Kryebashkiakët Stefan Çipa e Kacionos firmosin bashkëpunimin Sarandë-Igumenicë

527
Sigal

Sarandë/Përparësitë: Fluksi turistik në fundjavë, hapësira për biznes të ndërsjellë

Janë takuar këtë fundjavë dy kryetarët e bashkive bregdetare, z.Stefan Çipa i Sarandës dhe ai i Igumenicës, z.Jorgos Kacinos i shoqëruar edhe nga zëvendësi i tij, Hristos Gatsios dhe një emigrant nga fshati Metoq i Sarandës që punon në qytetin e Igumenicës, përkatësisht Mina Ismaili. Miqtë nga shteti helen janë pritur në zyrën e Kryebashkiakut të Sarandës  Stefan Çipa në prezencë dhe të zëvendëskryetarit Jorgo Mitro, kreut të Këshillit Bashkiak të Sarandës, Krenar Islami, si dhe në prani të medias. Miqtë nga Igumenica janë njohur me zhvillimet, resurset dhe impaktet e Sarandës, nga ekspozeja që bëri Stefan Çipa. Ndërkohë që, pikat më të nënvizuara të bisedës kanë qenë ato të bashkëpunimit mes dy qyteteve bregdetare të menaxhimit të turistëve në fundjavat, kjo me interes përfitimi të ndërsjellë, pasi për të dy qytetet është e domosdoshme, kur drejtim kryesor kanë turizmin. Pika tjetër ka qenë ajo e emigrantëve që punojnë e jetojnë në Igumenicë, të cilët sipas pushtetarëve lokalë, janë trajtuar si të barabartë me vendasit, duke premtuar për përmirësime dhe shtim të punësimit, sidomos gjatë vjeljes së agrumeve. Kryebashkiaku i Sarandës pasi ka vlerësuar mesazhet e dërguara nga miqtë grekë, i ka ftuar ata të jenë të pranishëm në festën tradicionale të Sarandës, atë të Midhjes dhe këtë ftesë e ka drejtuar jo vetëm në pjesëmarrjen e tyre institucionale, por edhe me bizneset e tyre. Emigranti Mina Ismaili ka konfirmuar se trajtimi i tyre si të barabartë me vendasit deri edhe në administratë, është një fakt i vërtetë. Kreu i Këshillit Bashkiak të Sarandës, Krenar Islami ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy qyteteve kufitare, duke shtuar si domosdoshmëri shtimin e kontakteve mes bizneseve të dy qyteteve. Takimi është vlerësuar i frytshëm dhe pas marrjes nga homologu Çipa, z.Kacinos, ka përmendur edhe faktin se megjithëse ai nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe në këtë detyre do të jetë deri në muajin gusht të këtij viti, bashkëpunimi miqësor do të vijojë edhe nga administratorët e rinj të qytetit të Igumenicës që do të dalin nga këto zgjedhje.