Kryebashkiaku Veliaj: Investimi në rrjetin e Shën Mërisë, nisje për furnizimin me ujë 24 orë

480
Qytetarët e Tiranës do të kenë një shërbim më të mirë të furnizimit me ujë të pijshëm. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës është bërë i mundur ndërtimi i armaturës së tubacionit të Shën Mërisë, që furnizon rreth 1/3-ën e të gjithë territorit të Bashkisë Tiranë, duke shmangur kështu dëmtimet e herëpashershme të rrjetit kryesor. Për të inspektuar punimet e këtij investimi, ishte i pranishëm dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky është një investim i munguar prej dekadash dhe që ishte bërë i nevojshëm për shkak të problematikës së vazhdueshme që sillte. Sipas Z. Veliaj, “Ky është një burim nga Shën Mëria që me tubacione sjell 600-800 litra ujë/sekondë për Tiranën, do të thotë që furnizon me ujë 1/3 e Tiranës. Ishte shumë e rëndësishme që të ndërtonim këto diga duke lartësuar tubacionin. Për atë që e mban mend, se çfarë kaluam vitin e shkuar, besoj se na mirëkupton, që në një vit po bëjmë investime që nuk janë bërë prej fillimit të viteve ’60. Sigurisht që nuk rikuperojmë dot gjithçka që nuk është prekur me dorë që nga vitet ’60, por besoj se po tregojmë, që kemi një vëmendje kryesisht për çështjet që janë emergjente, siç është uji i pijshëm në Tiranë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës. Veliaj bëri të ditur, se me gjithë situatën e përmirësuar të furnizimit me ujë në Tiranë, mbetet ende sfidë e Bashkisë së Tiranës për të rritur edhe më tej orarin e furnizimit të qytetarëve.
Sigal