Krujë, 25-vjeçarja dhunohet nga i shoqi dhe i vëllai pse donte divorcin

519
Sigal

Një 25-vjeçare ka rënë pre e dhunës së bashkëshortit dhe vëllait të saj. Ngjarja e rëndë është shënuar në Krujë, ku e reja është dhunuar fizikisht për shkak të mentalitetit.

F. K, nënë e një fëmije të mitur ishte në proces divorci me bashkëshortin e saj, I. K, 32 vjeç nga Tirana. Prej disa muajsh jetonte në shtëpinë e prindërve të saj. I shoqi kishte shkuar me idenë për tu pajtuar, por që ka hasur në kundërshtimin e prerë të vajzës. 

Çifti nisi të debatonte, kur ka mbërritur edhe vëllai i saj, Besnik Tema, 40 vjeç, i cili jeton afër shtëpisë së prindërve. Duke i bërë presion 25-vjeçares që të rikthehej me bashkëshortin e saj, Tema dhe 32-vjeçari kanë ushtruar dhunë fizike. 

Policia bëri të mundur arrestimin e vëllait, Besnik Tema, si dhe ka shpallur në kërkim bashkëshortin e saj, I. K, 32 vjeç. Ndaj tyre rëndon akuza për dhunë në familje. 

Raste të tilla të përsëritura ndodhin shpesh në mjedisin familjar shqiptar, ku shkak kryesor është mentaliteti dhe presioni i shoqërisë.