Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako takohet me ambasadoren e Kroacisë, Sanja Bujas Juraga

542
Sigal

Kryetari i
Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadoren e
Republikës së Kroacisë, Sanja Bujas Juraga, e cila shoqërohej nga drejtues të
prefekturës, qarkut dhe këshillit bashkiak të qytetit të Rijekës. Në këtë takim
kanë marrë pjesë kryetarja e këshillit bashkiak të Rijekës Dorotea
Pešić-Bukovac, Erik Fabijanić, president i këshillit të qarkut, deputetja e
parlamentit kroat për minoritetin shqiptar Ermina Leskaj-Prljaskaj si dhe
përfaqësues të portit të Rijekës dhe dhomës së tregtisë dhe industrisë.
Kryebashkiaku Dako dhe delegacioni kroat kanë diskutuar për forcimin e
mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-kroate në përgjithësi dhe në veçanti
shkëmbimin tregtar, kulturor e artistik mes dy qyteteve të Durrësit dhe
Rijekës. Kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është shprehur se ne kemi
marrëdhënie të mira me Kroacinë, por tani ka ardhur koha që marrëdhëniet midis
dy qyteteve tona të hyjnë në një stad të ri. Dako shtoi se ne duhet tu krijojmë
lehtësira qytetarëve të të dy vendeve që dëshirojnë të kryejnë vizita të
ndërsjellta në fushën e turizmit dhe më gjerë, ne mund të bëjmë promovimin e të
dy porteve në qytetet tona dhe më pas biznesi të veprojë duke parë fushat që
kanë më shumë interes nga pikëpamja tregtare. Dako shtoi se ne kemi mundësi të
zhvillojmë më tej marrëdhëniet kulturore, artistike e sportive, me nxënës
shkollash që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre apo trupat e teatrit apo
ansambleve. Delegacioni kroat në takimin me kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako
ka propozuar vendosjen e një trageti pasagjerësh dhe mallrash që të bëjë linjën
direkt Durrës-Rijeka dhe anasjelltas. Duke qenë se Kroacia është anëtare e
BE-së mund të përfitojë fonde për rimbursimin e këtij lloj transporti.
Ambasadorja kroate shtoi se dëshirojmë që të zbatojmë edhe një projekt tjetër
që lidhet me pastrimin e detit në rast të një ndotje të mundshme. Platforma për
pastrimin e detit nga ndotja mundësohet nga PNUD dhe në qytetin e Rijekës është
një agjenci e specializuar që merret me këtë gjë. Kryebashkiaku Dako i ka
mirëpritur të dy projektet duke i vlerësuar ato për një bashkëpunim më të mirë
mes dy qyteteve, ndërsa shtoi se projekti për vendosjen e një trageti që të
lidhë dy qytetet është shumë pozitiv nëse BE do të garantojë subvencionin e
kësaj linje pasi fillimisht do të ketë një fluks të ulët udhëtarësh dhe
mallrash. Delegacioni kroat i ka dorëzuar edhe ftesën kryebashkiakut Dako për
të vizituar qytetin e Rijekës në një kohë sa më të shpejtë.