Kryebashkiaku Dako përuron këndin gjithëpërfshirës të lojërave për fëmijët me aftësi të kufizuara

514
Sigal

Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përurar këndin gjithëpërfshirës të lojërave për fëmijët me aftësi të kufizuara që është ndërtuar në hyrje të Durrësit. Ky kënd lojërash është ndërtuar nga Bashkia e Durrësit në partneritet me Fondacionin  Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Shqipëri. Në këtë përurim merrnin pjesë edhe Petra Schmidt atashe e sektorit ekonomik të ambasadës gjermane në Shqipëri, drejtoresha e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara(FSHDPAK) Blerta Çani Drenofci, përfaqësues të institucioneve të pushtetit  vendor e qëndror, përfaqësues të organizatave që punojnë për çështjet e fëmijëve dhe çështjet e aftësisë së kufizuar dhe qytetarë të Durrësit. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit e ka prioritet kryesor kujdesin ndaj të gjithë personave me aftësi të kufizuar:

“Falenderoj ambasadën gjermane dhe Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara me të cilët bashkëpunuam për të ndërtuar këtë kënd lojrash për fëmijët më aftësi të kufizuar. Mesazhi që duam të japim është mbështetja jonë ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe të gjithë njerëzve që janë në nevojë. Bashkia e Durrësit para disa muajsh, mori në dorëzim dhe investon totalisht në Qendrën e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar, ndërkohë që po financojmë për të hapur një qendër të re dhe për t’ia vënë në shërbim jo vëtëm fëmijëve të qytetit të Durrësit, por edhe zonave ku ky shërbim mungon.” Petra Schmidt atashe e sektorit ekonomik të ambasadës gjermane në Shqipëri deklaroi se është shumë e rëndësishme që fëmijët me aftësi të kufizuar , por edhe fëmijët e tjerë të mos kenë ndroje të luajnë së bashku: ” Gjithëpërfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuar është një aspekt i veçantë i një shoqërie moderne. Është shumë e rëndësishme që fëmijët me aftësi të kufizuar , por edhe fëmijët e tjerë të mos kenë ndroje e të luajnë së bashku. Dua të falenderoj Bashkinë Durrës dhe FSHDPAK që mundësuan këtë kënd lojrash.” Ndërsa drejtuesja e FSHDPAK deklaroi:

“Ky kënd lojërash është një kënd gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe për fëmijët pa aftësi të kufizuar. Kur Ambasada Gjermane na ofroi këtë bashkëpunim, menduam që Durrësi është qyteti i duhur, një qytet ku janë ngritur një zinxhir shërbimesh për fëmijët më aftësi të kufizuar, një qytet ku ne si organizatë kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, me një staf shumë të dedikuar ndaj këtyre fëmijëve. Bashkia Durrës jo vetëm na vuri në dispozicion këtë shesh, por edhe bashkëfinancoi së bashku me Ambasadën Gjermane që mundësuan krijimin e këtij sheshi lojrash.” Ky kënd u realizua në përmbushje të garantimit të të drejtave për Shërbime Rekreative, Sportive të Aksesueshme e që të mund të përdoren nga gjithë  fëmijët me dhe pa aftësi të kufizuara, me qëllim garantimin e të drejtës për të luajtur e për të pushuar, përmes krijimit të një hapësire dhe lodrave të përshtatura dhe të aksesueshme për të gjithë.