Kryebashkiakja e Kurbinit viziton familjen e 2-vjeçarit të djegur: Do t’i akomodojmë në shtëpi me qira dhe do iu mbulojmë shpenzimet

512

Kurbin

Sigal

Kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara, ka shkuar në fshatin Sanxhak për të parë nga afër shkaqet e zjarrit të tmerrshëm të rënë në banesën e shtetasit H. Ç., ku për pasojë humbi jetën fëmija 2-vjeçar.

Kryebashkiakja tha se familja ka pësuar traumë nga ngjarja tragjike, ndaj dhe sipas saj, do të akomodohet në një shtëpi me qira, në Laç. Gjithashtu, kryebashkiakja Cara theksoi se bashkia do iu mbulojë të gjitha shpenzimet e funeralit të vogëlushit.

“Familjen e kemi pasur në fokusin e ndihmës së bashkisë. Kjo ngjarje e bën më të vështirë jetën për ta. Gjithë pjesa e shërbimeve, funerali, e çka i takon traditës, do ta mbulojë bashkia. Familja, për shkak të traumës, do të akomodohet në një shtëpi me qira në Laç, në ditët në vijim. Banesa e tyre nuk ka fare dëmtime, por do i çojmë në shtëpi me qira, për shkak të traumës, që kanë pësuar.

E pyetur nga gazetarja në studio se përse ndodhi ngjarja, Majlinda u përgjigj: “Siç thonë familjarët, soba e druve, që ka qenë ndezur brenda, ndoshta një shkëndijë nga tubat e druve, ka rënë pas shtëpisë, ku ndodhet magazina me dërrasa dhe mund të ketë marrë flakë. Fëmija ka qenë duke lozur pas shtëpisë”.