Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj paguan 500.000 euro këngëtarin britanik, për një koncert

516
Para disa ditësh kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u përmbyt e tëra nga shiu që ra, ndërkohë që gjithë banorët mbetën pa ujin e pijshëm për ditë të tëra. Bashkia e Tiranës u ndodh (edhe njëherë) e papërgatitur për t’u shërbyer qytetarëve të saj. Ende Bashkia e Tiranës nuk ka përdorur fondet e ndihmës sociale për qytetarët e saj, madje në shumë raste po shkurton ato, duke gjetur pretekste të ndryshme, të pajustifikuara në ligj, vetëm e vetëm, se i …mungojnë fondet. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, nuk u duk fare në ditët që Tirana u përmbyt nga shiu, as në ditët që banorët e kryeqytetit mbetën pa ujë të pijshëm, pasi nuk ka kurajën që të ballafaqohet me problemet, për të cilat u zotua se do t’i zgjidhte, sa të votohej për kryebashkiak. Mirëpo, siç u duk nga nata e pardjeshme, kryebashkiaku i Tiranës, mbase nuk gjendje fare në Tiranë, por ishte munduar deri në Britani, për të ftuar në Tiranë, në një natë, këngëtarin John Mewman, të cilin e ftoi të këndonte në Tiranë në “Natën e Bardhë”. Bashkia e Tiranës ka paguar plot 500 mijë euro vetëm e vetëm që britaniku John Newman të performonte 50 minuta në skenën e vendosur në Sheshin “Skënderbej”. 500 mijë Euro për një bashki që po përballet me 1 mijë e 1 probleme në 6 muajt e parë të menaxhimit të Erion Veliajt, pa diskutim që janë një çmenduri financiare me kuptimin e plotë të fjalës e për më tepër për një ekonomi si ajo e Shqipërisë që po përjeton një krizë të madhe frymëmarrje dhe degradimi. Nuk dihet se mbi ç’logjikë humane, Kryetari i Bashkisë së Tiranës vendosi të shpenzojë nga buxheti 500 mijë Euro, por pa diskutim që kjo mbetet për t’u sqaruar nga vetë kryebashkiaku. Nuk është e nevojshme të mendosh se çfarë mund të ishte bërë në shërbim të komunitetit me një fond prej 500 mijë Euro, por është e sigurt që Kryetari i Bashkisë i ka rënë me top buxhetit, vetëm e vetëm për të sjellë në Shqipëri për të celebruar Ditën e Çlirimit, një britanik dhe për t’i dhënë edhe njëherë banorëve të kryeqytetit thjeshtë e vetëm formën, e asgjë për përmbajtjen. Kryebashkiaku Veliaj nuk e mori mundimin që për Ditën e Çlirimit të Atdheut, të përkujdesej për Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, për varret e dëshmorëve dhe heronjve, që po prishen. Kryebashkiaku Veliaj nuk u përkujdes që të pastronte monumentin ‘Nënë Shqipëri’ nga nxirrja e faktorëve atmosferikë. Kryebashkiaku Veliaj nuk u përkujdesua për të nderuar veteranët, familjet e dëshmorëve të Atdheut, nuk u përkujdesua që në Natën e Bardhë në Tiranë, më 29 nëntor 2015 të këndoheshin kënga partizane dhe patriotike, sikurse u kënduan edhe më 29 Nëntor 1944, por shpenzoi taksat e qytetarëve tiranas, për të paguar një këngëtar britanik me 500.000 euro.
Sigal