Kryebashkiaku Sejdini:Ja si po largohen kreditorët nga BKT, shkak mungesa e korrektësisë

59

Bashkia Elbasan tërheq kreditë nga Banka Kombëtare Tregtare. Në mbledhje e Këshillit miratohet buxheti i vitit 2013

Është mbledhur ditën e djeshme Këshilli Bashkiak i Elbasanit, ku në rendin e ditës ka pasur katër pika kryesore pa anashkaluar edhe çështjet e tjera të rëndësishme. Pika e parë ka qenë dhënia e ndihmës ekonomike për muajin janar. Ndihma ekonomike shpërndahet nga të ardhurat e bashkisë dhe si çështje ka kaluar unanimisht nga të gjithë këshilltarët. Më pas mbledhja ka vijuar me dhënien e objekteve me qira dhe përdorim, po ashtu edhe kjo pikë është kaluar unanimisht. Këshilli ka vijuar me pikën tjetër, ku konsistonte dhënia e mendimit për ushtrimin e aktivitetit shoqërisë “DELTA” sh.a, ku edhe kjo pikë është miratuar pa problem. Më pas ka qenë vetë Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z.Qazim Sejdini, i cili ju ka kërkuar këshilltarëve që të miratojnë kalimin e një kredie që bashkia do të merrte te BKT-ja për ta transferuar te Raiffeisen Bank po me të njëjtin interes. Sipas Kryebashkiakut, Sejdini, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) nuk është treguar serioze me bashkinë, prandaj po merrej edhe ky vendim, i cili nga këshilltarët kaloi unanimisht. Rasti i BKT-së dhe qëndrimi i Bashkisë Elbasan, tregojnë se, banka turke është një nga bankat që në mënyrë djallëzore vë kushte tejet të rënda duke i detyruar qytetarët të falimentojnë para këtyre maskarallëqeve. Ka ardhur moment i protestave qytetare ndaj BKT-së, ashtu sikurse u veprua me CEZ-in. Ligjet shqiptare penalizojnë ato kompani, të cilat përfitojnë nga mosdija apo mos kuptimi i ligjit. Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori Fullani të reagojë dhe të mos implikohet më tej në skandalet që kanë vite që lulëzojnë me ardhjen e tij në krye të Bankës së Shqipërisë.

Kalimi i projektbuxhetit

Dhe pika e fundit ishte miratimi i buxhetit, ku vetë Kryetari i Bashkisë, z.Qazim Sejdini sqaroi çdo gjë që kishte të bënte me buxhetit duke ju treguar të gjithë këshilltarëve se projekt buxheti është i bazuar në të gjitha pikat dhe mbi të gjitha është i bazuar në ligj. Sejdini ka sqaruar se buxheti është bërë në bazë të numrit të familjeve duke zbatuar me përpikëri ligjin në çdo detaje që lidhet me projekt buxhetin. Kryebashkiaku i Elbasanit pasi bëri një përshkrim të detajuar të projektbuxhetit, ku përfshihet plani rregullues i qendrës së qytetit, investime në arsimin para universitar, rroga punonjësish etj., tha se, ky vit është dhe një vit i vështirë pasi është vit elektorat. Pasi projektbuxheti u hodh në diskutim Kryetari i Këshillit Bashkiak, Blendi Himçi tha se, ky projekt buxhet është i fryrë dhe se nuk mjaftojnë argumentet e Sejdini. Por me gjithë diskutime e këshilltarëve të Këshillit Bashkiak të Elbasanit u miratua buxhetin për vitin 2013 me një fond 1 miliard lekë të reja.