces i nevojshëm dhe në kohën e duhur për forcimin e shtetit shqiptar. Kongresi i parë bektashian i Prishtës, në Skrapar ishte i veçantë, sepse dhe rrethanat historike që po kalonte vendi ynë, lufta dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë për çështjen e  kombëtarizimit të institucioneve fetare dhe pavarësimi i plotë i tyre ishte pjesë e procesit historik të konsolidimit të shtetit shqiptar. Sepse kish tendenca për të bërë më të thella dallimet krahinore, që pengonin ndërtimin e institucioneve politike, arsimore e bënin edhe më të lehtë ndërhyrjet e huaja. Duke penguar proçesin si brenda dhe jashtë vendit. Prandaj pavarësimi i institucioneve fetare që në fillimet e jetës së pavarur shtetërore ishte një një nyje e rëndësishme në kohën dhe vendin e duhur. Siç thotë akademiku Beqir Meta: “Pionierët e këtij procesi u bënë klerikët e shquar bektashinj, të cilët ishin të parët që çelën rrugën e pavarësimit të plotë dhe të kombëtarizimit të institucioneve fetare duke e konceptuar këtë si një pjesë substaciale të ndërtimit të shtetit kombëtar dhe të plotësimit të ndërtimit të kombit modern shqiptar në të gjitha qelizat e tij sociale, shpirtërore, kulturore dhe politike. Kongresi i parë bektashian i janarit të vitit 1921 pikërisht për këtë arsye mbetet  një  trashëgimi shumë e vlefshme historike për kombin shqiptar, i cili përbën një nga vlerat më të spikatura të bektashizmit dhe kontributeve që ai ka dhënë në formimin tonë kombëtar” Statuti bektashian e shpalli të pavarur tarikatin bektashian duke u bërë frymëzues dhe shembull për procesin e vrullshëm të  sendërtimit të institucioneve të tjera fetare të Shqipërisë së re. Qeveria shqiptare e kohës u tregua shumë e interesuar dhe e mbështeti kongresin e 14- 17 janarit në teqenë e Prishtës, i cili sanksionoi krijimin e Komunitetit Bektashian Shqiptar. Prandaj  Kongresi i Parë bektashian i Prishtës i janarit 1921 mbetet një trashëgimi i vyer për kombin shqiptar përbën një nga vlerat më të spikatura të bektashizmit dhe kontributeve që ka dhënë. Për bektashianët shqiptarë si në Rilindjen kombëtare dhe gjatë gjithë historisë së popullit tonë me devizën „Pa atdhe nuk ka fe“ mbi gjithçka ishte atdheu. Ata e zbatuan me dlirësi porosinë e kryebektashiut Naim Frshëri, i cili theksonte baballarët duhet të kryesojnë me fjalë të shenjta luftën për liri. Varfët (dervishët) të bëhen shokë në  gëzime dhe hidhërime. Myhibët, anëtarë spiritual bektashian të mos kursehen nga vdekja për atdhe. Gjithësesi, Statuti i parë i bektashinjve shqiptarë, lozi një rol të veçantë jo vetëm për zhvillimin e besimit bektashian në Shqipëri dhe më gjerë, por ishte edhe një model i shkëlqyer për hartimin e statuteve të tjera për komunitetet fetare të cilat shërbenin për unifikim kombëtar. Statuti bektashian shpalli të pavarur besimin bektashian dhe ishte frymëzues në sendërtimin e institucioneve të tjera fetare të Shqipërisë së ardhshme. Njohim se proceset e mëdha politike kombëtare që nisën nga kongresi i famshëm i Lushnjës, në vitin 1920, krijoi bazë për realizimin e përpjekjeve të kahershme  të klerikëve bektashianë për të krijuar institucione  të pavarura. Qeveria shqiptare e Sulejman Delvinës u tregua shumë e interesuar dhe e mbështeti Kongresin 14-17 janarit 1921, në teqenë e Prishtës, i cili sanksionoi krijimin e Komunitetit Bektashian Shqiptar. Fakti që i deleguar ishte personalitetit i lartë Feim Zavalani, i cili në vitet 1909-1910 drejtonte gazetën “Bashkimi i Kombit“, që botohej në Manastir është domethënës. Në vitin 1923 Këshilli i Lartë Shtetëror miratoi Statutin Bektashian. Në Statutin e vitit  1924, në Kongresin e dytë bektashian në teqenë Hajdarie Gjirokastër, gjuha shqipe u bë gjuha zyrtare dhe në statut theksohej se bashkë me flamurin e gjelbër bektashian do jetë edhe flamuri kombëtar shqiptar, që vazhdon edhe sot  e kësaj dite. Në nenin 64 thuhej se në ceremonitë bektashiane lutjet bëheshin për zgjerimin e atdheut dhe përparimin e popullit shqiptar. Në nene të tjera thuhej se nuk përkraheshin grupet antikombëtare, si dhe mbrojtja e të drejtave të teqeve bektashiane në Maqedoni dhe Greqi. Statuti njihte vëllazërimi i të gjithëve pa dallim feje, race, etnie dhe harmonia e plotë ndërfetare.  Kështu, Kongresi i Parë Bektashianë mbetet vlerë e vyer e kombit tonë.

