Kryebashkiaku Goro në Vlorë me kryeministrin, gazetarët grekë në Himarë për “hetimin” e zaptimit të pronave

1015
Agron MEMA
Hije dyshimi për dosjen me të cilën një bankë italiane ka nisur investimet në këtë zonë dhe emrat fals që përfaqësojnë atë
Objekti i investigimit është: Dosja e investimit të “Resort-Palasa” dhe pronat e deputetit të PS, Alket Hyseni, i cili ka qenë edhe shefi i Taskë-Forcës Qeveritare për të zbuluar abuzimet me pronat dhe ndërtimet në këtë zonë, por që tashmë rezulton se, ka prona edhe vetë në këtë zonë dhe brenda hartës së resortit, së bashku me një deputet të ri të PD, që ka biznes “Call-Center”! 

Çështja e pronave në Himarë, nuk po gjen qetësi as me parullat e shoqatave të zonës, as me thirrjet e pronarëve legjitimë të sekuestruar në vitet 1945-1957, as me peticionet e biznesmenëve të zonës, as me vendimet e qeverisë, as me ligjet e parlamentit, as me “dajakun” e përdorur prej policisë, as me ruspat e fadromave të policisë ndërtimore, as me kërcënimet greke dhe as me premtimet e kryebashkiakut Goro, për ta zgjidhur këtë problem delikat që po ka ndezur edhe raportet diplomatike me shtetin Grek që, vetëm Zoti e di, se me ç’të drejtë është përfshirë në këtë histori! Ato që kanë krijuar historinë problematike me pronat në Himarë, janë “kthetrat” që kanë ngulur grabitqarët shtetarë, politikanë, ligjvënës, biznesmenë e gjithkush që ka pasur fuqi, mundësi e ligje me të “fortët” e shtetit e të botës së krimit, të cilët kanë ngulur piketa, kanë vendosur gardhe, kanë ndërtuar mure ndarës, kanë vendosur çeta të armatosura që mbrojnë çifliqet e zaptuar dhe po ndërtojnë resorte edhe me logo, emra, ortakëri e kompani fiktive, të regjistruara edhe në institucionet e shtetit! Gjithçka ka nisur, për shkak të “rrjetës” së korrupsionit dhe krimit ekonomik e fizik, që është bërë me pronat në këtë segment të lakmuar bregdetar, qysh nga dita e parë e nisjes së zbatimit të Ligjit Nr. 7501, i cili ka përmbajtjen e një reforme të dytë agrare, të bërë sipas kodit të reformës së vitit 1946, me parimin “Toka i përket, atij që e punon”, ligj i propozuar, hartuar dhe votuar në mirëkuptim nga PS-PD, atëherë në parlamentin e parë pluralist. Këtë katrahurë zonale të etiketuar “zhvillim turistik”, që në fakt e ka emrin “pushtim territorial” me forcë, me VKM klienteliste, me dosje, tapi, vendime gjyqesh e letra komisionesh bashkie të falsifikuara, mund ta zgjidh vetëm një goditje e fortë, e plotë, e shpejt dhe e paanshme prej drejtësisë, ndryshe nuk do të ketë qetësi! Në “tepsinë e pronave” me emrin “Himarë, kanë futur “feçkën” ish-drejtues dhe drejtues të pushtetit lokal e qendror, familjarë, krushq, ortakë e deri shoferë dhe bodigardë të tyre, fakte, të cilat gazeta “Telegraf” i ka denoncuar vazhdimisht! Situata e rënduar që është krijuar me pronat në Himarë dhe që qeveria shqiptare e quan “të qetë e normale”, ka bërë pjesë të “hetimit” edhe gazetarët grekë, të cilët përbëjnë skalionin propagandistik të politikës greke, për të legjitimuar skenarin e tyre me Himarën. Sipas informacionit që ka “Telegraf”, janë futur dje në zonën e Himarës, për të zbuluar abuzimet me pronat në këtë bashki, nën pretekstin se banorët e cenuar janë “minoritarë grekë”! Ndërkohë që qeveria “Rama-2”, dje është mbledhur në Vlorë ku ka qenë i ftuar edhe kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, gazetarët grekë janë mbledhur në Himarë dhe kanë nisur investigimin e dosjeve të pronave. Ndërsa gazetarët grekë po hetojnë pronat brenda në Himarë dhe parcelë më parcelë, kryebashkiaku Goro, ka bërë në një postim në faqen e tij elektronike, nëpërmjet të cilit deklaron premtimet e kryeministrit Rama për zhvillimin turistik të Himarës. “Hetimin” e tyre, gazetarët grekë e kanë nisur në Dhërmi dhe Palasë, me objekt të paracaktuar (të instruktuar) për të investiguar ndërtimin e “Resort-Palasa”. Gazetarët grekë, kanë deklaruar se po hetojnë për të zbuluar me detaje pronat e deputetit të PS, Alket Hyseni, i cili ka qenë edhe shefi i Taskë-Forcës së pronave e ndërtimeve në këtë zonë, për të cilat ka hartuar edhe një raport special me të gjitha abuzimet, por që tashmë rezulton, se ka prona edhe vetë! Po kështu, do të investigohen edhe pronat ku po investon deputeti i PD, Agron Shehaj, deputetë këta, për të cilët thuhet se, kanë ortakëri jo vetëm në investimet e kësaj zone në bregdet. Sipas burimeve nga grupi i gazetarëve grekë, po hetohet edhe lidhje e këtij investimi me Bankën Italiane “VENETO” e cila vepron në këtë resort edhe si administratore e këtij resorti, nëpërmjet logos së firmës “VENETO KONSTRUKSION”! Gjithë përqendrimi i mediave investigative greke që ka zbarkuar qysh dje në Himarë për të hetuar këto investime, thuhet se është përqendruar tek dokumentacioni me të cilat janë futur në territorin e kësaj zone dhe po investojnë këto firma, me bazë pronësinë mbi trojet dhe tokat dhe lejet e ndërtimit! Në blogun: “DHUNIMI BLOGSPOT.COM”, zbardhet edhe përqendrimi i investigimit të bërë më parë prej mediave greke, të cilat pasqyrojnë një dokumentacion të plotë dhe të qartë mbi historikun e pronësive mbi tokat e trojet dhe abuzimet aktuale me to brenda territorit të Bashkisë së Himarës. Sot po publikojmë disa fakte prej tyre, për të vijuar në ditët në vazhdim me fakte të reja, të investuara edhe nga “Telegraf” 
Ja Ligji 7501, me të cilin ka nisur krimi me tokat në Himarë
Ligji Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën” (Fletore zyrtare 5, faqe 246, viti 1991,) 
Ndryshuar me Ligjin Nr.7715, datë 02.06.1993 (Fletore Zyrtare Nr 9, Faqe 141 viti 1993 
Ndryshuar me Ligjin Nr.7763, datë 25. 10. 1993 (Fletore Zyrtare Nr 12, Faqe 796, viti 1993) 
Ndryshuar me Ligjin Nr.7855, datë 29.07.1994 (Fletore Zyrtare Nr 10, Faqe 484, viti 1994) 
Ndryshuar me Ligjin Nr.8752, datë 26.03.2001 (Fletore Zyrtare Nr 14, Faqe 400, viti 2001) 
Ndryshuar me Ligjin Nr.9244, datë 17.06.2004 (Fletore Zyrtare Nr 49, Faqe 3375, viti 2004)

Sigal