4-Aktivitetet e ditës së sotme

Dita e sotme është një ditë festive përkujtimore në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, por dhe në të gjitha institucionet bektashiane në Shqipëri e jashtë saj. Në mjedisin festiv të këtij eventi që brenda tij përmbledh, jo vetëm përkujtimin e 98-vjetorit të Kongresit Bektashian të Prishtës, por dhe dekorimin e Sali Niazi Dedei nga Presidenti i Republikës me medaljen “Nderi i Kombit”. Njëkohësisht, në këtë ditë, në Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane kanë planëzuar dhe një sërë aktivitetesh të tjera si: Një foto-ekspozitë në mjediset e odeonit, kushtuar klerikut atdhetar Sali Niazi Dedei,  përshëndetje nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përshëndetja e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, një koncert i përgatitur enkas për këtë rast nga grupi i njohur polifonik “Bënça” etj… Pritet që në këtë ceremoni të marrin pjesë besimtarë të shumtë, drejtues të lartë shtetërorë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, të ardhur nga Kosova, Maqedonia e më gjerë.

Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “Kongresi i Prishtës, ngjarje e shënuar për miliona bessimatrë në botë”

Nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, janë marr të gjitha masat për mbarëvajtjen e aktivitetit.  “…Sot është një ditë e shënuar jo vetëm për miliona bektashinj në gjithë botën, por shumë më gjerë. Përkujtojmë Kongresin e parë Bektashian të Prishtës, por dhe përjetimin e vlerësimit që Presidenti i Republikës i bën Sali Niazi Dedeit.  Pra, data e sotme mbetet shumë më e dashur sidomos për ne bektashinjtë. Më 17 janarin e vitit të largët 1921, në teqenë historike të Prishtës, në praninë e klerikëve më të shquar bektashianë të krejt trevave shqiptare, mbylli punimet e veta, kuvendi i parë i yni, u sendërtua modeli i parë i një bashkëbisedimi dhe bashkëpunimi institucional, bazuar në kodet tona identitare. Në mënyrë të veçantë kur në Turqi dhe krejt viset Aziatike, tarikati bektashian po gjendej nën zemërimin e verbër dhe dënimin kapital të pakuptimtë, Kongresi i Parë Bektashian, në prehër të maleve të Prishtës, ishte jo vetëm një zjarr i ndezur shprese, por edhe gurë i rëndë themeli në godinën madhështore bektashiane. Njëherazi, ky kongres, u kujtonte dashamirësve tanë  anekënd Azisë dhe gjithë botës, se urtësia dhe mendimi i vyer i Haxhi Bektash Veliut, nuk do të mbylleshin dot në kanate arkivash të ftohtë, apo teqe të mbyllura përgjithmonë, por në një realitet të mrekullueshëm që do të shoqëroj breza të tërë në devotshmërinë e tyre ndaj Krijuesit.”- pohoi për ‘Telegraf’ Dede Edmond Brahimaj.

Përgatiti faqet: Kujtim Boriçi